Zona të pambuluara me mjekë dhe shpresa të pakta që bluzat e bardha të jenë pranë banorëve për t’u dhënë ndihmë mjekësore kur ata kanë nevojë. Mungesën e bluzave të bardha në shumë zona të vendit e pohojnë jo vetëm pacientët që marrin rrugët në kërkim të shërbim larg zonave të tyre, por e pranon edhe dikasteri i Shëndetësisë. Ndërsa drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mëhill Gecaj, thekson se aktualisht një mjek familjeje mbulon rreth 2500 banorë, ndërkohë që në vendet e tjera një mjek mund të mbulojë maksimumi deri në 2000 banorë.
Zonat pa mjekë
“Në zonën ku jetoj nuk ka asnjë mjek. Larg qoftë të na ndodhë ndonjë gjë, se në këto raste i duhet t’i lutemi Zotit, pasi bluzat e bardha nuk ekzistojnë”. Kështu u shpreh Hajredin Musai nga një fshat i Kukësit, i cili theksoi se është detyruar të vijë në spitalin “Nënë Tereza” për të bërë analiza e gjithçka, pasi në fshatin ku jeton prej disa vitesh nuk është parë këmbë mjeku. Në fakt si ai ka me mijëra persona, që marrin rrugët sa herë kanë probleme shëndetësore, pasi zona ku jetojnë nuk ua ofron këto shërbime. Ndërkohë burime zyrtare pranë Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë së numri i personelit mjekësor në vendin tonë është i ulët dhe nuk ka një shpërndarje të drejtë të tyre. Sipas këtij dikasteri në 10 komuna të Dibrës, Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, janë të pambuluara me mjekë familjeje të posaçëm. “Numri i përgjithshëm i personelit mjekësor në Shqipëri, në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, është i ulët, ndërsa ka një mbipopullim të kategorive të personelit shëndetësor në zonat urbane”, pohojnë burime të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas specialistëve shëndetësia shqiptare ka trashëguar mangësi të dukshme numerike të stafit profesional, ku për 100 mijë banorë, kemi rreth tre herë më pak mjekë, dy herë më pak infermiere, dy herë më pak farmacistë dhe një herë e gjysmë më pak dentistë.
Mjekët e familjes
Të shtohet numri i mjekëve dhe sidomos mjekët e familjes pasi ka shumë mangësi. Ky është rekomandimi specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë. “Pagat e mjekëve të familjes janë mjaft të larta, por pavarësisht kësaj nevojitet shtimi i numrit të tyre. Paga për një mjek të tillë që ka mbingarkesë në zonat e thella malore shkon afro 100 mijë lekë në muaj, ndërsa kur ngarkesa e shërbimit është mesatar, paga përllogaritet deri në 73.410 lekë në muaj,- shpjegojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa sa i takon mungesës së mjekëve të familjes, të cilët ndihen gjithnjë e më shumë në shëndetësinë tonë, specialistët e lidhin edhe me faktin se numri i mjekëve që specializohen në këtë profil është shumë i vogël. “Mjekë familjeje specializohen vetëm 12 persona në vit dhe kjo shifër është shumë e vogël në krahasim me nevojat që ka popullata për mjek familjeje”,-pohojnë specialistët e shëndetësisë.
1300 mjekë të përgjithshëm janë aktualisht në vendin tonë
1500 mjekë familjeje janë gjithsej aktualisht në vendin tonë
28 module të sëmundshmërisë duhet të përvetësohen nga mjekët
12 mjekë familjeje specializohen çdo vit në vendin tonë