Demokristianët reagojnë për shkarkimet që po u bëhen njerëzve të tyre
TIRANË- Demokristianët i kërkojnë Partisë Demokratike që të respektojë marrëveshjen e nënshkruar mes tyre dhe të shkëputet nga praktikat e vjetra të mentalitetit komunist. Sekretari Politik i Partisë Demokristiane, Lazër Stani, ka deklaruar se PD duhet t’i kthehet bashkëpunimit të hapur dhe të sinqertë me PDK-në për të ndaluar tashmë shkarkimet e paligjshme që, sipas tij, po u bëhen njerëzve të kësaj partie.
Stani i është referuar pikërisht Ministrisë së Shëndetësisë, që e drejtuan prej gati një viti, ku, sipas tij, drejtuesja e re e këtij dikasteri, Anila Godo, ka ndërmarrë një fushatë shkarkimesh ndaj njerëzve të PDK-së.“Këtyre zyrtarëve dhe nëpunësve të shërbimit civil u bëhen presione për dorëheqje, dhe kur kjo refuzohet, u bëhen kërcënime nga më të ndryshmet, në kundërshtim të hapur me ligjin. SMS-të e dërguara nga ministrja edhe gjate fundjavave, ku u kërkohet dorëheqje zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtuesve të institucioneve, janë një ogur i keq për reformën në shëndetësi dhe shprehin një mentalitet primitiv në qeverisje”,- tha ai.
Sekretari politik i PDK-së i ka kërkuar PD-së që të reflektojë lidhur me situatën e krijuar. “PDKi kërkon partisë në pushtet dhe kryeministrit Berisha të mos përdorë pushtetin kundër një partie politike legjitime, të cilën me gojën e tij e ka quajtur nëntë muaj më parë në përvjetorin e themelimit të PDK-së, “parti të vlerave njerëzore dhe hyjnore” dhe e vlerësoi lart kontributin e saj për demokracinë, qeverisjen e vendit dhe reformat. Ne i kërkojmë gjithashtu kryeministrit dhe segmenteve të pushtetit të kontrolluara prej tij, të ndalin përndjekjen politike të demokristianëve, akt ky që na kujton luftën kriminale të klasave dhe urrejtjen patologjike të diktatorit për kristianët e Shqipërisë dhe Europën”,- tha ai.