PS deklaroi largimin nga komisioni, sa kohë mazhoranca nuk do të ulet dhe një herë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme
TIRANË- Dështojnë për herë të dytë përpjekjet e Komisionit të Ligjeve për të gjetur konsensusin lidhur me hartimin e një projektligji të integruar për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Mazhoranca dhe opozita kanë treguar edhe një herë dje në këtë komision se janë ende shumë larg në qëndrimet e tyre sa i përket thelbit të projektligjit që ka të bëjë me kategoritë dhe efektet penalizuese të tij. Të dy relatorët, socialisti Arben Isaraj dhe demokrati Aldo Bumçi kanë deklaruar hapur dje në komision se kishin dështuar në përpjekjet e tyre dyditore për të hartuar një draft të përbashkët, i cili më pas të gjente mbështetjen e të gjitha palëve në Parlament.
Opozita
Pas dy ditë heshtje, relatorët Isaraj dhe Bumçi kanë bërë publike dje në Komisionin e Ligjeve, çështjet për të cilat gjatë negociatave nuk kishin arritur të binin dakord. Duke folur në emër të opozitës, deputeti Arben Isaraj ka bërë prezent për deputetët, qëndrimin zyrtar dhe përfundimtar të Partisë Socialiste për çështjen e këtij drafti, duke evidentuar dhe pikat për të cilat e majta nuk mund të japë pëlqimin e saj. Isaraj ka kundërshtuar parimisht draftin e përpunuar të demokratëve, duke theksuar se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rezolutën e Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. “Ky nuk është ligj për hapjen e dosjeve, por është ligj i lustrimit dhe jo i spiunëve. Qëllimi i lustracionit nuk është të dënojë njerëz që pandehen fajtorë, por të mbrojë demokracinë. Hakmarrja, ndëshkimi apo poshtërimi nuk mund të jetë qëllim sot i këtyre ligjeve”, - tha Isaraj. Ai është ndalur pikërisht tek pozicionet apo funksionet shtetërore që do të jenë objekt i këtij ligji, duke bërë të ditur se socialistët janë për variantin që pjesë e këtij hetimi, të jenë vetëm ato persona që me funksionin e tyre mund të paraqesin rrezik për të drejtat e njeriut. Gjithashtu, sipas tij, objekt i këtij ligji nuk mund të jenë as personat që vetëm sa kanë marrë pjesë në një organizatë, apo se kanë emra në dosje pa pasur ndonjë përgjegjësi direkte për ato që kanë ndodhur. Isaraj është ndalur edhe tek afatet kohore në të cilat duhet të shtrihet ky verifikim, duke theksuar se objekt i ligjit duhet të bëhen vetëm dosjet që janë krijuar nga viti 1980 deri në rënien e sistemit komunist.
Demokratët
Relatori Aldo Bumçi gjatë prezantimit të draftit të ri të përpunuar të demokratëve, ka bërë të ditur që në fillim të fjalës së vet se PD është tërhequr nga qëndrimi i saj për të pasur një komision verifikimi parlamentar, duke pranuar variantin që ai të jetë një institucion i ngritur me ligj. Ai ka evidentuar dhe dy pikat kyçe, të cilat sipas tij mbajnë peng konsensusin, verifikimi i personave që janë kontrolluar një herë më parë dhe ndërprerja e mandatit për ata që rezultojnë bashkëpunëtorë gjatë këtij kontrolli. “Sipas logjikës tonë, nëse një person është kontrolluar dhe ka dalë i pastër, nuk ka pse të mos kontrollohet përsëri. Qëndrimi i jonë, është se nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë një njeri që rezulton i përfshirë, për shkak se kjo cenon legjitimitetin e institucioneve demokratike”, - tha Bumçi. Ndërkohë që deputeti i pavarur Spiro Peçi, duke parë qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve, ka propozuar që dosjet t’i kalojnë Arkivit Qendror të Shtetit dhe aty t’i krijohej akses të gjithë të interesuarve, por edhe komisionit të posaçëm, për të bërë verifikimet e nevojshme. Por as kjo ndërhyrje nuk ka afruar palët në një qëndrim, çka ka detyruar demokratët që të kalojnë në diskutimin e projektit të tyre nen për nen. Kjo ka sjellë reagimin e menjëhershëm të socialistëve, të cilët me anë të Isarajt kanë deklaruar largimin nga komisioni, për sa kohë mazhoranca nuk do të ulet dhe një herë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjithë. Largimi i socialistëve ka bërë që të humbasë dhe shumica e duhur për të vazhduar mbledhjen e komisionit. Përpjekjet e deputetëve demokratë për të thirrur kolegët e tyre të djathtë që mungonin në mbledhje në mënyrë që të arrihej kuorumi i duhur për rifillimin e mbledhjes, kanë marrë fund kur kreut të këtij komisioni Fatos Beja i ka ardhur një telefonatë nga “lart”, e cila duket se i ka kërkuar që të mos vazhdojë punimet pa opozitën.
Pikat ku nuk bien dakord
1. PS mendon se personat që i janë nënshtruar një herë verifikimit nëpërmjet ligjeve të mëparshme, nuk duhet të verifikohen sërish, ndërsa PD mendon se duhet të verifikohen. Sipas logjikës së PD-së, nëse një person është kontrolluar dhe ka dalë i pastër, nuk ka pse të mos kontrollohet përsëri.
2. Demokratët mendojnë se të gjithë personat që mbajnë një post të caktuar dhe gjatë kontrollit rezultojnë të implikuar me dosje, atëherë atyre duhet t’i ndërpritet mandati dhe të largohen nga puna. Qëndrimi i PS-së është se mandatet kushtetuese nuk mund të kufizohen dhe ndërpriten pasi diçka e tillë është antikushtetuese.
Qëndrimi PS-së:
Lustracioni nuk do të përdoret për pozicione zyrtare me zgjedhje, përveçse kur kandidati e kërkon vetë këtë gjë, pasi votuesit mund të zgjedhin këdo që duan.
Lustracioni nuk do të përdoret për pozicione të organizatave private ose gjysmë private si media apo feja.
Asnjë person nuk mund t’i nënshtrohet lustracionit vetëm se ka marrë pjesë në një organizatë, duke mbajtur funksione apo detyra që nuk ndikojnë në aktivitetin e këtij institucioni.
Lustracioni duhet të realizohet vetëm lidhur me akte në punësim apo në anëtarësim realizuar nga janari i vitit 1980 dhe duke përfunduar me rënien e diktaturës komuniste.
Hapja e arkivave duhet të ketë një metodë e cila duhet të shoqërohet me komisione të posaçme, për të parë nëse ka falsifikime, pra, a ka futje emrash vetëm për të plotësuar numrat e dëshmitarëve etj.