Deklaratat e kryeministrit Ber sha për një “bum” ekonomik në Shqipëri, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të socialistëve, të cilët nuk ngurrojnë ta cilësojnë atë si provokues për shqiptarët.
Në një dalje të posaçme për shtyp, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke marrë shkas nga një deklaratë e tillë, e ka cilësuar kryeministrin Berisha si mashtrues të opinionit publik. Sipas tij, ndryshe nga sa pretendon kreu i qeverisë, të dhënat nga realiteti në të gjithë vendin tregojnë për gjendjen e vështirë deri në faliment në të cilën ndodhen të gjitha ekonomitë familjare, sidomos në fshat. “Kryeministri i Shqipërisë pati guximin të flasë për “bum ekonomik”, ndërkohë që ekonomia e familjeve shqiptare është në krizë, papunësia në rritje dhe fuqia blerëse në rënie, kostoja e jetesës gjithnjë e më e shtrenjtë dhe qeverisja e vendit përditë e më e papërgjegjshme dhe e paaftë në raport me hallet e njerëzve.
Me kurajon e papërgjegjshmërisë, Kryeministri flet për “bum ekonomik”, ndërkohë që sot po rrënohen krejtësisht kultivuesit e misrit dhe foragjereve në Shkodër, Myzeqe, Korçë dhe luginën e Elbasanit, si edhe prodhuesit e agrumeve në Sarandë e Vlorë”, - tha Rama. Gjithashtu, ai ka vlerësuar se sot familjet shqiptare kanë më pak fuqi blerëse dhe kjo për shkak të rritjes së pa kontrolluar të çmimit të ushqimeve. “Me kurajën e atij që s’di se ç’flet, Kryeministri provokon çdo shqiptare e shqiptar, që në tregun e ushqimeve duhet të paguajë çdo ditë e më shumë për shkak të papërgjegjshmërisë së shtetit në raport me fshatin dhe që në xhep ka çdo ditë e më pak për shkak të paaftësisë së një Kryeministri, i cili bumin e përrallave të tij të përditshme na tregon se ka filluar të rrëshqasë në drejtim të paditur”, - tha kryesocialisti Edi Rama.