Deputeti socialist shprehet se nga PD po ndiqet e njëjta procedurë si më parë për dekretet
TIRANË- Dekretet e reja të kreut të shtetit për gjashtë anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë mbetur përsëri peng e krizës brenda mazhorancës së djathtë. Gati dy javë pasi Presidenti i Republikës shpalli dekretet e veta, Partia Socialiste evidenton se, ashtu si në rastin e parë, edhe emrat e rinj të propozuar për anëtarë të kësaj gjykate kanë “rënë preh” e luftës politike për më shumë pushtet brenda vetë së djathtës. Deputeti socialist Arben Malaj duke komentuar pikërisht procedurat parlamentare nëpër të cilat janë përfshirë gjyqtarët e propozuar, tha se ato janë tërësisht burokratike dhe aspak të nevojshme. “Në thelb, dua të them pa asnjë hezitim që edhe hera e parë nuk ishte thjesht një kërkesë për standarde, por ishte një ballafaqim krize brenda maxhorancës.
Mënyra se si po sillen dhe me dekretet e dyta të Presidentit, sidomos në momentin kur kërkohet pëlqimi, tregon se kjo krizë nuk ka përfunduar, çdo debat profesional duket se është i mposhtur nga qëndrimi partiak i solidaritetit që dihet në grupin parlamentar të Partisë Demokratike”, - tha dje Malaj, gjatë një deklarate për mediat. Ndërkohë, duke u ndalur pikërisht tek procesi i dhënies së pëlqimit, ai është shprehur se në rastin e dekreteve të Presidentit është e panevojshme verifikimi i imtësishëm nga ana e Kuvendit, kjo për shkak se një proces të tillë e ka kryer më parë vetë kreu i shtetit. Sipas Malajt, Kuvendi nuk mundet që dekretet e Presidentit t’i konsiderojë si kandidatura të thjeshta, pasi ato nuk janë propozime, por emërime në detyrën e gjyqtarit. “Problemi qëndron se në rastet kur kërkohet pëlqim, edhe kur procesi nuk ka qenë transparent, kjo duhet të kryhet nga Presidenti që ka mandatin kushtetues për iniciativën e përzgjedhjes. Pra, procesin e verifikimit të figurave në këtë proces e ka bërë Presidenti dhe ai kërkon thjesht pëlqim. Në këtë rast nuk është e nevojshme dhënia e pëlqimit të tillë, që Parlamenti të krijojë alibi për ta zgjatur këtë krizë institucionale të vendit”, - tha Malaj.