Spektakël dhe Debat Politik, ky ishte formati që Fondacioni Qemal Stafa dhe Partia Laburiste Britanike zgjodhën për të debatuar së bashku me të rinjtë në qytetin e Elbasanit mbi modelin e politikanit të së ardhmes. Mbi 250 të rinj nga Elbasani, Librazhdi dhe qytetet e tjera të qarkut, si dhe shumë qytetarë të pranishëm morën pjesë në këtë spektakël politik, i treti që organizohet nga Fondacioni Qemal Stafa. Në hapje të takimit, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Qemal Stafa vlerësoi si tepër të domosdoshme angazhimin e të rinjve në jetën politike si e vetmja mënyrë për të postuar nga vendimmarrja ata njerëz që kanë mbajtur peng deri më sot zhvillimin e vendit. “Receta të parapërgatitura për politikanin e të ardhmes nuk ka, por mund të biem të gjithë dakord se politikani më i mirë është ai që punon për interesin e përgjithshëm e jo për interesin privat, është ai që politikën e ndërton bashkë me qytetarët e jo në kafenetë e restorantet e majmura të Tiranës”, - u shpreh Tahiri. Ndërkohë, duke përshëndetur këtë takim anëtari i kryesisë së PS-së, Namik Dokle, është shprehur se socialistët e kanë kuptuar se të rinjtë dhe gratë janë potencialet që mund të sjellin ndryshimin e këtij realiteti, prandaj dhe po punon fort me ta. “Politikë të re ndjek ajo parti që jeton me shqetësimet e kohës dhe që punon për ndreqjen e tyre, politikë e re është ajo që jeton me qytetarët dhe me shqetësimet e tyre. Partia Socialiste po punon aktivisht me dy komunitete të rëndësishme, me rininë dhe gratë, dy komunitete prej nga dalin edhe liderët e së ardhmes, ata që nesër do të marrin fatet e vendit në dorë”, - tha Dokle.