Ndëshkues të grekëve në kupat e Europës
Dy "kryevepra" të Klodian Duros kanë eliminuar AEK-un, në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Kupës UEFA. Pas portierit Arjan Beqaj, që nxori jashtë loje Olimpiakosin, këtë herë është shqiptari i Omonias, Duro, ai që ndëshkon një tjetër ekip helen.
Jorgis Memo
Premte, 29 Gusht 2008 09:20:00
Klodian Duro ka shkëlqyer dje për Omonian, duke shënuar dy gola përballë AEK-ut
Dy "kryevepra" të Klodian Duros kanë eliminuar AEK-un, në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë të Kupës UEFA. Pas portierit Arjan Beqaj, që nxori jashtë loje Olimpiakosin, këtë herë është shqiptari i Omonias, Duro, ai që ndëshkon një tjetër ekip helen. Mesfushori i kombëtares ka qenë në një ditë të shkëlqyer, teksa përveç dy golave, goditi edhe shtyllën. Numri 21 i Omonias realizoi në minutën e 10 të, me një gjuajtje nga jashtë zone, duke shuar shpresat e AEK-ut, që kërkonte medoemos kualifikimin, pas humbjes në ndeshjen e parë në Athinë.
Megjithatë, skuadra greke arrin të barazojë, por në pjesën e dytë mbetet me një lojtar më pak, pas daljes se sulmuesit Skoko me karton të kuq. Në minutën e 70-të, pasimin e saktë të kapitenit Okas, Klodian Duro e kthen në gol, falë një goditjeje fluturimthi në ecje sipër. AEK-u barazon në fund, por sa për statistikë, pasi dy golat e shqiptarit e çuan atë në "shtëpi". Paraqitjen e shkëlqyer të Duros e vlerësuan shumë edhe mediat qipriote. "Këmbët e arta të lojtarit shqiptar i dhuruan kualifikimin historik Omonias,"- citonte për Klodian Duron uebsajti "protathlima.com.cy.".
Ndërkohë, në ndeshjen Sllaven Belupo-Aris, për këtë të fundit mbrojtësi i kombëtares, Kristi Vangjeli, ka zhgënjyer. Edhe pse e nisi si titullar, ai u zëvendësua në minutën e 32-të. Arisi u eliminua pas humbjes 2-0 me ekipin kroat. Një kualifikim të bukur ka arritur edhe Rozenborgu i sulmuesit kuqezi, Besart Berisha, që fitoi 5-0 me Djugardenin. Berisha u aktivizua vetëm në 45 minutat e para, duke mos arritur të shënojë në këtë fitore të thellë.
|