Shtune, 30 Gusht 2008 06:31:39

Lexoni versionin Print

Ndoka: Pse PR kërkon postin e Ministrisë së Shëndetësisë

Zoti Ndoka, kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fund të korrikut, kohë në të cilën përfundon sesioni parlamentar, periudhë kjo kur kryeministri Berisha do të bëjë ndryshimet në qeveri për të përfshirë Partinë Republikane.

Intervistoi: Nevila Perndoj
Hene, 21 Korrik 2008 08:23:00

 

Intervistë me kryetarin e PDK-së dhe ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka, rreth ngjarjeve të fundit politike

Zoti Ndoka, kanë mbetur edhe 10 ditë deri në fund të korrikut, kohë në të cilën përfundon sesioni parlamentar, periudhë kjo kur kryeministri Berisha do të bëjë ndryshimet në qeveri për të përfshirë Partinë Republikane. Një ndër portofolet e rëndësishme në kabinet që PR kërkon është edhe Ministria e Shëndetësisë. Do të pranonit një lëvizje të PDK-së për hir të hyrjes së PR-së në qeveri?

Hyrja e PR-së në qeveri nuk ka asnjë lidhje me PDK-në, siç nuk pati lidhje dalja e PR-së nga qeveria. Me sa duket PR-ja ka përfshirë në listën e ministrive të saj të preferuara edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ngaqë pati sukses dhe u tregua jashtëzakonisht eficiente në ditët e tragjedisë së Gërdecit. Është e drejta e kësaj partie që t’i vërë syrin çdo ministrie, pasi pretendon se mund të ofrojë qeverisje ekspertësh, pasi me sa duket ka krijuar një eksperiencë të hidhur me politikanët. Unë personalisht nuk jam për qeverisje teknike, jam për qeverisje politike, si në çdo vend tjetër me demokraci të konsoliduar. Nga ana tjetër, unë besoj se nëse do të këtë ndryshime në qeveri, PDK-ja do të jetë pjesë e qeverisjes për shkak të performancës së saj politike dhe elektoratit që përfaqëson. PDK, siç e kam deklaruar edhe herë të tjera, e shikon pushtetin si përgjegjësi, jo si privilegj. Ne si forcë politike jemi të përgatitur që t’i ushtrojmë përgjegjësitë tona, duke kontribuar në të gjithë hapësirën demokratike të krijuar në këtë vend, pra jo vetëm në qeverisje. PDK, mund të them me bindje se, është e vetmja forcë politike që ka një identitet të qartë, përfaqëson një sistem vlerash të sprovuar, jo vetëm në Shqipëri, po në mbarë Europën demokratike, është një forcë politike që gëzon mbështetje dhe respekt, si brenda dhe jashtë vendit. Nga kjo pikëpamje, jemi ndoshta e vetmja forcë politike që nuk vuajmë nga kriza e identitetit, siç vuajnë shumica e partive këtu tek ne.

Debati mediatik për ndryshimet në qeveri ka risjellë në qendër këto ditë edhe peshën e aleatëve të PD-së. Sabri Godo kritikoi Kryeministrin se mban në ekzekutiv PDR-në e Pollos dhe PAA-në e Xhuvelit, parti të cilat nuk kanë elektorat. Mendoni se duhet parë edhe pesha elektorale e aleatëve në prag të këtyre ndryshimeve?

Ne duhet të jemi më të matur në gjykimet tona. Duhet të shmangim reagimet me nervozizëm, të ndikuar nga emocione të momentit. Nuk është koha tani të gjykojmë se ky apo ai aleat është i panevojshëm. Mendoj se kjo maxhorancë është përballë sfidave të reja, në këtë vit të fundit të mandatit të saj. Pikërisht për këtë unë jam që bashkëpunimi midis partive pjesëmarrëse në koalicion të forcohet, të bëhet më eficient, në të mirë të qeverisjes së vendit dhe të realizimit të programit tonë politik. Pastaj, nëse gjykojmë për PDR-në apo PAA-në do të jenë zgjedhjet e ardhshme ato që do të verifikojnë peshën e tyre elektorale. Ne nuk mund të paragjykojmë asnjërën prej partive pjesëmarrëse në koalicion, ndërkaq është e drejtë e Kryeministrit që të gjykojë për kontributin e secilës parti në qeverisjen e vendit. Tkurrja e koalicionit në këto momente nuk i shërben as forcimit të qeverisjes dhe as fitore së PD-së në zgjedhjet e ardhshme.

A duhet të ketë konsultime Berisha me kryetarët e partive aleate para se të bëjë ndryshimet në qeveri? Tryeza e partive aleate qeverisëse nuk funksionon prej shumë kohësh.

Është normale, nëse bëhet fjalë për ndryshime që prekin marrëveshjet e nënshkruara me aleatët. Por edhe nëse këto ndryshime nuk cenojnë marrëveshjet, mirë është të konsultohemi, të arrijmë në përfundime të përbashkëta, që të gjithë bashkërisht të investojmë energjitë tona për të realizuar vendimet që marrim. Unë kam kërkuar prej kohësh që kjo tryezë të funksionojë, edhe për çështje më pak të rëndësishme. Për fat të keq, PD ia rrit përgjegjësitë vetes duke marrë vendime të njëpasnjëshme dhe duke e mbështetur suksesin e vendimeve të veta, në konsensusin e lidershipit të PS-së. Ky nuk është as sukses dhe as standard i ri demokracie. Ne si parti, jemi parti e dialogut, parti e tolerancës dhe e mirëkuptimit, por politikën e bazojmë mbi vlera, jo mbi pazare. Pikërisht për këtë kemi kërkuar dhe kërkojmë që për reforma të rëndësishme, për ligje të rëndësishme, ne të zhvillojmë konsultime dhe dialog brenda për brenda maxhorancës. Reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, ndryshimet në Kushtetutë, ligji i hapjes së dosjeve dhe dënimit të krimeve të komunizmit, ligji për pronën, dëmshpërblimin e Ish-të Dënuarve Politikë etj., duhej së pari të kalonin në filtrin e partive të maxhorancës, pastaj të shtroheshin në tryezën e dialogut me opozitën, sepse shqiptarët e kanë votuar këtë maxhorancë të bëjë reformat dhe jo opozitën që u ndëshkua për keqqeverisjen e saj tetëvjeçare.

PD vetë është e përfshirë nga debatet edhe për emra të përveçëm, aq sa ish-ministri i Jashtëm, Mustafaj ka kërkuar largimin e ministrit të Financave, Bode nga qeveria. Prisni një rikompozim të ekzekutivit me shumë zhurmë si brenda PD-së, apo edhe brenda koalicionit?

Nuk pres ndryshime të mëdha, sepse gjykoj se kjo qeveri është e suksesshme dhe ka ecur relativisht mirë në rrugën e reformave. Reformat e thella e kanë një kosto, sigurisht, por kjo qeveri është e vendosur të ecë në rrugën e reformave, sepse nuk kemi alternativë tjetër, nuk kemi rrugë tjetër për të arritur ato standarde zhvillimi që synojmë. Zvarritja e reformave, mund të krijonte iluzionin e një mirëqenieje të përkohshme, por do të dëmtonte seriozisht të ardhmen Euroatlantike të vendit dhe do të krijonte një kosto shumë të rëndë në të ardhmen. Ne duhet të shpejtojmë, nuk kemi kohë për të humbur. Mjaft jemi zvarritur nëpër një tranzicion të vështirë, që krijoi aq shumë fenomene negative si korrupsionin, shkallën e ulët të zbatimit të ligjit, nivelin e ulët të rritjes ekonomike etj.

A është pikërisht kjo koha për PDK-në që të sqarojë marrëdhëniet me kryeministrin Berisha, pasi, duke iu referuar gjithnjë pretendimeve tuaja, ai ende nuk ka shkarkuar zv/ministrin e Jashtëm, Anton Gurakuqi?

Është e turpshme, që numri dy i diplomacisë shqiptare të përfaqësohet nga një falsifikator ordiner që ndiqet penalisht për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Kundër tij, janë hapur disa procese penale nga zyrtarë të lartë të PDK-së dhe qytetarë se u ka falsifikuar shkrimin dhe firmat për të legjitimuar të ashtuquajturin “Kongres të PDK-së”, ku është vetëshpallur Kryetar partie. Një individ i tillë, jo vetëm që nuk mund të mbajë një post të tillë të respektuar në qeverisje, por nuk duhet të lejohet të punojë as si një nëpunës i rëndomtë i shtetit, dikur kryeplak në ndonjë fshat të largët. Ai gjithashtu përdor postin që mban për të fabrikuar shpifje kundër një anëtari të kabinetit qeveritar, për të cilat duhet të përgjigjet sërish penalisht. Mbajtja e tij në detyrë është e papranueshme për ne, sidomos mbajtja e tij në emër të PDK-së në kundërshtim me marrëveshjen politike të firmosur vetë nga z.Berisha dhe PDK-ja. Nëse segmente të caktuara në PD duan të bashkëpunojnë me individë të tillë, le t’i anëtarësojnë në partinë e vet dhe t’ju japin bile edhe tituj e grada. Ne vetëm se do të na vinte keq që partia e krijuar për të shporrur diktaturën dhe për të ndërtuar shtetin e ri demokratik, shndërrohet në një strehë për mashtrues dhe falsifikatorë të tillë, duke e humbur tërësisht kuptimin e saj të fillimit. Shqipëria nuk ka më kohë të merret me kësi aventurierësh të paskrupullt, njerëz që nuk njohin asnjë parim moral e njerëzor, njerëz që shiten e blihen tri herë nga mëngjesi deri në darkë. Aq më pak kanë vend individë të tillë në qeveri dhe në institucionet e larta të shtetit. Ndaj ne presim që Kryeministri të reagojë nëse ai me të vërtetë beson në një qeverisje të vlerave dhe të individëve që sjellin vlerat e tyre në qeverisje. PDK-në nuk e dëmtojnë individë që keqpërdoren nga politika e ditës, ata për ne janë një shije e hidhur, një zhgënjim i madh, dhe kaq. Ata janë përdorur në vazhdimësi, por tani janë vetëm me një përdorim.

PD dhe PS janë ndarë në debatin për dosjet. Kush trembet më shumë, sipas jush, socialistët apo demokratët nga hapja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit?

Ne si pari, kemi kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit. Hartuam edhe një ligj për dënimin e krimeve të komunizmit dhe hapjen e dosjeve. Ne do të kërkojmë në Parlament hapjen e dosjeve për të gjithë deputetët dhe zyrtarët demokristianë, pavarësisht debateve dhe lojërave që bëjnë PD dhe PS, duke filluar me emrin tim të parin. Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, nuk vijmë nga një e shkuar komuniste, përkundrazi, shumë prej nesh vijnë nga shtresa e të persekutuarve, ose janë protagonistë në lëvizjet e para demokratike në vend. PS dhe PD, sigurisht që duhet të kenë probleme, përderisa e zvarritën kaq shumë hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit, duke na bërë vendin e fundit të ish-Lindjes Komuniste që hap dosjet dhe dënon publikisht krimet e komunizmit. Gjithsesi, nëse do të miratohet një ligj i mirë që dënon realisht krimet e komunizmit dhe bën transparencën e këtyre krimeve, nëpërmjet aktit të hapjes së dosjeve, ky do të jetë një zhvillim shumë pozitiv për Shqipërinë, të cilin Partia Demokristiane e mbështet fuqimisht.

--------------------------------------------------------------

Me sa duket PR-ja ka përfshirë në listën e ministrive të saj të preferuara edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ngaqë pati sukses dhe u tregua jashtëzakonisht eficiente në ditët e tragjedisë së Gërdecit. Është e drejta e kësaj partie që t’i vërë syrin çdo ministrie, pasi pretendon se mund të ofrojë qeverisje ekspertësh, pasi me sa duket ka krijuar një eksperiencë të hidhur me politikanët.

Nëse segmente të caktuara në PD duan të bashkëpunojnë me individë të tillë, le t’i anëtarësojnë në partinë e vet dhe t’ju japin bile edhe tituj e grada. Ne vetëm se do të na vinte keq që partia e krijuar për të shporrur diktaturën dhe për të ndërtuar shtetin e ri demokratik, shndërrohet në një strehë për mashtrues dhe falsifikatorë të tillë, duke e humbur tërësisht kuptimin e saj të fillimit.

PS dhe PD, sigurisht që duhet të kenë probleme, përderisa e zvarritën kaq shumë hapjen e dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit, duke na bërë vendin e fundit të ish-Lindjes Komuniste që hap dosjet dhe dënon publikisht krimet e komunizmit. Gjithsesi, nëse do të miratohet një ligj i mirë që dënon realisht krimet e komunizmit dhe bën transparencën e këtyre krimeve, nëpërmjet aktit të hapjes së dosjeve, ky do të jetë një zhvillim shumë pozitiv për Shqipërinë, të cilin Partia Demokristiane e mbështet fuqimisht.

Reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, ndryshimet në Kushtetutë, ligji i hapjes së dosjeve dhe dënimit të krimeve të komunizmit, ligji për pronën, dëmshpërblimin e Ish-të Dënuarve Politikë etj., duhej së pari të kalonin në filtrin e partive të maxhorancës, pastaj të shtroheshin në tryezën e dialogut me opozitën


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML