Ministri i Mbrojtjes shprehet se reforma në Ministrinë e Mbrojtjes do të vazhdojë
Ministria e Mbrojtjes konfirmon edhe një herë se Shqipëria është një vend që lejon shitjen e armëve dhe municioneve të çfarëdo lloji, pavarësisht origjinës së tyre të prodhimit. Ashtu si paraardhësi i tij, kreu i kësaj ministrie, Gazmend Oketa duke iu përmbajtur linjës politike përsa i përket qëndrimit për skandalin e municioneve dhe armëve ushtarake kineze drejt Afganistanit, ka theksuar se ligji shqiptar nuk e ndalon eksportimin edhe të prodhimeve kineze, apo të çfarëdolloj marke tjetër, pavarësisht nëse ato mund të jenë produkte të padëshiruara nga partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ligji shqiptar lejon shitjen e këtyre municioneve, pavarësisht origjinës së tyre dhe nuk ka asnjë pengesë që këto municione të tepërta, apo dhe municione që mund të prodhohen në fabrikat që ne kemi, të mund të eksportohen në vende të ndryshme të botës. Është çështje tjetër nëse vendet pritëse të këtij malli kanë ligje apo sanksione që ndalojnë prodhime të një origjine të caktuar”,- u shpreh kreu dikasterit ushtarak, Gazmend Oketa. Në këtë mënyrë, ai është përpjekur që të shmangë përgjegjësinë e strukturave shtetërore dhe ushtarake shqiptare në skandalin e tregtisë së armëve me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se për këtë çështje, Kongresi Amerikan ka hapur një proces hetimi.
Shkarkimet
Përsa i përket lëvizjeve të mëdha që kanë ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, që me mbërritjen e tij në postin e Ministrit të Mbrojtjes, Oketa është shprehur se ato nuk janë produkt i ndonjë reforme institucionale, por pjesë e një reagimi të domosdoshëm për atë që ndodhi në Gërdec. “Lirimi apo shkarkimi i disa personave ushtarakë të nivelit të lartë apo të ulët, nuk duhet të perceptuar si reformë, pasi këto janë disa masa administrative në funksion të një ngjarjeje të ndodhur. Ka nevojë për një strukturë të integruar midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, e cila është në fazën e saj përfundimtare të krijimit”,- tha Oketa. Megjithatë ai ka siguruar se këto lëvizje nuk do të jenë të fundit, pasi masat administrative do të vazhdojnë me shkurtimin në stafe dhe eliminimin e hallkave apo drejtorive që për nga funksionet dublojnë njëra-tjetrën.
Municionet
Pavarësisht tragjedisë së Gërdecit dhe skandalit të tregtisë së armëve që u bë publik pas saj, Ministria e Mbrojtjes është e vendosur që të vazhdoj eliminimin e të gjitha armatimeve të panevojshme dhe që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa deklaron se Shqipëria brenda vitit 2010 do të eliminojë rrezikun potencial që i kanoset nga mbetjet e municioneve luftarake. Me një fond prej 145 milionë lekësh të reja, kjo ministri do të realizojë një plan-veprimi dhe asgjësimi të këtyre municioneve që kanë vënë pikëpyetje sigurinë kombëtare të Shqipërisë. “Kur flitet për municione, pavarësisht nëse janë në sasi të tepërta, apo të vogla, gjithmonë rreziku nga ato ekziston. Dua të them se pas asgjësimit të këtyre municioneve të tepërta, do të jetë një sasi municionesh e domosdoshme për Forcat e Armatosura Shqiptare për të ushtruar aktivitetin e tyre. Municione që në vetvete do të përmbajnë një rrezik, pasi flitet për materiale ushtarake. Megjithatë, do të kalohet gradualisht nga drita e kuqe e rrezikut në atë portokalli, dhe më pas në atë jeshile. Në vitin 2010 ky rrezik do të jetë zero”, - tha Oketa. Oketa bën të ditur se gjatë këtyre muajve, për shkak të përvojës negative të Gërdecit, kjo ministri në bashkëpunim edhe me Shtabin e Përgjithshëm, ka bërë evidentimin e të gjitha atyre depove ushtarake që përbëjnë dhe rrezikun më të madh për jetën e popullatës. “Janë evidentuar disa depo të cilat përbëjnë rrezikun më të madh, qoftë për shkak të materialit që është depozituar në këto depo, qoftë edhe për shkak të afërsisë që kanë këto depo me zonat e banuar. Pikërisht, puna e asgjësimit dhe njëkohësisht e eliminimit të rrezikut do të nisë nga këto depo dhe për të zbritur shkallë-shkallë në depotet që përbëjnë rrezik më të pakët. Por në rast se procesi administrohet me kujdes dhe në rast se respektohen të gjitha rregullat dhe standardet për asgjësimin e municionit, atëherë rreziku minimizohet”, - theksoi Oketa.