Drejtoritë e Poliklinikave ankohen se nuk mund të bëjnë planifikim për barna dhe mjete për 1 vit
Planifikimi i medikamenteve dhe materialeve mjekësore nuk mund të bëhet në mënyrë korrekte për një vit. Ky është shqetësimi i drejtuesve të Poliklinikave, të cilët theksojnë se pas daljes së tyre me vetëfinancim, janë të detyruar të bëjnë planifikim për 1 vit, për çdo gjë që iu nevojitet. Drejtori i Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve, Përparim Laziraj, thekson se në mjekësi nuk mund bësh parashikime afatgjata për gjëra që nevojiten pasi sëmundshmëria nuk mund të planifikohet për asnjë vend. “Nuk jemi një ushtri, që të planifikojmë se sa palë këpucë apo uniforma na duhen. Në mjekësi gjërat funksionojnë krejt ndryshe, ndaj dhe duhet të rishikohet afati i planifikimit”, -pohon Laziraj duke shtuar se në poliklinikën që ai drejton, nevojat janë të ndryshme nga njëri muaj në tjetrin dhe planifikimi në mënyrë ekzakte nuk mund të bëhet. Të njëjtin shqetësim shprehin edhe drejtuesit e tjerë të poliklinikave, të cilët duhet të marrin fonde nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, pikërisht mbi ato që duhet të planifikojnë dhe meqë këto planifikime nuk mund të bëhen, kuptohet se edhe sasi e parave që tërheqin, nuk është në sasinë e nevojshme. Ndërsa drejtori i Poliklinikës Nr.7, Gjelosh Nikollaj, shpjegoi se planifikimi bëhet duke u bazuar në treguesit e një viti më parë. “Nëse vitin e kaluar për Poliklinikën më janë dashur 800 serume, atëherë më duhet të parashikoj për këtë vit rreth 900, por kjo sigurisht që nuk mund të jetë në mënyrë ekzakte”,- thekson Nikollaj. Ndërkohë, drejtorët e poliklinikave shprehën edhe shqetësimin se nuk mund të përdorin të ardhurat e tyre dytësore, për të blerë ndonjë pajisje për qendrën shëndetësore. Sipas tyre, kjo po i dëmton rëndë ata pasi në qendrat shëndetësore kanë shumë mangësia edhe për gjërat më elementare.