Premte, 29 Gusht 2008 23:09:15

Lexoni versionin Print

Merimanga e zezë nis “gjuetinë”, mbi 30 të helmuar në spital

Nuk e kanë menduar kurrë se do të ishin viktima të saj. Madje shumë prej tyre nuk e njohin atë por thjesht kanë dëgjuar për helmimin deri në palcë që i bën njeriut, duke i rrezikuar seriozisht jetën.

Eglantina Bardhi
Shtune, 19 Korrik 2008 08:27:00

 

Sipas shefit të Toksikologjisë, Sula, 7 persona kanë paraqitur rrezik për jetën. Ja sa i rrezikshëm është helmi i saj

Nuk e kanë menduar kurrë se do të ishin viktima të saj. Madje shumë prej tyre nuk e njohin atë por thjesht kanë dëgjuar për helmimin deri në palcë që i bën njeriut, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Bëhet fjalë për merimangën e zezë, që tashmë ka nisur “gjuetinë” duke helmuar mbi 30 persona, gjatë 2 muajve të fundit. Shefi i Toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak, Zihni Sula pohon për “Shekullin” se 7 prej tyre kanë qenë në gjendje kritike për jetën dhe janë mbajtur në reanimacion për disa ditë. Ndërsa pacientët e pickuar nga merimanga e zezë, 19-vjeçari nga Kavaja, Bardhyl Rrapushi dhe Zyliha Lila, tregojnë historinë e tyre se si u helmuan nga merimanga. “Nuk mund të më besohet se një merimangë mund të më rrezikonte jetën. Helmi i saj më dërrmoi aq shumë sa mendova se do të vdes”,- pohon pacientja.

Alarmi

Nuk të kursen, kudo që të jesh. Helmi i saj është aq i fuqishëm, sa brenda pak minutash të shkakton probleme të tmerrshme. Kështu, Zihni Suli pohon se këtë verë në Toksikologji kanë ardhur në gjendje të rëndë shumë pacientë të helmuar nga merimanga e zezë. “Muajt e fundit, kemi patur mbi 30 raste helmimesh nga merimanga e zezë dhe 7 prej tyre janë paraqitur në gjendje kritike për jetën, ku janë mbajtur në reanimacion, nën mbikëqyrje të rreptë”,- pohon Sula. Sipas tij, kjo merimangë ka një toksim (helm) mjaft të fuqishëm i cili ka një veprim të shtrirë në organizëm dhe prek sidomos sistemin nervor. Të sëmurët, shpjegon ai, kanë agjitim të theksuar deri në haluçinacione dhe iluzione në formë psikoze. “Kanë dhimbje të fuqishme dhe rritje të tensionet të gjakut dhe të frekuencës së zemrës”,- thekson Sulaj duke theksuar se si ndihmë e parë të pickuarve, duhet t’u sigurohet një qetësi absolute dhe vendosje të akullit mbi vendin e pickimit.

Pacientët

Duken të lodhur sa e kanë të vështirë edhe të flasin për atë që u ka ndodhur. Megjithatë gjejnë forca të thonë se helmi i saj ishte aq i rëndë, sa kurrë në jetë nuk kanë kaluar dhimbje aq të tmerrshme. “Sa dola nga ara ku po punoja me prindërit dhe ndjeva një këputje të trupit në mënyrë të shpejtë, pastaj më filluan dridhjet dhe paralizë sa më humbën fare ndjenjat”,- thotë 19-vjeçari Bardhyl Rrapushaj nga Kavaja, duke shtuar se pas kësaj prindërit e kishin dërguar në spital dhe nga ajo kohë nuk mban mend asgjë. Ndërsa 40-vjeçarja po nga Kavaja, Zyliha Lila, pohon se po mbushte ujë në çezmën pranë shtëpisë kur merimanga e zezë e pickoi në këmbë.

Merimanga e zezë

Vite më parë merimanga e zezë nuk ekzistonte në Shqipëri. Ajo ka hyrë nga jashtë vendit dekadën e fundit. Gomat e makinës dhe teshat e përdorura janë vendi më i mirë për të për tu transportuar. Tashmë ajo gjendet kudo. Në ara të mbjella, oborre shtëpish apo dhe brenda tyre. Merimanga e zezë ka një shenjë të kuqe mbi shpinë ose në bark. Shfaqet në 6 muaj të vitit nga fillimi i majit deri në tetor. Ndryshe njihet si vejusha e zezë sepse pas shumimit ajo nuk kursen as partnerin. Helmi i saj është aq i fuqishëm sa mund të shkaktojë edhe vdekjen e njerëzve.

Mjekët, ja cilat janë shenjat e pickimit të merimangës së zezë

Pasoja shumë serioze, deri në rrezik të sigurt për jetën. Kështu shprehen mjekët për atë që sjell pickimi i merimangës së zezë. Madje helmin e saj ata e konsiderojnë vdekjeprurës, nëse nuk merren masa të menjëhershme për kurim. Ata shpjegojnë se njerëzit duhet të paraqiten menjëherë për ndihmë mjekësore sapo të vënë re shenjat e para të pickimit. Këto shenja janë mpirje e gjymtyrëve, dridhje të trupit, dhimbje barku, dobësi dhe humbje e kontrollit. “Pickimi i merimangës, këto shenja i jep në pak minuta, ndaj dhe veprimi i saj mbi organizmin e njeriut është shumë i shpejtë. Si rrjedhojë, nuk duhet neglizhuar asnjë sekondë, sepse pasojat janë të rënda,”- theksojnë mjekët. Sa i takon hartës së veprimit të merimangës së zezë specialistët pohojnë se jo vetëm arat dhe fshatrat janë të rrezikuara, por merimanga mund të jetë e pranishme edhe në vende të tjera.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML