Sipas zv/ministrit të Shëndetësisë, Ivanai, specialistët po trajnohen për të parandaluar shpërthimet epidemike të gripit të shpendëve
Forcim i shkallës së përgatitjes dhe aftësisë së specialistëve shqiptarë për të përballuar shpërthime epidemike të gripit të shpendëve në popullatat e kafshëve dhe shpendëve, por edhe kalimi i H5N1 nga këto të fundit, tek njeriu. Ky ishte qëllimi i aktivitetit të djeshëm, "Ushtrimi në tavolinë mbi situata të improvizuara të gripit të shpendëve në shpendë dhe njerëz", organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë, USAID dhe Organizata Botërore e Shëndetit. Sipas zv/ministrit të Shëndetësisë, Arban Ivanaj, përgjegjësia ndaj kësaj sëmundjeje ka ardhur duke u rritur në sistemin shëndetësor dhe atë veterinar, që nga koha kur u shfaq rasti i parë në Shqipëri (në mars të 2006 në fshatin Çukë të Sarandës). Sipas tij, në kuadër të angazhimeve për parandalimin e gripit të shpendëve dhe mbrojtjes së shëndetit të popullatës, qeveria shqiptare ka krijuar një mekanizëm koordinues ndërsektorial të përfaqësuar nga Task-Forca shtetërore dhe ka hartuar një program të veçantë, për marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së virusit H5N1. Ndërhyrjet në këtë kuadër, sipas tij, mbështetet edhe nga partnerët ndërkombëtarë si OBSH, UNICEF, PNUD, USAID dhe Banka Botërore. "Që nga koha e konfirmimit të rastit të parë të gripit të shpendëve në Shqipëri (në mars të 2006, në fshatin Çukë të Sarandës), përgjegjësia ndaj kësaj sëmundjeje ka ardhur duke u rritur edhe në sistemin shëndetësor dhe atë veterinar. Nga koordinimi i strukturave tona në ministritë përkatëse, ky sistem është i garantuar",- tha Ivanaj, sipas të cilit, gjatë këtyre dy viteve është kryer survejanca e strukturave përkatëse e gripit nëpërmjet prevalencës së gripit në komunitet, me risk për gripin e shpendëve në komunitet, si dhe është forcuar survejanca aktive, duke u bazuar në rastet e konfirmuara.