Sinoptikanët parashikojnë temperatura të larta deri në mesjavë. Fluks pacientësh me “goditje” dielli në Pediatri dhe urgjenca
Temperaturat e larta do të vazhdojnë të mbizotërojnë edhe këtë javë vendin tonë. Të paktën kështu do të ndodhë tre ditët e para të javës. Kështu, sinoptikanët parashikojnë ditë të nxehta dhe shpresa e vetme për vranësira mbetet vetëm mesjava. “Vendi ynë vazhdon të mbetet nën efektin e të nxehtit afrikan, ndaj kjo javë do të nisë me temperatura të larta”,- pohon sinoptikania Rezarta Xhakollari. Ndërkohë ditët e nxehta kanë shkaktuar fluks pacientësh në urgjencat e spitalit, ku më problematikët mbeten fëmijët dhe mosha e tretë.
Temperaturat
Fundjava ka shënuar temperaturën maksimale 38 gradë celsius, por kjo vetëm në hije, pasi në diell temperaturat kanë qenë gati 2 gradë më të larta, duke arritur 40 gradë celsius. Por sinoptikanët nuk parashikojnë lajme të mirë ta paktën deri në mesjavë, pasi i nxehti afrikan do të mbajë “peng” vendin tonë të paktën edhe 3 ditë. “E njëjta situatë parashikohet edhe për fillimjavën, kur shpresa e vetme mbeten vranësirat e mesjavës”,-pohon sinoptikania Rezarta Xhakollari, duke shpjeguar se kjo masë e nxehtë ajrore ka përfshire jo vetëm Ballkanin, por edhe Italinë. Ende nuk dihet se sa do të zgjasë, por temperaturat e këtyre ditëve, kanë hedhur poshtë parashikimet se kjo do të ishte një verë e freskët.
Fluks pacientësh
E ndërsa ditët e nxehta kanë filluar të pasojnë njëra-tjetrën fluksi i pacientëve ka zënë dyert e spitaleve dhe mjekët ngrenë alarmin sidomos për fëmijët. Kështu, rreth 200 fëmijë paraqiten çdo ditë në dyert e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por goditjet nga dielli kanë filluar të japin efektet negative mbi shëndetin e popullatës edhe në mosha të rritura. Këtë e dëshmon fluksi i pacientëve që paraqitet për ndihmë mjekësore në urgjencë. “Në fakt, po përballemi me fluks pacientësh, situatë kjo që përsëritet gjithmonë duke krijuar probleme. Paraqiten çdo ditë rreth 100 urgjenca, madje, ka raste edhe 150 pacientë”,- thonë mjekët. Ndërkohë mjekët pohojnë se pacientët paraqiten në gjendje të fikëti, kanë dobësi trupore, temperaturë, ethe dhe plot shqetësime të tjera, të cilat duken që janë stimuluar nga temperaturat e larta të ditëve të fundit.
Mjekët: Ja kush janë më të rrezikuarit nga “goditja” e diellit
Kujdes nga temperaturat e larta, ato mund të shkaktojnë pasoja shumë të rënda. Ky është alarmi që japin mjekët e QSUT-së, të cilët theksojnë se këshillat e mjekëve nuk duhet të neglizhohen. “Fëmijët dhe mosha e tretë janë më të rrezikuarit, për shkak të organizimit të dobët që kanë”,- pohojnë mjekët. Ndërkohë ata shpjegojnë se problematikë janë sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet kronike, ku vendin e parë e zënë sëmundjet kardiake, si më të ndjeshmet ndaj rrezeve të forta. “Nuk duhet të neglizhojnë as pacientët që vuajnë nga hipertensioni, sinoziti dhe sëmundje të tjera”,- pohojnë mjekët. Ndërkohë ata japin disa këshilla për stinën e nxehtë dhe kërkojnë zbatimin e tyre. “Për kategoritë e rrezikuara që sapo përmendëm, por edhe për gjithë popullatën, rekomandohet që të evitohet dalja në orët e pikut dhe pikërisht nga ora 11 deri në orën 17”,- theksojnë mjekët. Konsumimi i sa më shumë lëngjeve, deri në 2-3 litra në ditë dhe zgjedhja e ambienteve të freskëta, janë këshilla të tjera që duhen zbatuar në këto ditë të nxehta. Gjithashtu mjekët rekomandojnë veshjen e rrobave sa më të lehta dhe me ngjyra të hapura.
Këshilla
Të tregohet kujdes maksimal nga temperaturat e larta, për fëmijët dhe të moshuarit.
Të sëmurët me zemër dhe sëmundje të tjera kronike, të tregojnë kujdes ndaj temperaturave të larta.
Të evitohen daljet në orët e pikut nga ora 11 e mesditës, deri në orën 17.
Të përdoren veshje të lehta dhe me ngjyra të hapura.
Të konsumohen sa më shumë lëngje të freskëta, deri në 2-3 litra në ditë.
Të qëndrohet në ambiente sa më të freskëta dhe me ajër të kondicionuar.