Presidenti bardheblu i quan tendencioze dhe të pavërteta lajmet e të një të përditshmeje sportive
Lajmet e djeshme të një gazete sportive, e cila publikonte se Abraham Alecheny do të shkojë në kampionatin francez, ndërkohë që Andi Lila nuk ka firmosur me Tiranën, presidenti Refik Halili i ka quajtur absolutisht të pavërteta. Madje, ai arrin deri aty, sa t'i quaj tendencioze këto shkrime, që sipas kryedonatorit, janë në kuadrin e një sulmi që po zgjat prej kohësh nga kjo media e caktuar. Në një intervistë për "Sportin shqiptar", biznesmeni bardheblu bën me dije se Abraham është lojtar i Tiranës, sipas një kontrate të rregullt dhe ndodhet në kryeqytet, për shkak se nuk ka marrë ende vizë. Për sa i takon Andi Lilës, presidenti Halili konfirmon zyrtarisht se ai është një lojtar bardheblu, pasi vetëm orët e fundit ka hedhur firmën mbi kontratë. I pyetur në lidhje me rastin e Devollit, ku grupi i tifozëve "Tirona Fanatics" ka protestuar, Refik Halili bëri me dije se kjo çështje është mbyllur me konsensus të të gjitha palëve.
Z. Halili, si qëndron e vërteta në lidhje me mbrojtësin Andi Lila?
Meqenëse gazeta "Sport Ekspres" ka shkruar se Lila nuk ka firmosur për Tiranën, unë po ju konfirmoj të kundërtën. Ju pohoj zyrtarisht se Andi Lila është blerja e radhës që i shtohet skuadrës, në kuadrin e përforcimeve që po bëjmë në këtë sezon. Ai shumë shpejt do të bashkohet me grupin në stërvitjet që po zhvillohen në Ohër.
A mund të themi se kavajasi është blerja e fundit juaja?
Absolutisht jo. Merkatoja e Tiranës do të jetë e hapur deri në ditën e fundit të saj, për sa i takon blerjes së lojtarëve cilësorë. Unë, së bashku me stafin tim, po punojmë në mënyrë intensive, për të forcuar sa më shumë grupin.
Do të ishte me interes të dinim se si janë marrëdhëniet tuaja me tre kolegët e tjerë donatorë, Ngjela, Nuri dhe Papuli?
Nëse deri tani kam bërë kaq sa ju po shihni, këtu sigurisht merita u takon edhe tre donatorëve të tjerë. Për çdo lëvizje në skuadër unë kam marrë edhe aprovimin e tyre, sepse është më se normale, nisur nga fakti se detyra jonë është me rotacion. Ju siguroj se mes meje, klubit, donatorëve, tifozëve apo lojtarëve, ekziston harmonia e duhur për të bërë më të mirën, që Tirana t'i rikthehet emrit të saj të lavdishëm.