Kryetari i PDK-së i kërkon PD-së që të përfshijë në Kod korrektimin kombëtar të votave
TIRANË- Në mungesë të një bashkëpunimi mes Partisë Demokratike dhe partive të koalicionit qeverisës për reformën zgjedhore, demokristianët kanë kërkuar mbledhjen e tryezës së djathtë, me qëllim unifikimin e qëndrimeve për Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje se mazhoranca ka përgjegjësinë kryesore dhe është detyrim i saj kushtetues, që të hartojë dhe miratojë një ligj zgjedhor që garanton zgjedhjet e lira dhe shprehjen e vullnetit politik të qytetarëve në mënyrë të padeformuar, siç ka edhe përgjegjësinë kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve brenda standardeve demokratike dhe afateve kohore kushtetuese.
“Ne si pjesë e rëndësishme e kësaj maxhorance kërkojmë mbledhjen e menjëhershme të tryezës së kryetarëve të partive të koalicionit të djathtë, ku të diskutohet për reformën zgjedhore dhe të unifikohen qëndrimet e të gjitha partive pjesëmarrëse në këtë maxhorancë. Konsultimi për reformën zgjedhore vetëm me PS-në, për ne është i papranueshëm dhe në dëm, jo vetëm të standardeve të ligjit zgjedhor, por edhe të vetë maxhorancës”,- tha Ndoka. Kryetari i demokristianëve theksoi gjithashtu se në ligjin zgjedhor duhet të përfshihet korrektimi kombëtar i votës (një kërkesë kjo që do të paraqitet edhe në tryezën e djathtë), sepse vetëm kështu, sipas tij, do të garantohet barazvlefshmëria e çdo vote.
“PDK pret dhe shpreson që nëpërmjet unifikimit të qëndrimeve të partive të maxhorancës dhe bashkëpunimit konstruktiv me opozitën, të arrijmë të miratojmë ligjin zgjedhor, para mesit të tetorit, kur pritet të publikohet raporti i Bashkimin Europian për Shqipërinë, duke treguar kështu angazhimin dhe seriozitetin tonë në përmbushjen e atyre standardeve që rrjedhin nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO”,- tha ai.