Hene, 08 Shtator 2008 09:05:45

Lexoni versionin Print

Infektivi, zbulohet 80-vjeçarja me SIDA

Sipas burimeve të Spitalit Infektiv, një 80-vjeçare ka rezultuar e infektuar nga virusi HIV. Nuk dihen shkaqet e infektimit

Eglantina Bardhi
Merkure, 09 Prill 2008 08:21:00

 

Sipas burimeve të Spitalit Infektiv, një 80-vjeçare ka rezultuar e infektuar nga virusi HIV. Nuk dihen shkaqet e infektimit

 

 

Rezultati i analizave pas testimit ka habitur mjekët, por më të shokuarit kanë mbetur familjarët. Askush nuk do ta mendonte se ajo është e prekur pikërisht nga virusi HIV duke u cilësuar si një rast tepër i rrallë në vendin tonë. Bëhet fjalë për një 80-vjeçare e cila është zbuluar me SIDA në Spitalin Infektiv, pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Burime pranë këtij spitali pohojnë për gazetën se nuk kanë zbuluar shkakun e infektimit të pacientes 80-vjeçare pasi janë struktura të tjera që merren me gjurmimin e rasteve të zbuluara me virusin HIV, por sipas tyre, pacientja po merr mjekimin përkatës.

E infektuara

Testi për virusin HIV e ka nxjerrë pozitive duke shokuar stafin mjekësor. Por ata që e kanë përjetuar më keq janë familjarët e saj, të cilët kurrë nuk do ta mendonin se e moshuara do të rezultonte me këtë sëmundje, duke e bërë atë që të kalonte vitet e fundit të jetës me sëmundjen e shekullit. Lajmin e kobshëm, në fakt, mjekët nuk ia kanë dhënë asaj por të afërmeve të së moshuarës, të cilët në fillim nuk kanë dashur ta besojnë. "Rezultatet e analizave ua dhamë djemve të të moshuarës, të cilët e sollën në spital",- pohojnë mjekët, duke shtuar se edhe aktualisht 80-vjeçarja është e shtruar në spital. Ndërkohë burime pranë Spitalit Infektivit pohojnë se pas rezultatit të analizave të moshuarës u janë bërë analiza edhe familjarëve të saj, por për fat të mirë nuk kanë rezultuar të infektuar. "Në fakt, ata nuk dyshuam në fillim se e moshuara mund të ishte e infektuar megjithëse paraqiste disa shenja të sëmundjes. Ishin vetëm rezultatet e analizave që vërtetuan se ajo kishte marrë virusin HIV",- pohojnë burime të Infektivit.

Shkaktarët

Nuk mund të japin asnjë përgjigje se nga mund ta ketë marrë virusin HIV 80-vjeçarja. Sipas burimeve të Infektivit, me gjurmimin e rasteve të zbuluara me SIDA duhet të merret Instituti i Shëndetit Publik pasi kjo është në kompetencat e këtij institucioni. "Në spital ofrohet vetëm shërbim shëndetësor për pacientët ndërsa zbulimi i shkaktarëve ndiqet nga specialistët e ISHP-së",- pohojnë burime të Infektivit duke shtuar se mbi infektimin e saj dyshimet mund të jenë të shumta, por shkakun e vërtetë nuk e dinë. "Ne mund të pyesim pacientët për mënyrën e jetesës dhe shqetësimet që kanë por nuk mund t'i detyrojmë të tregojnë për çdo gjë",- pohojnë burime të Infektivit, të cilët nuk tregojnë asgjë më shumë për të moshuarën fatkeqe që ka zënë dyert e spitalit në pleqëri, nga një sëmundje që as nuk e kishte menduar më parë.

Sipas specialistëve të ISHP-së, testimi i ulët ka sjellë raste në rritje të të prekurve me SIDA

Fenomeni, sëmundja po qarkullon brenda vendit

Nëse pak vite më parë sëmundja thuhej të ishte marrë nga emigrimi, tashmë sëmundja po qarkullon brenda vendit dhe po rrit numrin e të infektuarve në mënyrë të frikshme. Ky është konstatimi i specialistëve të ISHP-së të cilët, pas gjurmimit të rasteve të reja që shfaqen çdo vit, vënë re se sëmundja nuk është vetëm e importuar nga jashtë. Dukuri e re, po sipas të dhënave të fundit të ISHP-së, është shtimi i numrit të femrave të infektuara me vit me këtë virus. "Numri i femrave me HIV pozitiv ka ardhur në rritje, në mënyrë të veçantë pas vitit 2000. Femrat përbëjnë 29.5% të rasteve me HIV/AIDS në Shqipëri", pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se vlen për t'u përmendur se ky virus po prek sidomos moshat e reja dhe që vetëm këtë vit, numri më i madh i rasteve i përkasin grupmoshave 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç. Ndërkohë sa i takon numrit të fëmijëve të infektuar nga HIV/AIDS është 17, ku 12 prej të cilëve janë infektuar nëpërmjet transmetimit vertikal dhe 5 të tjerë përmes gjakut. Ndërkohë, mjekët theksojnë se testimi i ulët dhe diagnostikim pasiv kanë sjellë raste gjithnjë në rritje të të infektuarve me virusin HIV. Kjo vërehet tek të prekurit me HIV-AIDS në Shqipëri edhe pse sëmundja ka njohur përhapje të madhe dhe vdekshmëri. "Nëse pra vitit 2000 kishte 7 ose 8 raste të reja në vit të infektuarish me virusin HIV, këto 4 vitet e fundit ky numër është 3-fishuar", pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se kjo përbën një situatë shqetësuese. Megjithatë ata pohojnë se përhapja e sëmundjes, krahasuar me vendet e tjera evropiane mbetet e ngadaltë, ndërkohë që vdekshmëria sipas statistikave që nga viti '92 është 55 persona. "Ne kemi të dokumentuar shifrën 251 të të prekurve me HIV-AIDS, por mendojnë se ajo mund të jetë realisht 700 deri në 1000",- pohojnë specialistët e ISHP-së duke shtuar se dy vitet e fundit nuk janë bërë studime rivlerësimi, por ajo që mjekët kërkojnë është balanca mes parandalimit dhe trajtimit të të sëmurëve me AIDS.

251 të infektuar me SIDA janë deklaruar zyrtarisht në vendin tonë deri në fund të vitit 2007

100 të infektuar mendohet të ketë me SIDA në vendin tonë. Sipas specialistëve, shkalla e testimit është tepër i ulët

Çfarë është SIDA

SIDA, do të thotë Sindroma e Imunodeficencës së Fituar. Një person ka SIDA nëse është i infektuar me virusin HIV dhe ka zhvilluar një ose disa sëmundje të rënda, si pasojë e dobësimit të imunitetit. Nuk ka shërim për SIDA-n dhe nuk ka vaksinë për ta parandaluar atë.

Ekipi i Marsejës, fonde për "Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë"

Vetëm 3 ditë më parë, pikërisht me datë 6 Prill, ditën që u zhvillua ndeshja mes dy skuadrave prestigjioze franceze, Lioni me Olimpikun e Marsejës, Shqipëria ishte sërish në fokus të ngjarjeve. Përfaqësues nga Fondacioni "Domenick Scaglione" kanë qenë prezentë në atë takim të rëndësishëm pasi një pjesë e të ardhurave nga kjo ndeshje do t'i kalonte për bamirësi këtij Fondacioni. Vetëm pak muaj më parë, kur Lorik Cana kish vizituar Fonacionin e Fëmijëve Shqiptarë në Tiranë, i kishte premtuar zonjës Liri Berisha, presidentes së Fonacionit, se së shpejti do të kontribuonte në ndihmë të fëmijëve shqiptarë. Pasi kishte mundësuar pajisjen e një prej qendrave të ngritura nga ky Fondacion me mjete elektro-shtëpiake, dëshira dhe vullneti i tij i mirë për shqiptarët ka shkuar edhe më tej, pasi kapiteni i ekipit të Marsejës nuk e ka pasur aspak të vështirë t'i bindë miqtë dhe kolegët për rëndësinë e kësaj iniciative, që kjo ndeshjet të luhej si mision në ndihmë të këtyre fëmijëve.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML