Leci / Nr.8 (Për botim)
Arkivat, 1941-1948
Referuar dokumenteve të kohës, marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi në periudhën 1941-1948, janë karakterizuar me mirëkuptime e kontradikta. Pjesëmarrja e dy të deleguarve jugosllavë në krijimin e PKSH-së, në nëntor 1941, Popoviçit e Mugoshës, mbetet një fakt i pamohueshëm, por parë në dy këndvështrime. Historiografia e periudhës komuniste e lidh pjesëmarrjen e tyre me të qenit të dy vendeve aleatë në luftën e përbashkët kundër fashizmit e nazizmit, ndërkohë që pohime e dëshmi të fundit, veçanërisht pas ndryshimeve politike të vitit 1990, e lidhin këtë fakt me synimet jugosllave për ta pasur Shqipërinë Republikë të tyren. Në këtë këndvështrim, këto pikëpamje, shoqëruar në disa raste dhe me dokumente arkivore, implikojnë dhe rolin e udhëheqësit komunist Enver Hoxha në marrëdhëniet dypalëshe. Veçanërisht, parë në këtë këndvështrim, dhe sipas studiuesit Leci, marrëdhëniet Enver-Tito kanë ndikuar gjatë kësaj periudhe dhe në çështjen kosovare.
Më 4 gusht 1956, sipas dokumenteve arkivore që sjell në studimin e tij Leci, i dërguari i Jugosllavisë në Tiranë, A.Milatoviç, në një takim që pati me Enver Hoxhën, i shprehu atij mos aprovimin e udhëheqjes jugosllave, të vlerësimit që i bënte udhëheqja shqiptare marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Madje, ai, në emër të Partisë Komuniste Jugosllave, i paraqiti Hoxhës edhe kërkesën që udhëheqja komuniste shqiptare të dilte me një komunikatë, ku të deklarohej se: "Jugosllavia nuk kishte bërë gabime ndaj Shqipërisë dhe se çdo e thënë kundër Jugosllavisë duhej hedhur poshtë, siç kishin bërë vendet e tjera lindore". (ASH, "Marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, 1945-1948")...
Leci më tej pohon: "Prishja e marrëdhënieve diplomatike, ose më saktë, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik dhe roli i tyre në marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, pati vetëm ndikim propagandistik. Themi vetëm ndikim propagandistik, sepse vetëm në fushën e propagandës u ngritën boritë dhe u amplifikuan më shumë akuzat e Informbyrosë për regjimin e Titos në Beograd. Pasoja e një propagande të tillë rëndonte edhe mbi shqiptarët në Kosovë e në trojet e veta në Mal të Zi e në Maqedoni. Po, përse iu dha rëndësi aspektit propagandistik?".
Me faktet dhe dokumentet që sjell studiuesi Leci, përpiqet të hedhë dritë mbi këto marrëdhënie dhe ndikimin i tyre në çështjen e Kosovës. Por, sa bindëse janë këto dëshmi, përballë argumenteve të kundërta të servirura në një periudhë kohore të gjatë, mbetet në dorë të specialistëve e lexuesve të gjykojë.