Ministria e Jashtme i bashkohet qëndrimit të vendeve të tjera lidhur me njohjen e Abkhazisë dhe Osetise së Jugut
TIRANË- Ministria e Punëve të Jashtme ka dënuar dje përmes një deklarate zyrtare vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë të dy rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Në deklaratën e saj, Ministria e Jashtme e konsideron këtë hap “të pajustifikueshëm, të papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të votuara edhe nga vetë Rusia”.
Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme argumenton se nuk mund te hiqet asnjë paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. “Argumente të panumërta historike, shkencore e juridike dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk shërben e as nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera as në rajon, as jashtë tij”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Diplomacia shqiptare shpreh mbështetjen e plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë dhe i bashkohet thirrjes drejtuar Moskës zyrtare që në mbështetje të të drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të sigurisë europiane, të rishikojë vendimin e saj për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, pasi vetëm kështu i kontribuohet paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.