Mesfushori largohet nga Barcelona dhe i bashkohet trajnerit Skolari te "blutë" e Londrës
Dje, Çelsi ka blerë portugezin Deko nga Barcelona, vetëm një ditë pasi trajneri brazilian Luis Felipe Skolari u emërua zyrtarisht si trajneri i ri i "bluve" të Londrës. 30-vjeçari, i lindur në Brazil, ka lidhje të ngushta me "Big Filin", me të cilin ka punuar për gjashtë vite te Portugalia. Pas finales së humbur në Euro 2004-n, Skolari dhe Deko ishin së bashku edhe në europianin që sapo u mbyll, porse, mesa duket, do të bashkëpunojnë edhe në sezonin e ardhshëm në Premier Ligë. Anglezët e kanë marrë Dekon për eksperiencën e tij në Ligën e Kampioneve, trofeu që i mungon skuadrës së Roman Abramoviçit. Çelsi u mund nga Mançester Junajtid në finalen e Moskës, pas goditjes së 11-metërshave, ndërsa Deko e ka fituar dy herë Championsin, me Barcelonën më 2006-n dhe me Porton më 2004-n.
I mbiquajtur "Magjiku", Deko e nisi karrierën e tij me klubin brazilian të Korinthiasit, përpara se të kalonte në Portugali në vitin 1999. Ai fitoi tre tituj kampionë, Kupën UEFA dhe Ligën e Kampioneve me fanellën e Portos, përpara se të kalonte te Barcelona më 2004-n. Me klubin katalanas ai fitoi dy herë titullin kampion dhe një herë Championsin. "Mendoj se kam ardhur në kohën e duhur për të bërë gjëra të mëdha dhe për ta ndihmuar Çelsin që të bëhet skuadra numër 1, jo vetëm në Angli, por në gjithë Europën. Tifozët e Çelsit e ëndërrojnë prej kohësh Championsin dhe unë do të jap gjithçka, që të jemi të suksesshëm," - tha Deko, për faqen zyrtare të Çelsit në internet.
Deko, që u ka kushtuar nënkampionëve të Anglisë rreth 10 milionë euro, ishte një nga futbollistët më të mirë të Portugalisë në Euro 2008, duke i ndihuar "luzitanët" në dy fitoret ndaj Turqisë dhe Çekisë në Grupin A. Portugalia u eliminua nga Gjermania në çerekfinale me rezultatin 3-2. Pasi zhgënjeu sezonin e kaluar me Barcelonën, për shkak të problemeve fizike, ai e gjeti formën ideale duke punuar me stafin e Portugalisë. Kjo e bindi trajnerin Skolari që ta marrë me vete te Çelsit. Transferimi i Dekos në "Stemford Bridxh" ka hedhur dyshime mbi të ardhmen e Frenk Lampardit. Duket se mesfushori anglez i ka bërë valixhet gati për të shkuar tek Interi. Kontrata e tij me Çelsin skadon qershorin e ardhshëm, por rinovimi i saj duket i pamundur për momentin.