Në Elbasan u krijua Bordi i Dialogut të Partisë Socialiste me Shoqërinë
ELBASAN- Një grup profesionistësh dhe intelektualësh të rinj kanë krijuar në qytetin e Elbasanit, Bordin e Dialogut të Partisë Socialiste me Shoqërinë. Bordi i qytetarëve pa parti është konceptuar si një urë lidhëse mes PS-së dhe komunitetit për të sjellë në forcën më të madhe të opozitës, shqetësimet e qytetarëve dhe idetë e tyre, si dhe për të përçuar në mjedisin shoqëror frymën e politikës së re, se përtej të majtës e të djathtës është Shqipëria me problemet e saj që kërkojnë zgjidhje prej 17 vitesh. Në konstituimin e këtij bordi ka marrë pjesë dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili duke përshëndetur të pranishmit ka vlerësuar si një domosdoshmëri për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë sot shqiptarët, dëgjimin e tyre në organizime të tilla.
Duke shpjeguar qëllimin e kësaj strukture të re, shefi i selisë rozë ka theksuar se bordi është një strukturë që i njeh të gjithë qytetarëve, pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë partie, të drejtën dhe mundësinë për të kontribuar, duke u organizuar së bashku, në funksion të promovimit ideve të tyre dhe njëkohësisht të mbështetjes së një projekti politik që i integron këto ide. “Politika në Shqipëri nuk ka magnet për t’i tërhequr qytetaret dhe qytetarët, por përkundrazi, ka të gjitha ato cilësi të këqija, që mjaftojnë për t’i qëndruar asaj larg. Nga ana tjetër, duke i qëndruar asaj larg, jemi viktima të saj, pasi në fund të fundit, çdo gjë që ka të bëjë me jetën tonë ekonomike dhe shoqërore, shkon e lidhet tek cilësia e politikës”, - tha Rama. Sipas Ramës, në këtë mënyrë qytetarëve u jepet mundësia që të angazhohen për të kontribuar në përmirësimin e jetës së komuniteteve ku jetojnë pa qenë e nevojshme që të bëhen pjesë e një force politike. “Ne krijojmë kushtet që të ndërtojmë për qytetarët e Elbasanit, një urë komunikimi me Partinë Socialiste, e cila nga ana tjetër, përmes kësaj ure komunikimi, i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm të dëgjojë, por edhe të kuptojë se është aty për ta kthyer tërësisht veten me sytë nga njerëzit dhe për ta vënë veten në dispozicion të njerëzve”, - u shpreh kreu i selizë rozë. Krijimi i Bordit të Qytetarëve të Elbasanit pason Bordin e Dialogut me Shoqërinë të krijuar në Shkodër disa ditë më parë.