Leci Nr. 21
Arkivat. Viti 1968
Vendimi për ashpërsimin e luftës së klasave
Viti 1968, sipas dokumenteve origjinale arkivore (AQSH. F.14/AS, STR. Viti 1968), vlerësohet si periudha e pikut të ashpërsimit të luftës së klasave në vend. Është koha kur të gjithë strukturat partiake dhe levat e saj shoqërore e shtetërore, të urdhëruar nga lart, e vlerësonin këtë fakt si element bazë për formimin e “Njeriut të ri” dhe forcimin e socializmit.
Për këtë qëllim, më 21.06,1968, Enver Hoxha firmos “Konkluzione” e KQ të PPSH, me siglën “Për përdorim të brendshëm”, ku ndër më të rëndësishmet veçohen:- Shtimi i numrit të kulakëve dhe të pakënaqurve, të cilëve u hiqen Kartat e Frontit; -Mënyra si duhen gjetur e përcaktuar të deklasuarit; - Si të bëhet heqja e kartave të Frontit; - Largimin e kulakëve dhe të deklasuarve nga qyteti; -Mënyra e neutralizimit e të ndëshkimit të kulakëve; -Ndalimi i martesave me të deklasuarit etj.
Referuar statistikave nga dokumentet zyrtare të kohës që paraqet në studimin tij Dr.Elmaz Leci, del se mbi bazën e këtyre konkluzioneve, shtimi i kulakëve dhe njerëzve të pakënaqur që u hiqen kartat e Frontit, nga viti në vit vjen duke u rritur.
Kjo ndarje ekstreme klasore, që me zigzaget e saj do të vazhdonte dhe për më shumë se dy dekada të tjera, solli probleme të shumta tek shtresat e popullsisë dhe gjithë jetën në vend.
Kujtim Boriçi
------------------------------------------------------------------
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente arkivore dhe dëshmi lidhur me vendimin e Byrosë Politike, të qershorit 1968, për ashpërsimin e luftës së klasave, shtimin e numrit të njerëzve pa triska Fronti dhe mënyrën e trajtimit e diferencimit të tyre politik dhe ekonomik.
Mesviti 1968, sipas dokumenteve arkivore (AQSH. F.14/AS, STR. Viti 1968), shënon një ashpërsim të luftës së klasave në vend. Enver Hoxha e Byroja Politike, miratojnë vendimin për kalimin në “shoshë” të biografive të njerëzve, me synim (plan) shtimin e numrit të njerëzve pa triska Fronti. Mbi këtë bazë, Sekretariati i KQ të PPSH, harton “Për përdorim të brendshëm” konkluzionet me Nr.273 Prot., datë 21.06.1968 “Mbi gjendjen dhe problemet që dalin me njerëzit pa karta Fronti”, i cili shënon një luftë të ashpër klasore me pasoja të pariparueshme në disa dekada që pasuan.
Konkluzioni. Të punohet më mirë, për të gjetur të deklasuarit
Shqetësimi dhe detyra e Partisë, siç del në materialin e firmosur nga Enveri (AQSH. F.14/AS, STR. Viti 1968), është që të punohet më shumë, për të nxjerrë të pakënaqurit që do u hiqen kartat e Frontit e të trajtohen me diferencime, duke e vlerësuar këtë si “çështje politike”. Ja si thuhet në hyrje të konkluzioneve: “Sekretariatit i Komitetit Qendror të PPSH, në mbledhjen e tij të datës 11.06.1968, mori në shqyrtim raportin e paraqitur nga Sektori i Edukimit dhe aparati i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, “Mbi gjendjen dhe problemet që dalin me njerëzit pa Karta Fronti” dhe konstatoi se nga studimi që i është bërë problemit të njerëzve pa karta fronti në përgjithësi, organizatat dhe komitetet e Partisë, organizatat e frontit dhe organizatat dhe komitetet e partisë, organizatat e frontit dhe organet e tyre drejtuese në rrethe e kanë trajtuar anëtarësinë në front sipas orientimeve të partisë. Heqja e kartës së frontit shikohet para së gjithash si një çështje politike me rëndësi, diskutohet e vendoset në mbledhjen e popullit dhe aprovohet nga Kryesia e Frontit në Rreth. Diferencimi i njerëzve në familjet pa kartë fronti (kulak e me qëndrim të keq politik) është bërë më mirë se më parë…”. (AQSH. Po aty).
Plan për të shpallur kulakë e të pakënaqur
Konkluzionet evidentojnë se në harkun e një viti ka një rritje të ndjeshme të numrit të personave që u janë hequr kartat e Frontit, por detyra, plani duhet të jetë më i madh. “Duke e krahasuar me gjendjen e vitit 1966, del se më 1967, përgjithësisht ka një rritje të dukshme si të numrit të familjeve, ashtu dhe të njerëzve që nuk kanë kartë fronti, sidomos në fshat. Në totalin e elementëve pa kartë fronti 18,20% janë në qytet dhe 81,80% në fashat. Kjo rritje ka ardhur nga ndarja e familjeve kulake e me qëndrim të keq politik, nga rritja në moshë e fëmijëve të tyre, nga cilësime të reja të familjeve kulake e me qëndrim të keq politik, nga se gjatë vitit 1967 ka patur raste përjashtimi nga radhët e Organizatës së Frontit.
Sekretariati i Komitetit Qendror konstaton gjithashtu se, në jetën dhe veprimtarinë e organizatave të partisë e të frontit ndeshen si rastet e qëndrimeve oportuniste, liberale e nënvleftësuese ndaj elementit armik, ashtu edhe raste e qëndrimeve dhe veprimeve të pathelluara ndaj njerëzve duke u hequr kartat e frontit.
Gjatë vitit 1967, janë përjashtuar nga fronti 92 veta më shumë se në vitin 1966. Më tepër përjashtime ka patur në rrethet e Krujës, Pukës, Shkodrës, Peshkopisë etj. Kjo rritje lidhet me ashpërsimin e luftës klasore në kohën e kolektivizimit në zonat e malësisë dhe me goditjet e tjera që u dhanë zakoneve prapanike e besimeve, ku puna e partisë dhe popullit ndeshi në rezistencën jo vetëm të njerëzve fanatikë e prapanikë, por dhe në atë të elementëve armiq. Prandaj, një pjesë e përjashtimeve nga fronti kanë qenë të drejta e të nevojshme...
Si shtohej numri i kulakëve dhe të deklasuarve
Detyrën e shtimit të kulakëve e të pakënaqurve, sipas materialit të mësipërm, nuk e dëmtojnë dhe rastet e heqjes së kartave të Frontit dhe në mënyrë jo fort bindëse: “Në disa raste heqja e kartës së frontit është përdorur për presion, si masë administrativo-politike ndaj njerëzve që nuk janë të bindur ose nuk binden lehtë ndaj disa vendimeve që merr organizata e frontit. Kështu, në Pukë ka ndodhur që t’u hiqet karta e frontit familjarisht atyre që nuk pranonin të hynin në kooperativën bujqësore, ose pse nuk donin të dërgonin në hekurudhë vajzën apo gruan. Në Krujë i hiqet karta e frontit një personi për arsye se bëri martesën e djalit sipas zakoneve të vjetra, që mbledhja e popullit kishte vendosur ta braktiste. Në Kolonjë u hiqet karta e frontit disave për sjellje jo korrekte në jetën e tyre personale, ose dy vetave, sepse njëri kishte vjedhur një sasi fare gruri dhe tjetri se e pa atë që vodhi dhe nuk denoncoi. Në Vlorë përjashtohen nga organizata e frontit 5 fshatarë për arsye se nxitin një grua të ve që të martohet me djalin e një kulaku etj.
... Zgjerimi i kërkesave për anëtarësinë në front mund të çojë në qëndrime sektare dhe të cenojnë karakterin e frontit si organizatë e madhe dhe e gjerë e popullit”,- thuhet në konkluzionet sekrete të KQPPSH.
Detyra: Si të hiqen Kartat e Frontit!
Ja si udhëzon Partia e Punës bazën për mënyrën e heqjes së kartave të Frontit: “Prandaj, Sekretariati theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të kritereve të vendosura, që Karta e Frontit te hiqet pasi të jetë aprovuar nga Kryesia e Frontit të Rrethit, pa ua lënë këtë të drejtë as organizatave bazë të frontit, as vetëm kryetarëve e sekretarëve të Këshillit të Frontit të rrethit. Mund të praktikohet edhe përvoja e disa rretheve që njerëzit e propozuar për t’u përjashtuar nga organizata e frontit të jenë të pranishëm në mbledhjen e kryesisë së rrethit, kur shqyrtohet çështja e tyre. Një praktikë e tillë duhet parë edhe për rastet e shpalljes së kulakëve, sepse ka ndodhur që në bazë, njerëzit të cilësohen kulakë pa pyetur e pa marrë aprovimin e Byrosë së Komitetit të Partisë së Rrethit. Prandaj në disa rrethe numri i njerëzve pa kartë fronti është i konsiderueshëm, mbetet i palëvizur ose shtohet nga viti në vit. (AQSH... Cituar më lart)
Luftë ndaj kulakëve në fshat
Konkluzionet e firmosura nga Enveri për të shpallurit kulakë, është i qartë: “Luftë ndaj kulakëve në jetën e përditshëm, e nëse nuk binden, të çohen në burg!”. Ja si shkruhet në dokument: “Në çështjen e qëndrimit ndaj kulakëve në fshat, në disa raste shihen paqartësi, qëndrime të lëkundshme dhe moszbatim si duhet të vijës së partisë. Në qytet ka elementë më të rrezikshëm nga kulakët, bile elementë armiq që veprojnë, ndërsa njerëzit venë e vinë me ta dhe asnjëri nuk shqetësohet. Kurse në fshat ndodh ndryshe, kulakët duke qenë të identifikuar si të tillë, vija e partisë ndaj tyre zbatohet në mënyrë të ngurtë, çështja shihet nga ana më e lehtë, kalohet në veprime e qëndrime sektare.
Në qoftë se një element i dyshimtë, me gjithë përpjekjet që kanë bërë organizatat e partisë, të frontit dhe organizatat e tjera të masave me të nuk korrigjohet, atëherë ndaj tij duhet të mbahet qëndrim dhe kur ai zhvillon veprimtari armiqësore, kalon edhe në burg. Burgu tek ne është vend edukimi dhe riedukimi për elementët me rrezikshmëri shoqërore, prandaj me punën e gjithanshme që bëhet atje, kur shihet se i dënuari përmirësohet e premton se është korrigjuar, atëherë lirohet nga një herë dhe para se të vuajë të gjithë afatin e dënimit dhe hyn përsëri në shoqëri, futet në një punë.
Të mos kthehen kulakët nga qyteti në fshat
Pasi nënvizohet fakti se: “Kur u vendos që kulakët të rikthehen nga qyteti në fshat, partia pati për qëllim që këta njerëz të dërgohen atje për të qenë nën kontrollin shoqëror të fshatit e të Organizatës së Partisë, që i njohin dhe dinë më mirë se kushdo ç’kanë qenë e ç’kanë bërë. Kjo ishte një masë lehtësuese për ta dhe partia kish besim se duke qenë midis njerëzve të njohur, me punën edukative”, urdhërohet që kulakët, tani e tutje, të rrinë në fshat. “Por kjo duhet kuptuar drejt, me qëllim që të mos lejohet të shkohet në anën tjetër, në oportunizëm, duke menduar se meqë një njeri doli nga burgu, ai e lau fajin që ka bërë... Edhe duke mos qenë anëtarë të kooperativës bujqësore, kulakët do të rrojnë në fshat, do të punojnë në një brigadë me kooperativistët e tjerë, duke i detyruar të punojnë veçanërisht...
Duke punuar në brigadë, duke i tërhequr në punë politike e në mbledhjet e frontit (megjithëse ato nuk janë anëtarë) partia synon që këta elementë të riedukohen, të ndryshojnë konceptet politike dhe kur kanë veprimtari armiqësore, t’i vërë përpara opinionit shoqëror.
Detyra: Ti neutralizojmë kulakët në fshat
Qëndrimi ndaj kulakëve, siç urdhërohet në konkluzionet e KQ të PPSH (Nr. 273 Prot., 21.06.1968), të mbetet i njëjtë, por të ashpërsohet më tej qëndrimi veçues. “Partia duhet të përpiqet që kulakët dhe elementet e lëkundur, të paktën t’i neutralizojnë dhe të mos i lërë të hidhen në veprime armiqësore kundër partisë e pushtetit popullor... Prandaj, organizatat e partisë duhet të shikojnë edhe rrezikshmërinë e secilit veçanërisht dhe të mos bien në pozita të gabuara të interpretimit të vijës së partisë, siç veprohet në disa raste. Ndonjë komunist e ka më të lehtë të mos takohet fare me kulakun kur duhet, nga frika se mos i thonë se ky po e mbron atë po ta shohin që zhvillon një bisedë për ta sqaruar për diçka, ose për të goditur një pikëpamje të tij të shtrembër. Kuptohet që komunisti nuk duhet t’i vejë kulakut në shtëpi, të hajë e të pijë me të etj., por kur kulaku ju jep shenja përmirësimi dhe këto janë vërtetuar me prova për një kohë të gjatë, atëherë në mbledhje të frontit mund të diskutohet propozimi i heqjes së titullit kulak...”,- vazhdon udhëzimi i firmosur nga Enver Hoxha.
Asnjë martesë me kulakët
Shqetësim i Enver Hoxhës mbetet problemi i rinisë, veçanërisht mundësitë e martesave e miqësive me kulakët e njerëzit pa karta Fronti: Ja udhëzimi për këtë problem: “Veçanërisht, problem paraqet qëndrimi ndaj moshave të reja 16-24-vjeç të cilët në numrin e përgjithshëm të njerëzve pa kartë fronti zënë 24.8%. Ndodh që këta, megjithëse janë anëtarë të BRPSH prej një kohe të gjatë ose vajza të reja me prejardhje kulake të martuara me fshatarë kooperativistë, që edhe vetë janë anëtarë të kooperativës bujqësore dhe punojnë mirë, nuk pranohen në organizatën e frontit dhe nuk u jepet karta e anëtarësisë. Ka gjithashtu raste që të rinj të kësaj kategorie nuk pranohen të punojnë në asnjë aksion, përgjithësisht ata mbahen krejt të izoluar nga masa tjetër e rinisë dhe ndaj tyre mbahet një qëndrim sektar, pa menduar se si do të riedukohen ata. Rininë duhet ta edukojmë që të jetë vigjilente dhe e pastër politikisht. Asaj nuk duhet t’i rekomandojmë të martohet me vajzën ose djalin e kulakut, sepse atëherë do të shkonin në anën tjetër, në oportunizëm...
Diferencimi në familjet e njerëzit pa kartë fronti është një problem që duhet parë edhe për rastet e tjera... Nuk është e drejtë të mbahet i njëjti qëndrim si ndaj kulakut ose një elementi tjetër me qëndrim të keq politik, ashtu edhe ndaj atij që është përjashtuar nga fronti se ka qenë në burg për faje ordinere, ose si ndaj prindit, ashtu edhe ndaj fëmijëve etj.
(Vijon nesër)
Duke e krahasuar me gjendjen e vitit 1966, del se më 1967, përgjithësisht ka një rritje të dukshme si të numrit të familjeve, ashtu dhe të njerëzve që nuk kanë kartë fronti, sidomos në fshat. Në totalin e elementëve pa kartë fronti 18,20% janë në qytet dhe 81,80% në fashat. Kjo rritje ka ardhur nga ndarja e familjeve kulake e me qëndrim të keq politik, nga rritja në moshë e fëmijëve të tyre dhe nga cilësime të reja të familjeve kulake e me qëndrim të keq politik
. Në Krujë i hiqet karta e frontit një personi për arsye se bëri martesën e djalit sipas zakoneve të vjetra, që mbledhja e popullit kishte vendosur ta braktiste. Në Kolonjë u hiqet karta e frontit disave për sjellje jo korrekte në jetën e tyre personale, ose dy vetave, sepse njëri kishte vjedhur një sasi fare gruri dhe tjetri se e pa atë që vodhi dhe nuk denoncoi. Në Vlorë përjashtohen nga organizata e frontit 5 fshatarë për arsye se nxitin një grua të ve që të martohet me djalin e një kulaku