Pacientët rrezikojnë të mos marrin barnat e rimbursueshme për shkak të mungesës së blloqeve të recetave të rimbursueshme në poliklinika. Madje në 2 poliklinika të kryeqytetit ky problem, sipas mjekëve të familjes, ka qenë evident prej disa ditësh. Ndërkohë drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Mëhill Gecaj pohoi se ka sinjale për këtë problem, por nuk është në kompetencate institucionit që ai drejton për të furnizuar poliklinikat me blloqe për recetat. "Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor është institucioni përgjegjës për furnizimin me receta për të gjithë mjekët e familjes",- pohon ai. Ndërsa drejtorët e poliklinikave të Tiranës bëjnë të ditur se Drejtoria Rajonale e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka shpërndarë një udhëzim, sipas të cilit, në mungesë të recetës së rimbursueshme, mjekët duhet t'ua shënojnë pacientëve barnat në recetën gjysmë të rimbursueshme. Ndërkohë bëhet e ditur se shkak për mungesën e blloqeve me recetat e rimbursueshme është fakti se ende nuk është bërë tenderi për këto blloqe.
Mungesat
Ndonëse i panjohur si problem tashmë mjekët e poliklinikave dhe pacientët duket se do të përballen me mungesën e fletëve të recetës së rimbursueshme, dhe si pasojë edhe të medikamenteve të rimbursueshme. Megjithëse disa nga poliklinikat kanë pasur furnizime dhe po punojnë pothuajse me fletët e fundit të recetave, në disa poliklinika ky problem ka trokitur seriozisht. "Në fakt unë kam rezerva me receta edhe për disa ditë, por disa nga kolegët e mi e kanë hasur këtë problem",- pohoi njëri nga shefat e poliklinikave të kryeqytetit. Sipas tij mungesa e recetave do të sjellë një anomali në punën e përditshme të mjekëve, por problemi do të ishte më i madh për pacientët të cilëve u rrezikohet dhënia e medikamenteve të rimbursueshme, dhe kjo thekson ai do të ndodhë kur t'u vijë fundi recetave të rimbursueshme dhe gjysmë të rimbursueshme. Ndërkohë ai shpjegoi se shumica e recetave të rimbursueshme jepen për pensionistët dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Udhëzimi
Të ndodhur përballë krizës së mungesë së recetave të barnave të rimbursueshme, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për Tiranën ka shpërndarë një udhëzim për të gjitha poliklinikat. Në bazë të këtij udhëzimi të gjithë mjekëve që u janë mbaruar blloqet me recetat plotësisht të rimbursueshem, me anë të një shënimi të veçantë duhet t'ua shënojnë barnat në blloqet me receta gjysmë të rimbursueshme. Megjithatë DRASKSH-ja sipas mjekëve nuk ka marrë fare në konsideratë faktin se edhe blloqet e recetave gjysmë të rimbursueshem janë drejt fundit, dhe ky është vërtet problem serioz. "Nuk na ka ndodhur të kemi probleme të kësaj natyre. Megjithatë duhet të theksojmë se ky është vërtet serioz, pasi shkaktohen anomali në punën tonë të përditshme, ndaj duhet të merren masa sa më shpejt për furnizimin e rregullt me receta të rimbursueshme",-pohoi njëri nga mjekët e poliklinikave.
ISKSH heq tarifën, por tashmë mungon receta e rimbursueshme
Pas premtimit për heqjen e tarifës së barnave të rimbursueshme nga drejtuesit e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, duket se tashmë ka dalë pikërisht problemi i mungesës së recetës së rimbursueshme. Megjithëse ende nuk dihet se si do të zgjidhet ky problem nëse nuk do të ketë furnizime me receta të rimbursueshme, tashmë fakt është se ende nuk është bërë tenderi për blloqet e recetave. Megjithatë vlen për t'u përmendur se deri tani, sipas mjekëve, pacientët nuk kanë mbetur pa medikamente të rimbursueshme. Ndërkohë ata pohojnë se nëse do të vazhdojë kjo situatë shumë shpejt do të jenë përballë një anomalie që do të pengojë shumë punën e tyre.