Enjte, 20 Nentor 2008 19:09:23

Lexoni versionin Print

Të përndjekurit: 30 për qind e deputetëve janë me dosje

Intervista/Sekretari i shoqatës së të Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni, shprehet se kreu i Gjykatës Kushtetuese ka dosje Sekretari i shoqatës mbarëshqiptare të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, vlerëson se politika shqiptare ka frikë të hapë dosjet e krimit të Sigurimit të Shtetit, ndjenjë, që sipas tij vjen për shkak se një pjesë e mirë e politikanëve janë përfshirë vetë në dosje.

Fejzi Braushi
Diel, 06 Korrik 2008 08:42:00

Intervista/Sekretari i shoqatës së të Burgosurve Politikë, Besim Ndregjoni, shprehet se kreu i Gjykatës Kushtetuese ka dosje

Sekretari i shoqatës mbarëshqiptare të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, vlerëson se politika shqiptare ka frikë të hapë dosjet e krimit të Sigurimit të Shtetit, ndjenjë, që sipas tij vjen për shkak se një pjesë e mirë e politikanëve janë përfshirë vetë në dosje.

Z.Ndregjoni, politika ka rihapur edhe një herë debatin e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Si përfaqësues i shtresës sëtë përndjekurve politikë si do ta vlerësoni këtë nismë?

Unë nuk shoh seriozitet në këtë çështje, kjo për faktin se politika në të dy krahët është e përfshirë në dosje, si e majta ashtu edhe e ashtuquajtura e djathtë. Për këtë arsye, me këtë veprim këta duan të bëjnë një fasadë ndaj vendimit të Asamblesë së Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit dhe me këtë rast ata duan të përcjellin një mesazh se po hapin dosjet e bashkëpunëtorëve pa hapur dosjen e krimit. Në rast se bashkëpunëtori do të quhet kriminel sepse ka bashkëpunuar me institucionin që ka bërë krimin, ne nuk e dimë se cili është ai që ka ekzekutuar këtë krim. Në këtë drejtim unë jo vetëm që nuk shoh seriozitet, por shoh një përbuzje ndaj klasës së të përndjekurve politikë, të cilëve sot pas 18 vjetësh u hedhin si fasadë një iniciativë e cila përdoret thjesht politikisht nga drejtuesit e partive për të mbajtur nën presion dhe të nënshtruar politikanë që mund të jenë të implikuar në këto dosje.

Në rast se kjo nismë do të miratohet, ajo do të përbëjë ligjin e tretë për hapjen e dosjeve. Kjo do të thotë se ligjet e mëparshme nuk kanë funksionuar siç duhet?

Ligji i vitit 1996, megjithëse u trumbetua politikisht në thelb nuk ishte ligji i keq. Ndërkohë që tani janë paraqitur katër projektligje, një i PS-së, një i PD-së, një i PDK-së dhe një i zëvendëspresidentit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, Aleksander Biberaj. Nga aq sa kam parë me disa ndryshime të vogla, unë mendoj se ligji i Biberajt mund të ishte më i pranueshmi. Megjithatë duhet të kemi parasysh diçka, pasi, në qoftë se seriozisht politika shqiptare do që të shkëputet nga e kaluara e komunizmit ajo me çdo kusht duhet t’i hapë dosjet. Dhe këtu nuk është qëllimi që të dënojmë ata individë me dosje, por të dënojmë krimin. Dhe për të dënuar atë nuk mjafton që të zbulojmë dëshmitarin që në këtë rast është bashkëpunëtori i sigurimit, por duhet të dimë dhe se kush janë punëtorët e atij sigurimi që dhe kanë ekzekutuar në të vërtetë vendime dhe urdhra makabër.

A ka vullnet klasa politike shqiptare për të hapur dosje?

Klasa politike shqiptare ka një mentalitet komunist dhe ende po trysnon shoqërinë. Vetëm Presidenti i Republikës që vjen nga një familje e përndjekur dhe jo komuniste ka gatishmërinë dhe vullnetin e plotë politik dhe moral që t’i shërbejë kategorisë së të përndjekurve politikë. Ndërsa të tjerët bëjnë një luftë të paskrupullt midis njeri-tjetrit me qëllimin e vetëm të ruajnë pushtetin, por jo të thonë të vërtetën. Hapja e dosjeve nuk mund të bëhet politikisht, ajo duhet bërë duke pasur parasysh një kërkesë të shtresës së të përndjekurve politikë. Ndërsa klasa politike nuk ka bërë minimumin ndaj kësaj kategorie. Është koha të dënojmë krimin dhe me të do të dënohen dhe bashkëpunëtorët që e kanë kryer atë. Shoqëria duhet të njihet me këto të vërteta. Unë si drejtues i kësaj shtrese i bëj një apel politikës që të hapë dosjet e veta se ne të përndjekurit i kemi hapur me kohë tonat.

Shumë politikanë që janë marrë më shumë me këtë debat shprehen se shumica e dosjeve janë të dëmtuara dhe të manipuluara. Ju si një njeri i interesuar për këtë proces, keni dijeni për një fakt të tillë?

Po të shikosh vendimet politike që kanë të dënuarit politikë në dosjet e tyre, del se asnjë dosje nuk është e dëmtuar. Të gjitha vendimet e dënimit të të burgosurve politikë apo pushkatimet politike që ne i tërheqim nga arkivat e shtetit nuk kanë asnjë lloj dëmtimi. Aty gjenden krahas akuzave dhe njerëzit që kanë dëshmuar për të dënuar kundërshtarët e atij sistemi. Por edhe nëse ka dosje të dëmtuara ato janë dëmtuar nga viti 1992 e pas dhe për këtë përsëri duhet të japë llogari kjo klasë politike.

Pse mendoni se politika shqiptare ka frikë të hapë dosjet?

Po kjo është fare e qartë sepse është vetë e përfshirë në dosje. Politikanët shqiptarë vijnë nga regjimi i kaluar ku i kanë shërbyer atij shërbimi me devotshmëri dhe një ditë të bukur kur erdhi demokracia në Shqipëri nderuan kostumin nga të kuqë e bënë blu, e bënë rozë apo të verdhë dhe e konsideruan veten demokrat. Kjo është arsyeja që e mban peng zbardhjen e së vërtetës për dosjet në fjalë. Pra politikanët këtë zvarritje e bëjnë për të ruajtur veten e tyre.

Gjatë këtyre viteve ka patur akuza edhe nga vetë të djathtët se individë të ndryshëm me dosje janë pjesë edhe e ekzekutivit apo institucioneve të tjera të larta shtetërore. Nga aq sa keni mundur ju që të shihni dosjet mendoni se akuzat e bëra kanë baza vërtetësie?

Ligji i vitit 1996 i nxori shumë politikanë me dosje. Të gjithë këta që atëherë rezultuan me dosje ne sot i kemi në qeveri, në parlament, në organet kushtetuese. Jemi i vetmi vend në Europë ku organet kushtetuese drejtohen nga njerëz që i kanë shërbyer komunizmit.

Keni emra konkret?

Emrat tashmë i dinë të gjithë, pavarësisht se nuk kanë guximin t’i thonë hapur. Ne kemi pasur kryetarin e Gjykatës së Lartë që ka qenë një prokuror i shtetit komunist, ne kemi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese që ka qenë prokuror i shtetit komunist dhe që ka dhënë vendime për shkak të detyrës, ne kemi anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që kanë dënuar politikisht deri edhe me varje qytetarë shqiptarë. Kemi institucione të tjera si tek Avokati i Popullit, tek Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Pra janë të gjithë këta që kanë në shërbim të diktaturës dhe sot janë në shërbim të drejtësisë.

Ju deklaruat pak më lart se individë të tillë ka dhe në kabinetin qeveritar....

Në kabinetin qeveritar natyrisht që ka dhe i kanë nxjerrë vetë anëtarët pseudonimet njëri me tjetrin.

I dini se me cilët emra konkretë korrespondojnë këto pseudonime?

Me vendimet politike që ne kemi si të përndjekur politikë, natyrisht që e dimë se me kë korrespondojnë. Ne i kemi sepse në vendimin e Gjykatës është i shkruar dëshmitari me emër, mbiemër, funksioni dhe pseudonimi. Natyrisht aty është dhe emri i gjyqtarit, emri i prokurorit e të tjerë. Pra emrat e këtyre mund të verifikohen shumë lehtë edhe nga dosjet që kanë vetë të përndjekurit. Unë kam emra konkretë por nuk kam të drejtë ligjore t’i përmend ato.

Deputetë të ndryshëm kanë përmendur një sërë pseudonimesh të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit që sipas tyre sot gjenden në sallën e Kuvendit. Duke iu referuar pikërisht të dhënave që ju zotëroni nga dosjet tuaja, sa deputetë rezultojnë të kenë dosje?

Përderisa edhe në institucionet e tjera të larta shtetërore ka ende njerëz që kanë një të shkuar të errët, nga kjo nuk mund të përjashtohet as Kuvendi. Ne sot në Kuvend kemi hetuesin e Dibrës që ka çmendur njerëz me torturat e tija dhe që sot punon në administratën e kryeparlamentares Topalli. Si ky ka në sallën e Kuvendit, ashtu edhe në institucione të tjera, por që unë që për çështje etike s’dua t’i përmend me emra. Dhe për t’iu përgjigjur pyetjes, do të thosha se rreth 30 për qind e deputetëve të sotëm kanë dosje. Ne kemi rreth 27 mijë dosje të krimit komunist që i kemi të grumbulluara me të gjitha vendimet politike dhe traumat e shkaktuara. Prandaj ne sot i kërkojmë qeverisë shqiptare që të paktën të botohen këto krime.

Intervistoi: Fejzi Braushi


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Thaçi nga Anglia: Kosova e vendosur për Eulex me 4 pika

20/11/08 13:10:00 | Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pjesë e delegacionit..

Bakojanis: Greqia së shpejti do ta njohë Kosovën

19/11/08 17:58:00 | Shefja e diplomacisë greke Dora Bakojanis theksoi se Greqia së..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML