Ministria e Mbrojtjes shton edhe një kompani me 95 trupa komando në Irak
TIRANË- Në një kohë kur vendet e mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia, Spanja apo edhe Italia janë mbërthyer nga debati për kufizimin e pjesëmarrjes së tyre ushtarake në Irak, Shqipëria vendos të dyfishojë trupat e saj me të cilat përfaqësohet në këtë rajon të trazuar nga lufta. Në vazhdën e luftës kundër terrorizmit, qeveria ka miratuar dje Aktin-Normativ të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, për të shtuar edhe një kompani me 95 trupa komando në Irak. Si një vend i angazhuar për të zbatuar objektivat e anëtarësimit në NATO, Shqipëria me këtë akt, ashtu siç bëhet e ditur në relacionin shoqërues të këtij akti normativ, kërkon të demonstrojë përpara vendeve aleate se e ka merituar plotësisht ftesën për anëtarësimin në këtë organizatë dhe se ka vullnetin e plotë që të kontribuojë në vendosjen e paqes në botë. Megjithatë duket se nuk ka qenë i rastësishëm fakti që ky akt-normativ u miratua pikërisht dje nga qeveria, në të njëjtën kohë kur në Bruksel u firmos protokolli i anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë. Kontigjenti shtesë do të shërbejë në të njëjtin mision si dhe kontigjenti i parë që vepron prej disa vitesh në Irak, në kuadër të operacionit “Liria e Irakut”. Kontigjenti shtesë do të qëndrojë në Irak 195 ditë në mision dhe 15 ditë të tjera shtesë për procedurat e dorëzimit të detyrës. Dërgimi i këtij misioni në Irak do t’i kushtojë shqiptarëve afro 124 milionë lekë të reja, nga të cilat 114 milion vetëm për shpërblimin e ushtarakëve, të cilët do të marrin afro 85 dollarë në ditë. Efektet financiare të këtij të realizimit të këtij misioni do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërkohë në relacionin shoqërues bëhet e ditur se dërgimi i kontigjentit shtesë bëhet me Akt-Normativ, pasi koha e dërgimit të trupave në mision është e shkurtër.