Pas një udhëtimi të lodhshëm nga Norvegjia, Besart Berisha zhvilloi dje paradite stërvitjen e parë në drejtimin e trajnerit Ari Han. Biondi kosovar ishte një nga katër lojtarët e rikthyer në kombëtare për ndeshjen eliminatore me Suedinë. Për shkak të dëmtimit që pësoi në miqësoren me Maltën, më 20 gusht të vitit 2007, Berishës iu desh të rrinte gati një vit pa luajtur.
Tani sulmuesi 23-vjeçar është i lumtur për këtë rikthim, ndërkohë që kërkon besimin e trajnerit kuqezi Ari Han. "Natyrisht që është një gëzim i madh për mua, pas problemeve të shumta që kalova. Jam i lumtur që bëhem përsëri pjesë e kombëtares dhe tani shpresoj që të justifikoj gjithçka me lojën time. Në këtë moment kërkoj të kem besimin e trajnerit. Nuk kam folur ende me të, por jam i bindur që do t'ia shpërblej. Ai nuk më njeh dhe është pak e vështirë.
Megjithatë, ndihem mirë dhe mezi pres të luaj,"- deklaroi buzëgaz Besart Berisha, që pritet të jetë i rëndësishëm për kuqezinjtë në ndeshjen me Suedinë. "Në kombëtare kam luajtur më shumë si mesfushor, ndërsa te Rozenborgu si sulmues. Roli im natyral është sulmues, por trajneri e di më mirë,"- thotë ai. Lojtari që shkëlqeu me fanellën kuqezi në miqësoren ndaj Anglisë, foli edhe për Suedinë: "Ka një ekip me vlera, ku spikatin kualitetet e Ibrahimoviçit dhe Rozenbergut. Ne duhet të bëjmë lojën tonë, pasim mundësitë i kemi për të arritur, pse jo edhe një fitore."