Kriza e rritjes së çmimit të naftës ka prekur edhe Kuvendin e Shqipërisë. Rritja e çmimit të arit të zi, por edhe kufizimi i shpenzimeve operative nga ana e Kryetares së Kuvendit ka sjellë pakënaqësi tek përfaqësuesit tanë ligjvënës. Shtrenjtimi i vazhdueshëm i naftës muajt e fundit ka bërë që të reduktohet ndjeshëm dhe sasia e karburantit që çdo deputetë merr për makinën e vet nga Kuvendi. Të njohur me këtë realitet të ri nga faturat e shpenzimeve për muajin korrik, përfaqësuesit e popullit janë revoltuar dhe në shenje papajtueshmërie nuk kanë ngurruar që të refuzojnë pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare. Një revoltë e tillë është vënë re disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, deputetët e të cilit për këtë çështje kanë replikuar me nënkryetarin e Kuvendit, Fatos Beja. Kërkesës së Bejës për të zhvilluar një mbledhje të posaçme për buxhetin shtesë ditën e enjte, para se të niste seanca plenare, deputetët i janë përgjigjur në mënyrë refuzuese. Kështu, deputeti socialist Bashkim Fino ka deklaruar se nuk mund të vinte në mbledhje para seancës pasi Kuvendi nuk i paguante gjithë karburantin që harxhonte në lëvizjet e tija me makinë, edhe pse në funksion të jetës parlamentare dhe plotësimit të detyrimeve të tija si ligjvënës. Qëndrimin e Finos e ka mbështetur edhe deputeti tjetër socialist, Elmaz Sherifi, i cili duke marrë shkas nga debati i tillë, është shprehur se Kuvendi nuk merr përsipër remontin e defekteve të makinave të deputetëve. “Makina ime ka tre muaj që qëndron në tako, pasi Kuvendi nuk merr përsipër që të paguajë servisin për defektin e pësuar, pavarësisht se e ka detyrim”, - u shpreh Sherifi. I gjendur përballë një situate të tillë, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, megjithëse ka pranuar këtë realitet, nuk i ka dhënë asnjë shpresë deputetëve për zgjidhjen e këtyre problemeve. “E di që rritja e çmimit të naftës ka sjellë reduktim të litrave të naftës dhe ky është vërtetë problem, por në këtë gjendje nuk mund të bëjmë gjë se buxheti për shpenzimet e Kuvendit është caktuar që në fund të vitit të kaluar”, - është shprehur Beja. Deputetët marrin trajtim nga Kuvendi 11 mijë lekë për karburantin e makinave, ndërsa deputetëve të rretheve u rimbursohet në mënyrë fikse karburanti për transportin nga Tirana në zonën e tij zgjedhore. Por, përveç këtij trajtimi të posaçëm, deputetët marrin një pagë prej 146 000 lekë (pa llogaritur rritjen e re prej 4 për qindësh)
si dhe 2 mijë lekë për pjesëmarrjen në çdo komision parlamentar.