Në teori duhet të fillojnë "të grinden", sepse i ardhuri i ri mund t'ia marrë vendin e titullarit dhe numrin e fanellës "senatorit" me përvojë. Qëkur Ronaldinjo zbriti në Malpensë, kandidati kryesor për të dalë jashtë 11-shes së Ançelotit është Klarens Sedorf. Dhe është gjithnjë holandezi ai që duhet të sakrifikojë për t'ia lërë Gauços numrin 10, që e fitoi pas largimit Rui Kostës nga Milanelo, ndërkohë që Roni e mbante veshur në Barcelonë. Për momentin, këto kontraste hipotetike nuk kanë asnjë ndikim mbi marrëdhënien mes të dyve.
Në këto ditë kanë gjetur rastin të flasin gjatë të dy. Sedorfi ishte i pari që e përqafoi shokun e ri në grumbullimin e skuadrës të mërkurën. Në ato momente nuk pati vetëm përshëndetje, por edhe fjalë stimuluese nga ana e fituesit të "Topit të Artë 2005", drejt të vetmit lojtar që e ka fituar Ligën e Kampioneve me tri skuadra të ndryshme. "Ke qenë gjithnjë idhulli im, qëkur isha futbollist i ri," - i paska thënë Ronaldinjo Sedorfit në Milanelo. Edhe në të shkuarën, kur janë kryqëzuar, braziliani ishte shprehur gjithnjë me superlativa për fantazistin me origjinë nga Surinami. "Do të më pëlqente të luaja me ty një ditë!" Kjo ishte dëshira që u bë realitet. Megjithatë, këtë afrim të Ronaldinjos, shumë njerëz e shohin si një strategji "për t'i rrëmbyer" Sedorfit fanellën me numër 10. Një fanellë e rëndësishme për brazilianin, jo vetëm për aspektin shpirtëror, por edhe atë ekonomik.
Mançesteri: S'ka kontratë të re për Ronaldon!
Mançesteri i ka thënë Kristiano Ronaldos se nuk do të ketë ndonjë rinovim kontrate për ta rritur pagën e tij, në mënyrë që të barazohet oferta e Realit të Madridit, dhe se ai duhet të fillojë të tregojë besnikëri e vullnet. Gjatë kësaj vere portugezi nuk e ka fshehur dëshirën për t'u bashkuar me kampionët e Spanjës, por shefi ekzekutiv Devid Xhil mendon se kjo mund të ketë qenë një taktikë për të rritur pagën e tij me "djajtë e kuq". "Ka mundësi, por asgjë nuk është e sigurt, - tha Gil. - Por, edhe nëse ajo pagë që i ofron Reali është e vërtetë, ne as që do të bënim përpjekjen më të vogël për ta barazuar atë shifër." Ai tha se portugezi do të vazhdojë të paguhet me 240 000 dollarë në javë, për katër vitet që i kanë mbetur në kontratë. "Ne ja rritëm rrogën dhe tani prej tij presim besnikëri dhe vullnet," - nënvizoi Xhil.