Sipas QKAISH-së dhe ISKSH-së, mjekët do të përdorin udhëzues për sëmundjet më të përhapura
Mjekët do të kenë udhëzues klinik për sëmundje shumë të përhapura. Kjo do të thotë se bluzat e bardha do të konsultohen më parë më këto udhëzues, për të vendosur diagnozat e këtyre sëmundjeve. Kjo praktikë do të zbatohet për herë të parë në vendin tonë dhe do të sjellë jo vetëm një shërbim më të mirë ndaj pacientëve, por edhe kontrollim më të mirë të skemës së Sigurimeve Shëndetësore. Kështu, Qendra Kombëtare e Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor kanë hartuar tashmë udhëzuesit e parë klinikë për mjekët. Drejtuesit e këtyre institucioneve, Isuf Kalo dhe Elvana Hana shpjeguan rëndësinë e këtyre udhëzuesve dhe sëmundjet që do të përfshihen aty.
Udhëzuesit
Libra të mëdhenj voluminozë, në të cilët përfshihen 5 sëmundje kronike, u janë shpërndarë mjekëve. Tashmë bluzat e bardha, përpara se të japin mjekimet apo rekomandimet për këto sëmundje, do t’i referohen këtyre udhëzuesve. “Udhërrëfyesit janë një dokument i bërë në mënyrë kolektive nga grupi i mjekëve që merren me çështjet, por e reja që sjellim ne në këtë proces, është që dhe kjo eksperiencë e grupit të mos bazohet në eksperiencën e tyre klinike, apo të një lideri, por të alternohet me evidencën shkencore më të re që ekziston sot në internet”,- pohon Isuf Kalo. Sëmundjet që janë përfshirë në këto udhëzues janë, Hipertensioni, aksidentet vaskulare cerebrale dhe Diabeti i Tipit 2. Gjithashtu edhe Anemia në Insuficiencën Renale Kronike do të jetë në udhëzuesin e mjekëve. Ndërkohë, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana pohon se është përgatitur edhe udhëzues për mjekët e familjes, në të cilin do të përfshihen 8 diagnoza. Këto diagnoza do të jenë pikërisht për Pneumoninë te adultët, Astma, infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, Urtikaria, Angioedema, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, Insuficienca e Zemrës dhe anemitë.
Zbatueshmëria
Nuk është me urdhër të prerë që mjekët t’i zbatojnë këto udhëzues por nëse mjekët do të devijojnë nga udhëzuesit klinikë, duhet të japin shpjegime pse. Kështu u shpreh drejtori i Qendrës Kombëtare të Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, i cili shpjegon se në parim, mjeku duhet t’i qëndrojë këtij udhëzuesi, sepse është një rekomandim kolektiv i bazuar nga eksperienca dhe evidenca, por nuk është urdhër, sepse mjeku përsëri do të zbatojë shkencën mjekësore, sipas rastit konkret. “Por në rast se ai devijon nga kjo, ai duhet të japë disa argumente pse”,- thekson ai, duke shtuar se kjo praktikë ndiqet edhe në vendet e tjera.
Udhëzuesit për mjekët e përgjithshëm
1. Hipertensioni
2. Aksidentet vaskulare cerebrale
3. Diabeti Tipi 2
4. Anemia në Insuficiencën Renale Kronike
Udhëzuesi për mjekët e familjes
-Pneumonia te adultët
-Astma
-Infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes
-Urtikaria
-Angioedema
-Sëmundjet seksualisht të transmetueshme
-Insuficienca e Zemrës
-Anemitë