Ndërkohë socialistët kërkojnë miratimin e një drafti të integruar. Isaraj: Tre draftet, të papajtueshme me Kushtetutën
TIRANË- Komisioni i Ligjeve nuk ka arritur dje që të gjejë konsensusin për miratimin e një projektligji të integruar për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë ose siç njihet ndryshe, ligji për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Shkak është bërë jo vetëm qëndrimi surprizë që ka shfaqur relatori socialist i Komisionit të Ligjeve, Arben Isaraj, i cili i ka konsideruar nismat ligjore të paraqitura si antikushtetuese, por edhe mosmarrëveshjet brenda vet kampit demokrat për projektligjin e paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj.
Socialistët
Partia Socialiste, nëpërmjet relatorit të saj Arben Isaraj, megjithëse ka vlerësuar si domosdoshmëri hapjen e dosjeve, ka gjykuar se të gjitha nismat ligjore të paraqitura për këtë qëllim (në Kuvend janë paraqitur katër projektligje, i PD-së, PS-së, PDK-së, deputetit Aleksandër Biberaj) janë në kundërshtim të hapur me Ligjin Themeltar të Shtetit. Kështu, sipas Isarajt, draftet e paraqitura nuk respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, si dhe cenojnë rëndë të drejtat dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese në vend. “Unë si relator konstatoj se, të tre projektligjet, në tërësinë e tyre (të shqyrtuara dhe vlerësuara në veçanti, por dhe si të integruara) janë të papajtueshme me Kushtetutën pasi vijnë në kundërshtim me rreth 25 nene të Ligjit më të Lartë”, - tha Isaraj. Duke u ndalur me konkretisht në relacionin e vet, nënkryetari i grupit parlamentar socialist konstaton se të treja nismat (PS, PD e PDK) janë jashtë afatit për t’u shqyrtuar nga Kuvendi, si dhe nuk plotësojnë detyrimet e teknikës legjislative të detyrueshme për ndërmarrjen e një nisme ligjore. Kështu, sipas Isarajt, projektligji i PD-së është paraqitur me emrin dhe firmën e ish-kryetarit të grupit demokrat, sot President i Republikës, Bamir Topi, çka sipas tij përbën një shkelje të ligjit. Gjithashtu, ai vëren se të treja nismat e mësipërme dalin jashtë qëllimit dhe objektit të tyre. “Projektligjet e paraqitura (sidomos variantet e PD-së dhe PDK-së) duke dalë jashtë objektit dhe qëllimit të tyre, si dhe duke zgjeruar pa kuptim ligjor subjektet në verifikim, kanë krijuar një bazë paraprake për një formë të përgjegjësisë morale dhe ligjore kolektive, duke u bazuar thjesht mbi pjesëmarrjen e dikujt në veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit, pa gjetur direkt fajësinë dhe në mungesë të ndonjë veprimi konkret të dhunimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, - tha Isaraj. Një tjetër argument që vërteton, sipas tij, anti-kushtetutshmërinë e këtyre projektligjeve është edhe statusi ligjor i Komisionit të Verifikimit, të cilit i jepen kompetenca të një institucioni superkushtetues, siç janë ato gjyqësore. Nisur nga këto fakte, ai i ka kërkuar të tre propozuesve që të tërheqin nismat e tyre, në mënyrë që t’i lihet mundësia përgatitjes nga e para të një drafti të integruar, ku natyrisht të merren parasysh ligjet tona në fuqi si dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe Rezoluta e Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit.
Mazhoranca
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve ka zyrtarizuar në një farë mënyre edhe mosmarrëveshjet mes vetë demokratëve dhe mazhorancës, në lidhje me këtë çështje. Ashtu siç ishin shfaqur kohët e fundit edhe në publik, demokratët janë paraqitur të ndarë dje përsa i përket projektligjit që duhet të mbështesnin. Projektligji i paraqitur nga deputeti Biberaj duket se është bërë shkak për debate të forta mes deputetëve demokratë. E ndërsa vetë Biberaj ka mbrojtur nismën e tij, duke theksuar se ajo përmban një material të integruar të të tre drafteve të paraqitura që para dy vjetësh në Kuvend, deputetët demokratë të këtij komisioni, i kanë bërë të qartë se nuk mund të diskutonin për të pasi projektligji nuk kishte ardhur ende. “Projektligji është në procedurë për të ardhur në komision dhe është një variant integral i tre projektligjeve të paraqitura më parë”, - tha Biberaj. Nuk kanë munguar në komision as thirrje të deputetëve të veçantë demokratë për t’i ndërprerë fjalën Biberajt, me argumentin se ishte në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit. “Insistoj për të më dhënë fjalën sepse ai është totalisht jashtë procedure dhe faji është i juaji. Ne s’mund të diskutojmë një projektligj që s’ka ardhur akoma. Faktikisht, ai foli në emër të tre grupeve parlamentare sikur të jetë i mandatuar. Prandaj kërkoj që të mos lejohet”, - tha deputeti shkodran Ramiz Çobaj. Ndërkohë që kreu i demokristianëve Nard Ndoka, duke mbrojtur projektligjin e PDK-së, ka vlerësuar se ai i jep zgjidhje një herë e përgjithmonë debatit mbi dosjet. Megjithatë, ai është shprehur i gatshëm që ta integrojë draftin e vet me atë të deputetit Biberaj.
Debatet
Aleksandër Biberaj:
“Projektligji është në procedurë për të ardhur në komision dhe është një variant integral i tre projektligjeve të paraqitura më parë. E kam ndërmarrë këtë nismë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së”.
Fatos Beja:
“Ne po e diskutojmë në parim një projektligj të tillë. Të shohim nëse ka ndonjë tërheqje nga tre nismat dhe kjo, nëse do të ndodhë, do të bëhet në emër të grupeve dhe nuk vjen në emër të nismës së një deputeti, i cili mund të flasë në emër të tërë grupeve. Çdo grup ka përfaqësuesit e vet”.
Aleksandër Biberaj:
“Z.Beja, asnjëherë nuk kam folur në emër të tre grupeve, se nuk e kam atë mandat. Unë mbrojta një nismën time ligjore, të cilën e kam depozituar në Kuvend”.
Fatos Beja:
“Ne nuk e kemi në tryezë nismën tuaj ligjore, kur të futet në procedura, ne patjetër do të diskutojmë edhe për të. Ne nuk mund të diskutojmë për diçka që se kemi”.