Sulmuesi i kombëtares flet për pushimet e veçanta që po kalon në qytetin bregdetar, ku ndihet i privilegjuar
Pas pushimeve pranë familjes së tij në Tiranë dhe në Tajlandë me të dashurën, Erion Bogdani këtë herë ka preferuar të relaksohet në Vlorë. Në shoqërinë e tij, në qytetin bregdetar, janë ish-futbollistët e kombëtares dhe ata të Flamurtarit. Midis tyre veçojmë Hysen Zmijanin, Afrim Tolen, Sokol Kushtën, Vasil Rucin dhe Ardi Beharin. Prej tri ditësh, Bogdani është sistemuar në një nga hotelet luksoze të Vlorës, ndërkohë që plazhin preferon ta bëjë në këmbët e kalasë së Ujit të Ftohtë. Edhe pse me pushime, ai nuk harron të luajë në fushat e minifutbollit. Shtatlarti i kombëtares pranon me kënaqësi të flasë,por këtë herë më shumë për pushimet. "Eshtë viti i tretë që vij në Vlorë dhe ndiej një kënaqësi të veçantë. Kjo jo vetëm për bukuritë e këtij qyteti, por edhe për ambientin që më rrethon, i cili është shumë miqësor,"- thotë sulmuesi kuqezi. - Tani me bindje të plotë mund të them se kam krijuar një eksperiencë dhe traditë të bukur me këtë qytet. Sa herë që përfundon kampionati italian, unë dhe miqtë e mi organizohemi dhe luajmë minifutboll në Vlorë."
Këtë herë, për Bogdanin pushimet kanë qenë disi më të zgjatura, por sipas tij, koha ka kaluar disi shpejt mes miqve. "Dua të them se mes miqve të shumtë periudha e pushimeve po kalon shpejt. Kampionati italian përfundoi më herët se zakonisht, për shkak të Euro 2008-s, ndërkohë që unë i kam zgjatur pushimet, pasi Kievo e fillon pak më vonë stërvitjen, nga skuadrat e tjera të Serisë A. Gjithsesi, zgjatja e pushimeve nuk ka ndikuar aspak në formën time,"- tregon Bogdani, i cili më 11 korrik do të shkojë në Veronë, për të nisur stërvitjen me Kievon. Ashtu si Vlora, edhe qyteti i Veronës sulmuesit i pëlqen shumë. "Si skuadra e Kievos, ashtu edhe qyteti i Veronës më japin kënaqësi, sepse kam kaluar shumë mirë. Prandaj, tani shpresoj të nis një sezon të mbarë dhe me shumë gola te Kievo."
"Italia dhe Seria A, "dashuritë" e mia"
Ka tetë vjet në Itali dhe nuk i bën të iki nga ky vend. Për Erion Bogdanin, Italia dhe Seria A janë dy "dashuritë" e tij. "Të them të drejtën, ndihem mjaft mirë në Itali. Të aktivizohesh në Serinë A prej 8 vitesh, e do më shumë atë, jo vetëm për sa i përket simpatisë për futbollin italian, por edhe përshtatjes me mënyrën e jetesës, komunikimit, veshjes dhe të sjellurit. Kjo do të thotë, që unë nuk mund të krijoj një eksperiencë të re jashtë Italisë, të paktën edhe për dy vite."