Ambasadori ka “sfiduar” realitetin dhe shprehu vullnetin e OSBE-së për të asistuar në vend
TIRANË- Pavarësisht kërkesës së qeverisë shqiptare për kufizimin e mandatit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), kjo e fundit është e vendosur që të vazhdojë misionin e saj në Shqipëri ashtu si edhe më parë. Sikur të mos kishte ekzistuar nja debat i tillë asnjëherë, kreu i këtij misioni në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch ka “sfiduar” realitetin dhe ka shprehur vullnetin e OSBE-së për të asistuar edhe Kuvendin e Shqipërisë në përmirësimin e punës së vet ligjvënëse.
I pranishëm dje gjatë ceremonisë së dorëzimit të diplomës së Masterit për njërën nga studentet shqiptare, që ka kryer studimet në “College of Europe” në Belgjikë, në prani edhe të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, ka përcjellë një mesazh të qartë qeverisë shqiptare se organizata që ai përfaqëson në Shqipëri dëshiron të vazhdojë punën e saj në të gjitha fushat për të cilat është mandatar, dhe jo vetëm në reformën zgjedhore apo atë në drejtësi siç edhe parashtrohet në kërkesën që Ministria jonë e Jashtme i ka bërë ministrit të jashtëm Finlandez Sttub, i cili është edhe kreu i radhës së OSBE-së. “Për të arritur standardet ndërkombëtare parlamentare prezenca e OSBE-së është e gatshme të ofrojë mbështetje të vazhdueshme me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë”, - tha Bosch.
Ndërkohë kryetarja e Kuvendit duke folur gjatë këtij takimi ka bërë një prezantim për të pranishmit në lidhje me rolin që ka luajtur institucioni i Kuvendit në realizimin e reformave të domosdoshme integruese. Duke i njohur studentët dhe të ftuarit e pranishëm me pozicionimin qëndror tëKuvendit të Shqipërisë në jetën politike shqiptare, Kryetarja Topalli tha se, të gjitha këto iniciativa që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, kanë bërë që Parlamenti dhe parlamentarizmi të ridimensionohen në të gjitha fushat, duke filluar nga ajo infrastrukturore dhe duke përfunduar në vendimmarrjet në seancat plenare.