Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë shpjegojnë arsyet se përse gjaku për transfuzion nuk e ka riskun zero
Nuk mund të sigurohet gjak i sigurt në mënyrë absolute për personat që kanë nevojë për transfuzion gjaku. Kështu, dikasteri i Shëndetësisë pas shkrimit të djeshëm për frikën që kanë prindërit e fëmijëve që kanë nevojë për transfuzion shpjegon se është e pamundur që risku të jetë zero për këta persona. “Pra “risk zero” nuk mund të arrihet kurrë për shkak të ekzistencës së periudhës dritare, periudhë nga futja e mikrobit në gjak, deri në kapjen e tij nga metoda e testimit”,- pohojnë specialistët e dikasteri të Shëndetësisë. Sipas tyre, transfuzioni i gjakut dhe i produkteve të tij, krahas efekteve pozitive që kanë në mjekimin e sëmundjeve të ndryshme, mund të shoqërohet edhe me fenomene të padëshiruara. Ndër fenomenet e padëshiruara nga transfuzioni i gjakut, është dhe transmetimi i infeksioneve virale (si Hepatiti B, V/HIV) dhe infeksione bakteriale.
Njohja e faktit që transfuzioni i gjakut sipas specialistëve është një nga rrugët e transmetimit të infeksioneve, ka bërë që OBSH dhe organizatat të tjera të shëndetit, të përcaktojnë strategji të sakta për të shtuar aksesin universal për gjak të sigurt. Këto strategji bazohen në promovimin e dhurimit të rregullt vullnetar falas të gjakut. Ndërkohë, ata theksojnë se masat e marra për të rritur sigurinë e gjakut janë testimi i detyruar i dhuruesve të gjakut për agjentët infektivë të transmetueshëm me anë të transfuzionit sa herë që ta dhurojnë gjak, si dhe promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, si gjaku më i sigurt për transfuzion. Gjithashtu është edhe përmirësimi i metodës së testimit të gjakut të dhuruesve. Aktualisht, gjaku i mbledhur testohet me metoda bashkëkohore. Ndërkohë specialistët e Shëndetësisë pohojnë se gjaku për transfuzion në spitalet publike është pa pagesë.