Premte, 22 Gusht 2008 00:54:36
    

Lexoni versionin Print

“Do t’i dhuroja vajzës gjakun tim deri në pikën e fundit”

Fytyra e njomë dhe sytë e ëmbël të japin imazhin e një engjëlli. Një engjëll që ka zënë dyert e spitalit në Pediatrinë e QSUT-së prej disa ditësh, me shpresën se do të bëhet më mirë. Është vetëm 7 vjeçe dhe arrin të kuptojë hallin e nënës dhe të familjes së saj.

Eglantina Bardhi
Marte, 08 Korrik 2008 08:13:00

 

Pacientja Emine Braka vuan nga anemia, por ka bërë vetëm tre herë transfuzion. Prindërit: Kemi frikë nga gjaku i dhuruar

 

Fytyra e njomë dhe sytë e ëmbël të japin imazhin e një engjëlli. Një engjëll që ka zënë dyert e spitalit në Pediatrinë e QSUT-së prej disa ditësh, me shpresën se do të bëhet më mirë. Është vetëm 7 vjeçe dhe arrin të kuptojë hallin e nënës dhe të familjes së saj. Emine Braka, nga Fieri, vuan nga një sëmundje anemike por mjekët pohojnë se ajo nuk ka bërë transfuzion gjaku në mënyrë të rregullt dhe kjo i ka sjellë pasoja të tjera shëndetësore. Ndërsa nëna e saj pohon se është e gatshme t’i japë gjakun e saj të bijës deri në pikën e fundit, por ka frikë t’i bëjë transfuzion gjaku nga të tjerët, pasi i trembet ndonjë sëmundjeje që mund të marrë. Madje nuk harron të detajojë edhe shpenzimet që i duhen për të kuruar të bijën. Ndërkohë mjekët theksojnë se ndeshen shpesh me prindër që kanë frikë t’u bëjnë transfuzion fëmijëve që kanë nevojë për gjak, por nga ana tjetër kjo është tepër e dëmshme për ta.

Transfuzioni

“Kam shumë frikë t’i jap gjak të huaj. Kam frikë se vajza do më marrë sëmundje të rëndë, se vjet një fëmijë nga Fieri vdiq nga SIDA që kishte marrë nga transfuzioni i gjakut”,- pohon nëna e 7-vjeçares Emine Braka. Mjaftojnë vetëm këto fjalë për të kuptuar krizën e mosbesimit që ka ky prind ndaj sigurisë së gjakut, krizë që e pengon atë t’i bëjë transfuzion të bijës. Ajo pohon se vajza e saj ka bërë transfuzion vetëm 2 herë dhe këtë vetëm kur e ka patur të domosdoshme. Ndërsa shefja e shërbimit të Pneumo-Alergologjisë në Pediatri, Luljeta Kote pohon se vogëlushja ka pësuar pneumoni dhe një ndër shkaktarët është edhe fakti se ajo nuk ka bërë transfuzion gjaku në mënyrë të rregullt. “Ka patur nevojë të marrë gjak më shpesh dhe tani po mjekohet për pneumoni”, -pohon mjekja duke shpjeguar se fakti që nuk merr gjak, bën që t’i bie hemoglobina duke sjellë edhe rënie të rezistencës së trupit. Ndërkohë, nëna e vogëlushes pohon se transfuzion ka bërë vetëm tre herë dhe vetëm kur e ka rrëzuar temperatura e lartë. “Jam e gatshme t’i jap gjakun tim deri në pikën e fundit, por t’i bëj transfuzion, kam frikë”,- thekson nëna e Eminesë.

Shpenzimet

Paguan për çdo gjë, madje edhe për sasinë e gjakut që ka marrë tre herë kur ka bërë transfuzion. Kështu nëna e pacientes shpjegon se prej 4 vitesh, shpenzon me vajzën e saj rreth 40 mijë lekë në muaj me barnat që i blen, që janë vitamina C, E dhe Acidin Florik. “Edhe kur ka bërë transfuzion gjaku në Lushnje, kemi paguar për gjakun që ka marrë edhe pse duhet të merret falas”,-pohon nëna e pacientes. Ndërkohë, ajo thekson se me të ardhurat që ka familja e saj e kanë të vështirë për të përballuar shpenzimet që i duhen për të mjekuar të bijën.

Sipas mjekëve, nëse pacientët nuk bëjnë në mënyrë të rregullt transfuzionin e gjakut, rrezikojnë shëndetin

Mjekët: Prindërit kanë krizë mosbesimi tek gjaku i dhuruar

Frikë dhe mosbesim në gjakun që duhet të marrin fëmijët e tyre. Kjo i pengon disa nga prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre për të bërë transfuzionin e gjakut. Sipas mjekëve është tepër e domosdoshme për fëmijët me anemi gjaku apo talasemi që të bëjnë në mënyrë të rregullt transfuzion, në të kundërt, kjo do të sjellë pasoja ende më të rënda për fëmijët e tyre. “Duke mos bërë në mënyrë të rregullt transfuzionin e gjakut, këtyre fëmijëve iu bie në mënyrë të vazhdueshme rezistenca e trupit, pasi ata kanë nevojë që t’u rritet hemoglobina”,- shpjegojnë mjekët specialistë, duke shtuar se çdo vonesë në marrjen e gjakut është në dëm të pacientëve. Kështu, mjekja e shërbimit të Alergo-Pneumologjisë në Pediatri shpjegon se, me rastet kur fëmijët nuk marrin gjak në mënyrë korrektë janë ndeshur disa herë. “Është e padiskutueshme që këta fëmijë duhet të marrin gjak kur iu nevojitet, në të kundërt, do t’u shfaqen sëmundje të tjera, duke iu dëmtuar akoma më shumë shëndeti”,- thekson ajo duke shtuar se prindërit, në këto raste, është mirë që ta mposhtin frikën që kanë për t’u bërë transfuzion fëmijëve të tyre. Kështu shprehen edhe mjekët e tjerë, të cilët pohojnë se prindërit nuk duhet të jenë indiferentë ndaj këtij problemi.

Zenelaj: Prindërit me të drejtë nuk kanë besim te siguria e gjakut

Të gjithë prindërit e fëmijëve që kanë sëmundje për të cilat nevojitet transfuzioni i gjakut, kanë të drejtë të frikësohen për sigurinë e gjakut. Kështu u shpreh Kryetari i Shoqatës së Talasemikëve, Musa Zenelaj, i cili thekson se siguria e gjakut që marrin pacientët e vegjël nuk ka siguri. “Mendoj se kanë ndodhur ngjarje të mjaftueshme që prindërit të humbasin besimin tek siguria e gjakut dhe e theksoj se, të gjithë prindërit kanë frikë se mos fëmijët e tyre përfitojnë ndonjë sëmundje tjetër nga gjaku i infektuar që mund të dhurohet”,- thekson Zenelaj. Sipas tij, problemi me të cilin ndeshen këta pacientë është edhe fakti që gjaku është i pamjaftueshëm dhe se fëmijët nuk marrin sasinë e nevojshme gjatë transfuzionit. Me këto mangësi, thekson Zenelaj, fëmijët talasemikë dhe fëmijë të tjerë që kanë nevojë për gjak po përballen prej kohësh dhe se ende nuk janë marrë masa për t’i dhënë fund këtij problemi madhor që po mundon këta fëmijë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

  • elida gjepali: - 07-10-08
    per vogelushen e njom qe fati e ka cuar te ajo der e zez e spitalit

    un jam nje emigrante qe jetoj ne itali.po lexoja per fatin e vajzes nga fieri dhe u preka shum..me vjen shum keq dhe per nenen se e imagjinoj se sa po vuan per fatin e vajzes...dhe qe dhe jeten po e jep qe te shpetoj vajzen....po mjeket as qe e cajn koken po vetem din sa me mar ryshfete e smbajn pergjegjsi per asgje se cfar rrezikon pacinti.po kur dalin para kamerave thon qe duhet te kurohet rregullisht,,po ata prind qe i ka mund farferija si do ja bejn fmit e tyre te vdesin???qe skan as me i bler ilacet me elementare qe i duhen fmijes..perse se ven doren ne zemer mjeket sikur te jet fmija e tyre e ta ndimojn.............po keta qeveritaret perse si marin masat qe pacientet te mos ke frik kur te shkojn me u sheruar po kan frik se mos semuren me rend.....cfar jan keta sa per te ngrohur karriken e tyre e me ber premtime bosh turp i madh.....cdo gje pa siguri...................................................................................................................ndiehemi te zhgenjyer qe degjojm akoma keto problem ne shqiperidhe me vjen shum keq.....asaj nenes i uroj qe te behet e fort..e vogelushes se njom si lule pranvere qe te sherohet sa me shpejt e te mos ta shikoj me sy ate der te zez gjith jeten e vet te rritet e lumtur e me shum fat ne jet

  • Emigranti nga Shkodra.: - 07-09-08
    Forca e shpirtit tand do ti jap jete femijes.

    Atje sot asgje nuk eshte e siguruar.Harrojeni Monizmin qe nuk guxonte njeri te luante me jeten e shendetin e femijve.Te vorfen te vorefen po te sigur per jeten.Me vjen shume keq moj nene per hallin qe te ka gjetur.Po une po te keshilloj.Mendoj se eshte nji ndihme me rruget natyrale.Te perdorish rrenje hithrash,mbasi ti kesh lare mire,ti ziesh deri ne te shterrun dhe tia japesh vajzes per te pire.Per rraporti e sasise,hithra uje do te mesoj puna vete,thirri nevojes se del ne drite.Ndihmon shume mire per cilesin dhe sasin e gjakut.Per te ftohuren, perdor zierje gjethe Dafine(Caj dafine ) si dhe caj Sharbel kjo ben qe te evitoje djersitjen,duke ruajtur mos humbjen e peshes qe eshte faktor ne rrezistencen e trupit ndaj semundjeve.Flitet se qepa duke henger nga nji kokerr te vogel(me buke,djath) ose afer mesatares ne dite per femin tuaj ben qe mbas nji jave te dyfishohen rruazat e kuqe te gjakut,si dhe fiton rrezistence ndaj te ftohurit.Ushqeje te pakten me dy pjeshka ne dite nga ato te lengeshmet.Te gjitha keto qe i thash te perdoren me korrektes mbi ushqimin e zakonshem te perditshem qe ju keni.Te perdorni lengun e zierjes se kockave te vicit,si dhe ta ushqeni me shpretka.Ju prane vajzes dhe Zoti ne qiell i dhafte jete e shendet voglushes se zemres tande.U befte 100 vjece.

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML