PR ka përjashtuar disa dikastere nga kërkesa e tyre për qeverisje, ndërkohë që brenda PD-së shtohen zërat për ndryshime njerëzish
TIRANË- Republikanët i kanë lënë në tryezë kryeministrit Sali Berisha listën me dikasteret që ata kërkojnë, ndërsa duket se e kanë vënë në vështirësi shefin e ekzekutivit me disa nga aleatët e tij të rëndësishëm. Në listën e institucioneve të PR-së është Ministria e Shëndetësisë që drejtohet nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ajo e Arsimit që drejtohet nga kryetari i PDR-së, Genc Pollo, si edhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që e ka PBDNJ. Por mes ministrive të preferuara është edhe ajo e Bujqësisë dhe e Drejtësisë. Ndaj duket se Berisha nuk e ka edhe aq të lehtë kompozimin e kësaj here të kabinetit që drejton prej vitit 2005, duke marrë parasysh edhe zërat brenda vetë Partisë Demokratike.
Aleatët
Kërkesa e Partisë Republikane për t’u futur me çdo kusht në qeveri ka vënë në lëvizje jo vetëm eksponentë brenda PD-së, por edhe vetë aleatët. Madje pozicionet e këtyre të fundit në qeverisje janë më të lëkundurat, kur bëhet fjalë për të plotësuar kushtin e republikanëve për të drejtuar një dikaster me peshë. Pikërisht nga përfaqësimi i aleatëve në qeverisje kanë filluar edhe kërkesat e Partisë Republikane, duke u konsideruar për nga e djathta, si partia e dytë më e madhe. Burime nga PD deklaruan dje për gazetën se republikanët, prej disa ditësh, ia kanë vënë syrin pikërisht ministrive të drejtuara nga aleatët. Madje gjatë takimeve të zhvilluara me kryeministrin Sali Berisha, ata kanë lënë të kuptojnë se kërkojnë Ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë dhe atë të Punës dhe Çështjeve Sociale.
Ministritë e PD-së
Ka disa ministri të cilat PR i ka përjashtuar kategorikisht nga lista për t’u përfaqësuar. Kështu, mësohet se PR nuk ka kërkuar në asnjë prej takimeve, dikasteret e rëndësishme si ajo e Ekonomisë, në të cilën ata përfaqësohen me një zv-ministër, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme por as edhe Ministria e Integrimit. Ndërkohë, brenda PD-së, akuzat dhe debatet janë publike. Ministri i Ekonomisë dhe ai i Financave, Ridvan Bode, po akuzojnë njëri-tjetrin. Po ashtu, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj i kërkoi Berishës të largojë Boden nga qeveria, pasi, sipas tij, Ministri i Financave e ka futur PD-në në konflikt me biznesin. Me këto ndryshime, Berisha pritet të rikthejë edhe zv/kryeministrin, pasi e mbajti për muajsh bosh që pas emërimit të Oketës në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Ndaj, ndryshimet kësaj here duket se nuk janë aspak të lehta. Zërat brenda PD-së thonë se ndryshimet duhen rrënjësore, pasi kjo qeveri do të shërbejë në vitin e fundit deri në zgjedhje. Megjithatë, nëse do t’i referohemi kërkesave të PR-së, por edhe atyre brenda PD-së, një gjë është e qartë; se në sitën e ndryshimeve përfshihen thuajse të gjitha ministritë, ndaj, përpos dëshirës apo këmbënguljes që mund të kenë dy partitë në fjalë, kryeministri Sali Berisha, ashtu siç ndodh rëndom, do të ketë të drejtën ekskluzive për të marrë vendimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje.
Ministritë që përfshihen në kërkesat e PR-së:
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Bujqësisë
Ministria e Arsimit
Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Përjashtohen nga lista e PR-së
Ministria e Jashtme
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Ministria e Financave
Ministria e Integrimit
Ministria e Brendshme
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit