Presidenti Topi, një përfaqësi e opozitës dhe Ministri i Shëndetësisë njihen nga afër me grevën
TIRANË- Vendosmëria e minatorëve për t’i shkuar deri në fund grevës së tyre të “vdekjes” ka alarmuar politikën dhe organet shtetërore. Përkeqësimi i gjendjes së tyre shëndetësore, por edhe mungesa e një reagimi, qoftë edhe negativ, nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Berisha për këtë çështje, ka detyruar kreun e shtetit, Bamir Topi, që në respekt edhe të kontributit që ka dhënë kjo kategori për demokracinë në vend, të ndërhyjë për të ndihmuar në zgjidhjen e kërkesave të tyre. Në funksion të këtij qëllimi, kreu i shtetit, pasi ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues të kësaj kategorie shoqërore, ka dërguar dje në ambientet ku minatorët janë ngujuar në grevë urie prej 15 ditësh, këshilltarin e vet për Mjekësinë, Maksim Cikuli dhe atë për Pushtetin Vendor, Fatlum Nurja.
Dy këshilltarët janë takuar me minatorët me synimin për t’u njohur më nga afër me kërkesat e tyre dhe gjendjen shëndetësore, e cila për shkak të vendimit të vetë grevistëve për të ndërprerë dhe marrjen e ujit të pijshëm, është përkeqësuar së tepërmi. Informacione të cilat më pas do ia paraqesin kreut të shtetit, në mënyrë që ky i fundit të bëjë dhe përpjekjet e veta për gjetjen e një zgjidhje për kërkesat e minatorëve të ngujuar, shumica e të cilëve me dekret të ish-Presidentit, sot kryeministrit Sali Berisha, janë dekoruar me urdhrin “Pishtarë të Demokracisë”, të cilat në shenjë revolte për trajtimin shtetëror i dogjën pak ditë më parë. Ndërkohë që vizitorë të grevistëve dje kanë qenë dhe një përfaqësi e deputetëve socialistë. Deputetët Qemal Minxhozi, Andis Harasani, Alfred Dalipi dhe Shpëtim Idrizi, vizituan dje në mesditë grupin e minatorëve. Pasi dëgjuan kërkesat e tyre, të katër deputetët, premtuan se do të kërkojnë në sallën e Kuvendit që kjo çështje të marrë sa më shpejtë zgjidhje. “Është e pafalshme, që në ditën e 14-të të grevës së urisë, asnjë qeveritar, asnjë deputet i mazhorancës të mos vijë t’i vizitojë, të bisedojë për të gjetur urat e bashkëpunimit. Faktet flasin vetë, këta njerëz luftojnë, jo për interesin e tyre personal, por për interesin e një mase të gjerë minatorësh, që për dekada me radhë kanë derdhur djersë, e cila nuk po përfillet”, - u shpreh deputeti Qemal Minxhozi. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë, me urdhër të vetë ministrit Ndoka, ka vendosur një grup mjekësh në dispozicion të tyre, në të katër qytetet ku aktualisht po mbahen greva urie. Kërkesat kryesore të minatorëve: ulja e moshës së pensionit dhe rritja e vlerës së tij. Sot një minator merr vetëm 64 mijë lekë të vjetra pension.