Beja tha se për gjyqtarët informacionin e jep vetëm KLD dhe Ministria e Drejtësisë
TIRANË- Fati i gjashtë dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë është në dorë të ministrit të Drejtësisë. Kuvendi, duke shmangur deri diku përgjegjësinë e vet për një vendimmarrje të mundshme negative në lidhje me disa nga emrat e dekretuar, ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë për të dhënë ajo një vlerësim profesional për secilin prej kandidatëve, çka nuk përjashton mundësinë e dhënies edhe të një vlerësimi negativ për ato emra që nuk janë në përputhje dhe me qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Plotësimi i dosjes
Megjithëse deputetët ende nuk kanë marrë në dorë dekretet e Presidentit për gjashtë anëtarët e Gjykatës së Lartë, Komisioni i Ligjeve ka nisur nga puna për verifikimin e përputhshmërisë ligjore të kandidaturave të propozuara. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëkohësisht nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja, i cili ka deklaruar nisjen e procedurave parlamentare për dhënien e pëlqimit për dekretet e Presidentit. Si hap i parë në drejtim të përmbushjes së kësaj procedure Beja ka bërë të ditur se i ka kërkuar prej disa ditësh personave të dekretuar nga presidenti Topi që të paraqesin pranë Komisionit të Ligjeve materialet shtesë për plotësimin e dosjeve të tyre personale në mënyrë që deputetët, përpara se të marrin vendimin e tyre, të kenë një informacion paraprak për ta. “Ka filluar tashmë puna për përmbushjen e detyrimit që përcakton rregullorja e re për dhënien e pëlqimit për kandidatët e propozuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Qysh të premten ju është kërkuar kandidatëve që të plotësojnë dosjet e tyre me materialet mbështetëse”, - tha Beja.
Marrja e informacionit
Fatos Beja ka deklaruar gjithashtu për mediat se në emër të komisionit që drejton, si komisioni përgjegjës për marrjen në pyetje të kandidatëve dhe për hartimin e raportit për seancën plenare, i ka nisur një kërkesë për marrje informacioni dhe institucioneve shtetërore, por pa specifikuar konkretisht se kujt institucioni. Ndërkohë që një gjë të tillë e ai e ka bërë në Komisionin e Ligjeve, ku duke iu përgjigjur interesit të deputetëve të opozitës në lidhje me procedurat që do të ndiqen, Beja është shprehur se komisioni nuk mund të vlerësojë meritën profesionale të secilit prej kandidaturave, prandaj dhe ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Ne do të ecim në përputhje me rregulloren e re dhe ne si komision jemi të shtrënguar që të futemi në shqyrtimin e meritës. Por ne nuk i kemi instrumentet, ne s’mund të themi se sa për qind e çështjeve i janë kthyer këtij apo atij gjyqtari. Ato janë gjyqtarë dhe këtë informacion do na e japë KLD dhe Ministria e Drejtësisë që e kanë atë informacion”, - tha Beja në Komisionin e Ligjeve. Paralelisht me këtë praktikë, Komisioni i Ligjeve pritet të zhvillojë javën e ardhshme dhe seancën dëgjimore me secilin prej kandidatëve të dekretuar nga presidenti Topi. Pavarësisht vlerësimit të procedurave, PD ende nuk ka shprehur një qëndrim publik për emrat e rinj për në Gjykatën e Lartë. Ndryshe nga demokratët, Partia Socialiste i ka atakuar tre prej emrave të rinj nga ana profesionale, si të papërshtatshëm për detyrën për të cilën janë përzgjedhur.