Grupi parlamentar i PD-së do të shqyrtojë sot nen për nen draftin fillestar. Projekti i Biberajt drejt përjashtimit
TIRANË- Ka ndryshuar taktikë dhe e ka lënë në konflikt të hapur me eksponentë të PD-së deputetin Aleksandër Biberaj për çështjen e dosjeve, pavarësisht se ai vetë e kishte ngarkuar për të hartuar një variant të ri për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kryeministri Sali Berisha, i cili ka shmangur deri më sot komentet publike për “spiunët”, dje ka folur për herë të parë në mbledhjen e grupit parlamentar, por me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias. Shefi i qeverisë u shpreh para deputeteve se është për hapjen e dosjeve, por vetëm për një kategori të caktuar. Edhe pse nuk ka saktësuar se për cilën kategori bëhet fjalë, qëndrimi i Berishës lë të kuptohet se ai mbështet variantin e PD-së të firmosur në 2006-ën nga ish-kreu i grupit parlamentar i kohës, Bamir Topi. Hapja selektive e dosjeve dhe projekti “Biberaj” ka një ndryshim të madh për këtë çështje, pasi nëse miratohet varianti zyrtar i PD-së, mbi të gjitha nuk do të ketë pastrim të radhëve të politikës edhe sot pas 18 vitesh retorikë për këtë çështje.
Varianti i PD-së
Në variantin zyrtar të Partisë Demokratike subjekt i verifikimit janë edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Por ajo që e dallon nga drafti tjetër i përgatitur nga Aleksandër Biberaj qëndron në faktin senë nenin 18 të saj, thuhet se në rast se vërtetohet se deputetët kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, ata vazhdojnë ushtrimin e mandateve. Neni në fjalë i ka lënë hapësira edhe atyre që do të zgjidhen në legjislaturën e ardhshme. Në paragrafin e dytë, të nenit 18, thuhet se asnjë kandidat për deputet i drejtpërdrejtë nuk mund të jetë subjekt i verifikimit sipas këtij ligji pa u shpallur fitues në zgjedhjet parlamentare. Të njëjtën gjë demokratët kanë parashikuar edhe për drejtuesit e bashkive e komunave. Ndërsa në variantin e propozuar nga deputeti Aleksandër Biberaj, në rast se deputeti ka qenë denoncues apo dëshmitarë rëndues në proceset politike, ai duhet të japë dorëheqjen, ose ti ndërpritet mandati. Në draftin e Biberajt është përfshire një kategori më e madhe e subjekteve që duhet të verifikohen, duke filluar nga drejtuesit e medieve të shkruara e vizive, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë të të gjitha niveleve e deri tek përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare. Ndërsa në draftin e Partisë Demokratike të vitit 2006, subjekt i verifikimit të përgjithshëm është një kategori më e cunguar. Në këtë draft subjekt i verifikimit do të jenë, Presidenti i Republikës, të dekretuarit nga ky i fundit, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; anëtarë të këshillit të Ministrave, zv-ministra, sekretarë të përgjithshëm të institucioneve qendrore në varësi të Kryeministrit apo ministrit; zyrtarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme; guvernatorë dhe zv-guvernatorë; në forcat e Armatosura (gjeneral e kolonel); prefektë, kryetarë bashkish; drejtorë policie qarku në Policinë e Shtetit; drejtuesit e përfaqësive diplomatike.
Sot, drafti nen për nen
Sot deputetët e grupit parlamentar do të shqyrtojnë nen për nen të gjitha pikat e draftit fillestar të PD-së, ndërkohë që pak gjasa ka që pjesë e diskutimeve të jetë edhe projektligji i deputetit demokrat Aleksandër Biberaj, nisur nga qëndrimi i vetë kreut të ekzekutivit për këtë çështje, por edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të PD-së, që prej ditësh po përpiqen ta shmangin një projekt të tillë. Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha ka lajmëruar se do të ketë një mbledhje të dytë sot, për ta shqyrtuar materialin nen për nen. Kjo ka qenë një kërkesë edhe e deputetëve demokratë, si Besnik Mustafaj apo Preç Zogaj, të cilët kanë kërkuar që përmbajtja e projektligjit të shqyrtohet më parë në grup, e më pas të miratohet në Kuvend. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së, Aldo Bumçi ka njoftuar deputetët mbi ecurinë e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve. Nuk është përjashtuar nga diskutimet edhe deputeti Aleksandër Biberaj, i cili ka mbrojtur dokumentin e përgatitur nga vetë ai.