Projektligji për sektorin e Stomatologjisë parashikon që stomatologët të shkëputen nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë dhe të krijohet Urdhri i Stomatologëve. Por në fakt kjo është kundërshtuar nga Urdhri i Mjekut, duke e argumentuar atë si të panevojshëm pasi asnjë vend i Bashkimit Evropian nuk i ka të ndarë mjekët nga stomatologët. Sipas presidentit të UMSH-së, Din Abazi, institucionit që ai drejton nuk i është marrë asnjë mendim për shkëputjen e stomatologëve. "Ne kemi ndjekur modelin polak sa i takon Shëndetësisë, pasi ai mbahet si modeli më i mirë për shëndetësinë për vendet ish-komuniste dhe sipas këtij modeli stomatologët janë të anëtarësuar në Urdhrin e Mjekut, ndaj nuk e kuptojmë se përse duhet të bëhet një ndarje duke pasur parasysh se numri i stomatologëve në vendin tonë është rreth 2 mijë",- pohon Abazi, duke shtuar se nëse stomatologët kanë ndonjë pretendim ndaj Urdhrit të Mjekut, atëherë duhet që t'ua bënin të qartë para se të bëhej projektligji. Ndërkohë ia pohon se në lidhje me këtë i kanë kërkuar shpjegime edhe Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kjo e fundit duhet të bashkëpunojë me Urdhrin e Mjekut për problemet shëndetësore. Gjithashtu, Dian Abazi pohon se Urdhri i Mjekut synon të arrijë vetërregullimin profesional, por kjo arrihet duke bashkëpunuar të gjitha strukturat shëndetësore. Sipas tij, UMSH-ja në radhë të parë synon të mbrojë pacientin pasi kjo është edhe detyra kryesore e këtij institucioni.