Presioni i ndërkombëtarëve ka detyruar demokratët që të tërhiqen nga qëndrimi i tyre për ta miratuar brenda këtij sesioni parlamentar projektligjin për pastërtinë e figurave ose siç njihet ndryshe projektligji për hapjen e dosjeve të spiunëve. Një ditë pas deklaratës së ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, për konsensus mes palëve, Partia Demokratike ka ndryshuar qëndrim dhe është shprehur dje e gatshme që të ulet përsëri në tryezën e bisedimeve me socialistët për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Një fakt i tillë është bërë i njohur dje nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili ka konfirmuar se demokratët kanë të gjithë durimin e duhur për ta trajtuar këtë çështje me qetësi dhe në bashkëpunim me opozitën. “Kemi durimin e duhur që të shkojmë me një ligj konsensual. Ngërçi nuk qëndron tek ne. Ne jemi të hapur për diskutime dhe për dialog dhe për të lëshuar”, - tha Patozi. Sipas tij, synimi i Partisë Demokratike nuk ka të bëjë me luftën politike, por vetëm me pastrimin e të gjitha institucioneve të larta shtetërore nga ish-bashkëpunëtorët e shtetit, por edhe ish-anëtarët e lartë të aparatit shtetëror gjatë diktaturës. “Nuk mund të them se ku qëndron sot sensibiliteti i tyre, pra i socialistëve. A qëndron tek cenimi i ish-bashkëpunëtorëve të shtetit apo tek cenimi i nomenklaturës së lartë komuniste, apo të armës famëkeqe të Sigurimit të Shtetit. Kjo mbetet për t’u parë. Nga ana jonë ne jemi neutral për këto dy kategori, pra i konsiderojmë njësoj të papajtueshëm me institucionet e një shteti demokratik”, - tha Patozi. Por në këtë qëndrim demokratët duket se përveç socialistëve kanë kundër edhe aleatët e tyre republikanë. Sipas ish-kryerepublikanit Sabri Godo ligji duhet të ketë fuqi vepruese vetëm për ata persona që me aktivitetin e tyre kanë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Por këtu ai përjashton të gjithë ata individë që nuk kanë pasur një rol jo përcaktues në këtë drejtim dhe që janë detyruar të kryejnë atë aktivitet. “Ka nga ata që thonë se duhet të hapen dosjet për të gjithë, që nga operativi i lagjes, deri tek ai që ishte një persekutor i vërtetë. Unë nuk jam për këtë. Nëse marrin si shembull Gjermaninë, dhe qytetari gjerman nëse ka qenë me sigurimin e shtetit, sipas kulturës së tij shumëvjeçare, e quan një detyrë që ia ka ngarkuar shtetit dhe duhet ta kryejë. Ai nuk krijon ndonjë konflikt me veten e vet, me familjen, me krushqitë, siç ndodh këtu në Shqipëri, që po të thanë se ke qenë i sigurimit, ke spiunuar njerëz dhe i ke marrë më qafë, ty nuk të mbetet veç të shkosh të jetosh në Mal të Dajtit. Kështu është në Shqipëri, dhe këtë duhet të kemi parasysh”, - u shpreh Godo. Ndërkohë që qëndrimi zyrtar i demokratëve, i përfshirë dhe në draftin e paraqitur nga Aldo Bumçi në komision kërkohet që të kalojnë në “sitë” të gjithë ata persona që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit, por që kanë qenë anëtarë të forumeve të larta shtetërore të para viteve ‘90. Gjithashtu PD kërkon që kontrollit t’i nënshtrohen edhe ata individë që kanë kaluar një herë këtë test me dy ligjet e mëparshme. Janë pikërisht këto pikat për të cilën ata nuk ranë dakord me socialistët në mbledhjen e fundit të Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë Patozi është shprehur i hapur që projektligji të diskutohet edhe me grupet e interesit.