Shtune, 30 Gusht 2008 07:02:08

Lexoni versionin Print

Ushtaraku, kthen në punë 20 mjekët e pushuar

Sipas mjekëve që kishin marrë urdhër për të lënë vendet e punës, Gërdeci mund të ketë ndikuar në revokimin e këtij urdhri

Eglantina Bardhi
Premte, 11 Prill 2008 08:06:00


 

Sipas mjekëve që kishin marrë urdhër për të lënë vendet e punës, Gërdeci mund të ketë ndikuar në revokimin e këtij urdhri

 

Mjekët e Spitalit Ushtarak, të cilët kishin marrë njoftim për t'u larguar nga puna, janë rikthyer sërish në punë. Urdhri është dhënë nga Komanda Mbështetëse e Spitalit Ushtarak, në të cilën thuhet se do të kthehen në detyrë personeli civil i mesëm. Mjekët, të cilët kishin marrë paralajmërim, pohojnë për gazetën se janë gëzuar së tepërmi për revokimin e urdhrit që kishin marrë vetëm disa javë më parë për të lënë punën. Madje ata mendojnë se për këtë mund të ketë ndikuar edhe ngjarja e Gërdecit, të cilët treguan se dinë të menaxhojnë shumë mirë situata tragjike, duke shpëtuar jetë njerëzish. Ndërsa drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj shpjegon se mjekët duhet të plotësojnë dokumentacionin përkatës për të mbajtur vendin e punës.


Rikthimi


Urdhri i dhënë para disa javësh të më shumë se 20 bluzave të bardha për largim nga vendi i punës është zëvendësuar më datë 4.04.2008 me një revokim të këtij urdhri, duke iu dhënë mundësinë mjekëve që të ushtrojnë profesionin e tyre. "Besoj se strukturat përgjegjëse kanë reflektuar pas atij urdhri aspak normal që ishte marrë ndaj ne, mjekëve që kemi shumë vite eksperiencë. Ne jemi mjekë dhe jemi këtu në radhë të parë për t'i shërbyer pacientëve", pohon njëri nga mjekët që ishte në listë për të lënë vendin e punës. Ndërkohë, ata faktin që janë rikthyer në punë e lidhin edhe me ngjarjen e Gërdecit, pasi kanë qenë ata të parët që kanë vrapuar drejt spitalit për t'u dhënë ndihmë të lënduarve, pa menduar aspak për urdhrat që kishin marrë me shkrim që të linin profesionin e mjekut pranë këtij spitali. "Ne erdhëm menjëherë në punë dhe besojmë se kemi bërë një menaxhim shumë të mirë të situatës. Asnjë nga kolegët nuk mendoi për asnjë çast që të plagosurve të Gërdecit t'u mungonte shërbimi, por u hodhëm të gjithë drejt punës", pohon njëri nga mjekët.


Revokimi


Revokim Urdhri Nr.138, datë 4.04.2008 për rikthimin në detyrë të personelit civil të mesëm. Kështu ka qenë hyrja e çdo shkrese që iu është dhënë personelit, që kishte marrë urdhër të largohej nga puna. Më tej në urdhër shpjegohet se të drejtat financiare për këtë kategori mjekësh fillojnë më 25.03.2208. "Përgjigjen për zbatimin e urdhrit Seksioni i Financës së SUQU-së, Shefat e Shërbimit të Neurotoksikologjisë, Gastrologjisë, Fizioterapisë, Urgjencës dhe ORL-së", bëhet e ditur në shkresën që u është shpërndarë të gjitha shërbimeve, duke shtuar se për ndjekjen për zbatimin e urdhrit ngarkohen Seksioni i Personelit dhe drejtorët e drejtorive.



Mihaj: Mjekët e paralajmëruar duhet të plotësojnë dokumentacionin


Mjekët të cilët kishin marrë urdhër për të lënë vendet e punës tashmë duhet të plotësojnë dokumentet përkatëse për pensionin e parakohshëm në mënyrë që të mbajnë këto vende pune. Kështu u shpreh drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, i cili shpjegoi se kjo jo për t'i hequr nga puna, por dokumentet dërgohen tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe verifikohet nëse i kap pensioni i parakohshëm. Pas kësaj Mihaj shpjegon se drejtori i Sigurimeve Shoqërore duhet të japë një vërtetim për mjekët që nuk e marrin pensionin e parakohshëm. Për këtë drejtori i ISSH-së sipas tij duhet të hedhë firmën dhe këta mjekë fillojnë punën pranë spitalit si mjekë civil.


"Mjekët e kanë keq kuptuar nga ana ligjore këtë urdhër dhe nuk kanë bërë gati dokumentacionin për pensionin e parakohshëm. Unë sot ua dhashë të prerë që të gjithë personat ish-ushtarakë që kanë kaluar pagesën kalimtare duhet të bëjnë dokumentet e pensionit të parakohshëm, sepse për vlerat e tyre profesionale duhet patjetër drejtimi të ISSH-së që të punësohen në ato vende që kanë", pohon Mihaj, duke shtuar se Ministria e Mbrojtjes nuk mund të paguajë 2 herë të njëjtin person edhe me pension të parakohshëm edhe me rrogë civile. "Thelbi është që të bëjnë dokumentet për pensionin e parakohshëm dhe të marrin vërtetim që nuk marrin pensionin e parakohshëm dhe futen në testim për një vend pune të barasvlefshëm me civilët e tjerë",- pohon Mihaj, duke shtuar se në bazë të kritereve prioritet do t'u jepet mjekëve ish-ushtarakë.



Sipas QSUT-së sallat e transplantit të veshkave nuk janë marrë në dorëzim, pasi ato ende nuk plotësojnë standardet

QSUT: Sallat e transplatit nuk i marrim në dorëzim



Salla operatore ku do të zhvillohet transplanti i veshkave nuk është marrë në dorëzim, pasi kjo sallë ende nuk plotëson standardet e kërkuara për operacione të tilla. Këtë e pohon drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" sipas së cilës blloku operator ku do të zhvillohen transplantet përbëhet nga tre salla para dhe post operatore, dhe ambiente të tjera ndihmëse, të cilat duhet të pajisen me ajër të komprimuar dhe veshje të gomuar të mureve, që në këtë projekt nuk ekzistojnë.

"Nga projektuesit, këto salla operatore dhe ambientet ndihmëse, ishin parashikuar të visheshin me pllaka, ashtu si sallat ekzistuese, por standardet e Bashkimit Evropian kërkojnë që sallat e operacioneve ku zhvillohen transplantet duhet të jenë të veshura me material të gomuar, më qëllim që të shmanget rreziku nga infeksionet spitalore", pohojnë burime të QSUT-së, duke shtuar se pajisjet e ajrimit të sallave ishin parashikuar me ajër të komprimuar për operacione të zakonshme, por sallat e transplantit kërkojnë që ajri të ndërrohet 24 herë në çdo një orë, nga 14-16 herë për çdo orë, që është norma për sallat e operacioneve të zakonshme. Sipas tyre pajisjet që mundësojnë plotësimin e këtyre standardeve nuk kushtojnë shumë dhe Drejtoria e QSUT në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ka bërë të mundur sigurimin e fondeve shtesë, të cilat janë në proces akordimi. Ndërkohë bëhet e ditur se në QSUT ka përfunduar edhe instalimi i aparaturave të laboratorit Imunologjik, i cili bën të mundur analizimin e shkallës së përputhshmërisë së organeve që do të transplantohen. Gjithashtu stafi mjekësor dhe ndihmës sipas tyre është kualifikuar dhe një pjesë e tyre vazhdon ende të kualifikohet në spitalin e Barit të Italisë.



POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML