Komisioni i Ligjeve pritet të marrë në shqyrtim brenda javës 6 dekretet e Topit për Gjykatën e Lartë
TIRANË- Odiseja e dekreteve të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për anëtarë të Gjykatës së Lartë pritet që të përfundojë brenda kësaj jave. Këtë garanci e ka dhënë dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja. Edhe pse afati i dorëzimit të të dhënave nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka përfunduar dje, mësohet se nga këto institucione janë dërguar të dhëna vetëm për dy nga dekretet e Presidentit të Republikës. Për këtë arsye, dekretet në fjalë, pritet që të shqyrtohen nga dita e nesërme. “Sot, sipas afatit, presim nga institucionet, të dhënat për veprimtarinë e kandidatëve të dekretuar nga Presidenti dhe mbi bazën e tyre ne do të fillojmë shqyrtimin. Çdo kandidat i dekretuar nga Presidenti duhet të plotësojë kushtet ligjore dhe më pas të votohet nga Kuvendi”,- tha Beja. Më 8 korrik, Presidenti i Republikës shpalli kandidaturat e Andi Çelikut, Arjana Fullanit, Guxim Zenelajt, Majlinda Andreas, Evelina Qirjakos dhe Aleksandër Muskajt, për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
Debati
E ndërsa mazhoranca është në pritje të të dhënave nga institucionet e drejtësisë, një tjetër debat që pritet të lindë në Komisionin e Ligjeve është pikërisht mënyra se si do të trajtohen dekretet e Topit, si kandidatura, apo si emërime në detyrën e gjyqtarit. Pak ditë më parë, deputeti i PS-së, Arben Malaj deklaroi se në rastin e dekreteve të Presidentit është i panevojshëm verifikimi i imtësishëm nga ana e Kuvendit, kjo për shkak se një proces të tillë e ka kryer më parë vetë kreu i shtetit. Sipas Malajt, Kuvendi nuk mundet që dekretet e Presidentit t’i konsiderojë si kandidatura të thjeshta, pasi ato nuk janë propozime, por emërime në detyrën e gjyqtarit. “Pra, procesin e verifikimit të figurave në këtë proces e ka bërë Presidenti dhe ai kërkon thjesht pëlqim. Në këtë rast nuk është e nevojshme dhënia e pëlqimit të tillë, që Parlamenti të krijojë alibi për ta zgjatur këtë krizë institucionale të vendit”, - u shpreh Malaj pak ditë më parë. Ndërkohe që krejt ndryshe e sheh kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja. “Është e qartë që emri i dekretuar duhet të marrë votën e Kuvendit, pasi ndryshe mbetet kandidat'',- tha Beja, ndërkohë që për mënyrën e interpretimit si kandidatura apo si emërime janë ndarë edhe deputetët e Komisionit të Ligjeve, në rrugë jozyrtare.
Rregullorja
Me ndryshimin e Rregullores do të jetë përsëri Komisioni i Ligjeve ai që brenda tre javësh duhet të shprehet mbi 6 emrat që tashmë i ka dekretuar Presidenti i Republikës, çka do të thotë që deri më 28 korrik, legjislativi duhet të votojë për të plotësuar vakuumin disamujor në Gjykatën e Lartë. Sipas nenit 111, pika 6 e saj, Kuvendi do zhvillojë seanca dëgjimore për secilin kandidat të propozuar dhe do të marrë, natyrisht, në shqyrtim dhe plotësimin e kërkesave ligjore që duhet të plotësojë një anëtar i Gjykatës së Lartë. Në rast se gjatë këtij shqyrtimi do të ketë mangësi ligjore, Rregullorja parashikon që komisioni përkatës të hartojë një relacion, të cilin Kryetarja e Kuvendit do t’ia drejtojë Presidentit të Republikës si propozues i kandidaturave, ku do ta vërë në dijeni atë për problemin e vërejtur.
Ligji për pastërtinë e figurës, ende pezull
TIRANË- Një tjetër çështje për të cilën anëtarët e Komisionit të Ligjeve pritet që të japin një përgjigje, është edhe drafti i përgatitur nga Partia Demokratike “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. Anëtarët demokratë në Komisionin e Ligjeve deklaruan dje se ky draft do të kalojë për shqyrtim, në pritje të ndonjë përgjigjeje nga PS edhe pse kjo e fundit në fakt, qëndrimin e saj e bëri publike në mbledhjen e fundit të komisionit, kur u diskutua për këtë çështje. Megjithatë demokratët, përpos qëndrimit të shprehur, deklaruan se pjesë e axhendës së punës këtë javë do të jetë edhe projektligji, edhe pse në mënyrë të rezervuar nuk dhanë një përgjigje konkrete nëse do të kalonin të gjitha nenet. Pak ditë më parë OSBE kërkoi që një ligj i tillë të mos kalonte pa miratimin e forcave të tjera politike.
Ajo çka i ndan dy partitë kryesore për këtë çështje nuk është pak. PS mendon se personat që i janë nënshtruar një herë verifikimit nëpërmjet ligjeve të mëparshme nuk duhet të verifikohen sërish, ndërsa PD mendon se duhet të verifikohen. Sipas logjikës së PD-së, nëse një person është kontrolluar dhe ka dalë i pastër nuk ka pse të mos kontrollohet përsëri. Demokratët mendojnë se të gjithë personat që mbajnë një post të caktuar dhe gjatë kontrollit rezultojnë të implikuar me dosje, atëherë atyre duhet t’i ndërpritet mandati dhe të largohen nga puna. Qëndrimi i PS-së është se mandatet kushtetuese nuk mund të kufizohen dhe ndërpriten, pasi diçka e tillë është antikushtetuese.