Nuk ka asnjë dyshim që blerja e Migen Memellit ishte një prej goditjeve të bujshme të Tiranës në merkaton e verës. Sulmuesi që u aktivizua për tre vjet në Norvegji dhe Suedi, rikthehet në kampionatin shqiptar me eksperiencën e nevojshme për të qenë pjesë e bardhebluve dhe për të synuar titullin kampion, trofe të cilin nuk e ka shijuar asnjëherë. Dy ditë pas mbërritjes në kryeqytet, pogradecari u nis menjëherë me skuadrën për fazën përgatitore në Ohër, ku që nga e enjtja, Tirana është duket u stërvitur intensivisht.
Për "Sportin shqiptar", ish‑sulmuesi i Teutës, Skënderbeut dhe Elbasanit shprehet i kënaqur me atë se çfarë i është ofruar deri tani në skuadër. "Derisa pranova të vija te Tirana, e dija shumë mirë se si është i organizuar ky klub. Nuk jam bërë fare pishman që lashë Gaisin në Suedi për të ardhur në kampionatin shqiptar, sepse jam i bindur se Tirana është një ekip më i mirë, pasi ka më shumë kualitete, ndërkohë që këtu do të kem edhe mbështetjen e njerëzve të mi. Thuajse nuk kam bërë asnjë ditë pushim, sepse me të mbërritur këtu, jemi nisur drejt Maqedonisë. Jemi stërvitur fort dhe nuk mund ta mohoj që lodhja ka filluar të ndihet, pasi ngarkesat fizike kanë qenë të mëdha. Megjithatë, nëse kërkojmë të zhvillojmë një sezon me pretendime, nga kjo fazë në Maqedoni, do të varen edhe rezultatet,"‑ shprehet sulmuesi shtatlartë.
I pyetur në lidhje me përshtypjet për trajnerin Bllazhe Slishkoviç dhe shokët e skuadrës, Migen Memelli shton: "Trajneri është një profesionist i vërtetë. Ai mundohet të përcjellë mentalitetin dhe grintën që e karakterizon te të gjithë futbollistët. Përshtypjet e mia të para për të janë shumë të mira dhe shpresoj që të gjithë që jemi këtu të bëjmë një punë të mirë, sepse në fund të fundit, kemi një objektiv. Për sa u takon shokëve, me një pjesë të madhe të tyre kam qenë më shumë kundërshtar dhe njihemi mirë. Harmonia është e pranishme mes nesh, pasi nuk na mungon asgjë,"‑ shton më tej sulmuesi shtatlartë.
Në lidhje me numrin e golave që ka planifikuar të shënojë këtë sezon, pogradecari tregohet modest, kur e mbyll kështu deklarimin për gazetën: "Nuk dua të bëj llogari që tani. Jam te Tirana për të dhënë kontributin tim, por nuk mund të them se sa gola mund të shënoj. Mos harroni se unë mund të shërbej shumë mirë edhe për shokët, pasi në Norvegji kam dhënë 10 asiste, të cilët u kthyen në gola nga sulmuesit e ekipit. Për mua, rëndësi kanë ata gola që i japin skuadrës pikë dhe jo ata që shërbejnë vetëm për statistikë,"‑ përfundon Migen Memelli.