Pas bisedimesh të gjata e pranimit në parim nga mesfushori kampion Bekim Kuli, me presidentin e Besës, Nezhat Bizdilin, më në fund Kuli ka hedhur firmën në kontratën e ofruar nga Xhati. I pyetur mbi këtë blerje të fundit, presidenti i ekipit kavajas Nexhat Bizhdili, edhe pse nuk pranoi të bëjë publike shumën e ofruar për Kulin, u shpreh kështu për kampionin më të fundit kavajas me bluzën e Dinamon, Bekim Kulin: "Shpesh në rrugë mjaft nga tifozët e Besës më kërkojnë që në ekip të ketë sa më shumë kavajas.
Fatkeqësisht këto vitet e fundit talentet e Besës numërohen me gishta dhe ka vite që Kuli, Xhihani, Lila, Hoxha janë të vetmit që u afirmuan. Kështu që, siç e kam zakon, për të mos u prishur të ardhmen më të mirë, lejova Xhihanin të ikte në Ukrainë dhe, duke parë se në ekip mbeti vetëm Hoxha, nuk hezitova të pranoj kërkesat e Kulit si futbollist me gjak kavajasi dhe një futbollist me mjaft vlera e influencë në ekip. Ka vite që Besës i mungon një organizator origjinal, plus që Bekimi është i aftë të luajë në disa role në fushë, që nga organizatori, trekuartisti, alf i djatjtë dhe i majtë e tjera. Pra Kuli mbetet një lojtar universal që na duhej. Besoj se me ardhjen e tij mesfusha blindohet edhe më shumë, por edhe shkallët e stadiumit "Besa" mbushen edhe më nga bashkëqytetarët e mi."
Ferraj: Tjetër "muzikë" ndeshjen e kthimit
E ka startuar nga stoli ndeshjen e parë të "Championsit", ndaj Modricas së Bosnjes, por ka lënë "gjurmën" e tij në të. Nertil Ferraj, një nga të rinjtë më premtues të Dinamos, në ndeshjen e para një jave, të luajtur në "Qemal Stafa", ndaj boshnjakëve kampionë, është hedhur në fushën e lojës në pjesën e dytë nga trajneri argjentinas. Eshtë munduar shumë të bëjë diçka, por e ka pasur të pamundur, pasi e mori "rrjedha" e të tjerëve, e lojës pa "din e iman" të Dinamos. Natyrisht, sikurse e pohon edhe vetë, para ndeshjes ka qenë mjaft optimist se do ta kalonin me sukses ndeshjen e parë me Modrican, por përfundimi i 90 minutave të lojës i ka lënë një shije të hidhur edhe Ferrajt. Aq e hidhur ka qenë shija e humbjes 2-0, sa nuk u beson ende syve, dy ditë para ndeshjes së kthimit në Bosnje. Megjithatë, si për të gjithë dinamovitët, edhe për Ferrajn, asgjë nuk mund të zhbëhet më. Ka vetëm një rrugë për të rregulluar imazhin e kampionëve të Shqipërisë, një paraqitje krejt ndryshe në kthim, pse jo, një fitore që do të mundosëonte edhe kalimin e turit. Diçka e vështirë kjo e fundit, por jo e paarritshme. "Si kudo në jetë, edhe në futboll, kurrë mos thuaj kurrë, - nënvizon herë pas here Ferraj, duke folur për "Sporti shqiptar". - Ne vërtet jemi mundur 2-0 në ndeshjen e parë, në fushën tonë, rezultat ky i vështirë për t'u përmbysur, megjithatë shpresat nuk i kemi humbur.
Nuk dua të flas shumë, për sa i takon mënyrës se si humbën në "Qemal Stafa" me Modrican, ndeshjen e parë, sepse atë ndeshje nuk ke nga ta kapësh. Unë e kam parë pjesën e parë nga stoli dhe, të them të drejtën, nuk kemi luajtur keq. Madje, po të ishim treguar të saktë para portës, duhej të kishim shënuar jo më pak se dy gola. Po të kishte ndodhur kjo, pjesa e dytë do të ishte kontrolluar pa problem nga Dinamo. Krejt ndryshe, në pjesën e dytë, kundërshtari na befasoi me lojën e tij. Nga ana tjetër, ne u shfaqëm të mefshtë dhe nuk po dilnim në lojën tonë të grupit. Ndoshta edhe katër argjentinasit nuk arritën të ingranoheshin me lojën e lojtarëve të tjerë. Për pasojë, ndodhi ajo që ndodhi, pësuam dy gola, duke i vështirësuar shumë shanset për kalimin e turit. Vërtet shanset janë minimizuar ndjeshëm, por ne nuk jemi dorëzuar. Jemi stërvitur javën që kaloi me intensitet dhe me mendimin për të shkuar në Bosnje dhe për të sulmuar, si e vetmja mënyrë për ta përmbysur disavantazhin. Edhe nëse nuk e arrijmë dot këtë, të jeni të sigurt se, me ndryshimet në formacion, Dinamo do të ketë tjetër "muzikë" në ndeshjen e kthimit. Me sa kam nuhatur, edhe vetë do të jem në formacion, çka më obligon për të dhënë maksimumin, bashkë me shokët e tjerë të skuadrës. S'duhet t'i zhgënjejmë sërish tifozët tanë, sepse këtë herë nuk kemi kujt t'ia vëmë fajin."