Kryeministri takon Pollon dhe Shehun. Beja, ministri i ri i Arsimit. Gati edhe zëvendësimi i Ndokës
TIRANË- Për të zhvendosur vëmendjen e opinionit të gjerë nga fjalori që përdori një natë më parë në sallën e Parlamentit, kryeministri Sali Berisha inicioi në mënyrë të rrufeshme ndryshimet në kabinetin qeveritar. Ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve dhe ministrave ishte në gjumë për shkak të seancës parlamentare që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Berisha po i jepte zgjidhje një tjetër çështjeje. Ai propozoi Genc Pollon, në postin e zv/kryeministrit, ndërsa Fatos Bejën në detyrën e Ministrit të Arsimit. Po ashtu shefi i qeverisë propozoi vajzën e republikanit Sabri Godo, Anilën, në postin e Ministrit të Shëndetësisë, ndërsa Nard Ndoka dhe demokristianët mbetën jashtë ekzekutivit deri në lëvizjet e orëve të vona të mbrëmjes së djeshme.
Negociatat
Ndërsa prej javësh dhe muajsh, zërat publik brenda të djathtës ishin shtuar për ndryshime në qeveri, vetë Berisha u mor seriozisht vetëm dje me lëvizjet në kabinet. Pas mesdite, atëherë kur thuajse shumica e deputetëve të PD-së prisnin surpriza vetëm në muajin Shtator, ai priti në selinë e Kryeministrisë, kryetarin e PDR-së, Genc Pollo dhe nënkryetarin e kësaj partie, Tritan Shehu. Gjatë bisedës, Berisha i propozoi Pollos postin e Nr.2 të qeverisë, pas 3 vjetësh në detyrën e Ministrit të Arsimit. Pollo, i cili ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës gjatë kohës që ai ishte President, e ka pritur ofertën për të qenë tashmë zëvendësi i tij në qeveri. Pas kësaj lëvizjeje, Kryeministri ka zëvendësuar menjëherë Pollon, në Ministrinë e Arsimit, me Fatos Bejën. Ky i fundit, gjatë takimit që Pollo po zhvillonte në Kryeministri, po votonte në mbledhjen e Byrosë Parlamentare, pro marrjes së masave ndëshkuese ndaj deputetit Taulant Balla. Fatos Beja është nën/kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Shëndetësia
Ndërsa kandidaturën e republikanëve për Ministrinë e Shëndetësisë, shefi i qeverisë e ka pasur gati. Anila Godo ishte kandidatura e PR-së për të zëvendësuar Nard Ndokën. Por ky i fundit, deri dje në mesditë nuk ishte në dijeni të lëvizjeve të Kryeministrit. Madje Ndoka, si kryetar i një prej partive kryesore aleate të PD-së, nuk kishte pasur asnjë bisedë me Berishën. Kjo situatë paralajmëronte deri dje në mbrëmje, mbetjen jashtë qeverisë të demokristianëve, ndërsa lëvizja e shefit të qeverisë u bë një ditë pas krijimit të grupit parlamentar të “Qendrës”, ku në shumicë janë deputetët e përjashtuar nga PS, të cilët nuk e kanë fshehur mbështetjen që do i japin qeverisë së djathtë më vota në Parlament.