Mjekët e parësorit pohojnë se tashmë janë kthyer më shumë në sekretar. Qytetarët: Nuk e njohim fare si koncept
Quhet mjeku i familjes, por nuk ka trokitur kurrë në familjet tona të paktën që para viteve ’90. Madje mjeku i familjes tashmë është kthyer në sekretar duke shkruar shkresurina dhe lënë mënjanë depistimin e popullatës. Këtë e pohojnë vetë pacientët, të cilët theksojnë se prej vitesh mjeku i familjes nuk troket më në dyert e tyre. Madje edhe mjekët e familjes, Urdhri i Mjekut dhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore të cilët kontraktojnë mjekët e parësorit shpjegojnë arsyet se përse mjeku i familjes nuk bën më debistime në popullatë dhe pasojat negative që sjell ky fenomen.
Debistimi
Mjeku i familjes... nuk e di të them të drejtën se pse quhet kështu. Në fakt nuk kam parë ndonjë mjek të më trokasë në dyert e shtëpisë. Kjo është përgjigja e shumë njerëzve që të japin nëse i pyet se kur ka vajtur mjeku i familjes për herë të fundit në shtëpitë e tyre. “Dikur mbaj mend që vinin mjekët dhe na regjistronin fëmijët. Madje merrnin të dhëna shëndetësore për të gjithë pjesëtarët e familjes, ndërsa tani kjo nuk ndodh më dhe nuk e di përse”,- thotë Alma Gjini, banore në zonën e Laprakës.
Ndërkohë Presidenti i Urdhrit të Mjekut për Rajonin e Tiranës, Faik Toska, pohon se fakti që pas viteve ’90 mjeku i familjes nuk bën depistime në familjet shqiptare është shumë negative pasi nuk ka të dhënë të sakta për sëmundshmërinë e popullatës. “Kjo do të thotë se problemet e shëndetësisë fillojnë që tek sistemi parësor i cili duket që nuk funksionon si duhet. Sigurisht që popullata nuk ka nga të dijë konceptin e mjekut të familjes, përderisa ai nuk troket ndonjëherë në familjet shqiptare”,- pohon Toska, duke shtuar se tashmë ka ardhur koha që institucionet përkatëse të marrin masa që mjeku i familjes të vazhdoje debistimet mbi popullatën.
Mjekët
E pranojnë se debistimi i popullatës pas viteve ’90 është lënë pas dore, por kjo jo për faj të tyre, por për faj të sistemit që nuk funksionon më si dikur. Sipas mjekëve të familjes, tashmë puna e tyre është përqendruar kryesisht në zyrë dhe jo më mbi familjet dhe kjo nuk është pozitive. “E vërteta është se mjeku i familjes nuk bën më debistime në familje pasi është shumë i zënë me shkresurina.
Pra mund të them se mjeku i familjes është kthyer më shumë në një sekretar duke plotësuar shkresurina, që kanë të bëjnë me barnat e rimbursueshme, apo procedura të tjera dhe nuk angazhohet për të dalë në terren për të debistuar popullatën dhe është detyrë e tyre”,- pohon kryetarja e shoqatës së Mjekëve të Familjes, Vjollca Konica, duke shtuar se problemi fillon pikërisht tek sistemi i parësorit. Të njëjtin mendim ndajnë edhe mjekët e tjerë të familjes të cilët pohojnë se nuk u kërkohet më të dalin në terren për debistime. Sipas tyre kjo nuk është aspak pozitive pasi nuk ka të dhënë mbi sëmundshëmrinë e popullatës dhe aq më tepër të merren masa për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.
ISKSH: Mjekët në shtëpitë e të sëmurit vetëm kur janë rëndë
Mjeku shkon në familje vetëm në rastet kur ndonjë nga pacientët është aq i sëmurë sa nuk mund të shkojë dot në qendrën shëndetësore për të bërë kontrollin e tij. Kështu u shprehën burime zyrtare të Instituti të Sigurimeve Shëndetësore, sipas të cilëve ngarkesa për banorë për një mjek familje varion sipas kategorive. Sipas tyre, Mjeku i Përgjithshëm i Familjes (MPF) në qytet ka 2000-3000 banorë, MPF në fshat 1750-2500 banorë.
Ndërkohë bëhet e ditur se banorët regjistrohen të gjithë nga mjekët e përgjithshëm të familjes në regjistrin themeltar të banoreve. “Regjistrimi është pasiv, d.m.th banorët shkojnë vetë në qendrat shëndetësore të lagjeve dhe zgjedhin mjekun e tyre duke bërë regjistrimin përkatës sipas procedurave”,- pohojnë specialistët e ISKSH-së, duke shtuar se një mjek familje nuk do të thotë që ai të shkojë shtëpi me shtëpi nëpër familje, por që kujdeset për të gjithë pjesëtarët e familjes duke i dhënë shërbimin e duhur shëndetësor kur kërkohet nga ana e pacienteve. Por nga ana tjetër ISKSH-ja si kontraktore i mjekëve të familjes nuk jep shpjegime sa i takon debistimit të popullatës që tashëm duket se është harruar nga kjo kategori mjekësh. Mjekët e QSUT-së, pohojnë se në spital vijnë mijëra ambulatorë. Qytetarët: Në lagje nuk marrim shërbim të specializuar
----------------------------------------------------
Mjekët e QSUT-së: Nuk funksionon parësori, jemi kthyer në poliklinikë
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pret çdo ditë mijëra pacientë ambulatorë për vizita dhe ekzaminime shërbime këto që banorët duhet t’i marrin në lagjet e tyre. Sipas mjekëve të QSUT-së kjo po e kthen spitalin në një poliklinikë lagjeje pasi pacientët duhet të paraqiten në spital vetëm në rast kur mjeku i poliklinikave nuk i zgjidh dot problemet shëndetësore të pacientëve. “Pacientët duhet të vijnë këtu vetëm kur kanë nevojë për ndihmë të specializua dhe jo për çdo vizita apo ekzaminim që kanë nevojë të bëjnë”,- pohon shefja e shërbimit të Pneumo-alergologjisë, Luljeta Kota.
Në fakt të njëjtin mendim ndajnë me të edhe kolegët e saj të cilët theksojnë se mania e njerëzve për të ardhur të gjithë në spital po e dëmton shumë dhënien e shërbimit QSUT. “Mjekët në spital kanë primar pacientët e shtruar dhe duhet të merren me ata. Por nëse ambulatorët trokasin çdo ditë për një shërbim që duhet ta marrin në lagjet e tyre sigurisht që në këtë rast cenohet cilësia e shërbimit që do të marrë pacienti i shtruar”,- pohojnë shefat e shërbimit të QSUT-së. Ndërkohë kryeinfermierja e qendrës së konsultave në këtë spital, Gjenovefa Nurka pohon se pranë qendrës trokasin çdo dita qytetarë që kanë nevojë për shërbime elementare dhe që nuk kanë nevojë për ndihën e profesorëve që punë e tyre duhet ta përqendrojnë në pavijon.
Ndërsa qytetarët shprehen se trokasin në spital pasi mjekët janë shumë më të përgatitur dhe atje mund të gjejnë më shumë shërbime se në lagjet e tyre. “Pse të vizitohem në lagje. Atje nuk bëjmë dot as analizën e gjakut komplet ndaj vijmë në spital. Pastaj këtu shërbejnë profesorët që dinë më shumë se mjekët e familjes”,- u shpreh Arista Hoti.