Menjëherë pas shkarkimit zyrtar të Donadonit, Federata Italiane e Futbollit njofton emërimin e teknikut
Marçelo Lipi kthehet në drejtimin e kombëtares. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhiankarlo Abete, e ka emëruar trajnerin e ri të "axurrëve", duke zëvendësuar Roberto Donadonin. E ka komunikuar vetë Federata Italiane në adresën e saj zyrtare në internet vetëm pak orë pas lamtumirës së ish-trajnerit gjatë Europianit, që e pa Italinë të skualifikohet në çerekfinale nga Spanja me 11-metërsha.
Lipi do të prezantohet para shtypit të martën më 1 korrik në Romë. Federata nuk e ka bërë të ditur marrëveshjen e kontratës me ish-juventinin, por duhet të jetë thuajse një kontratë 2-vjeçare. Me objektivin pa dyshim, të "Botërorit 2010" në Afrikën e Jugut. Detajet do të caktohen para konferencës për shtyp të martën. Kështu, trajneri viarexhin kthehet në drejtimin teknik të kombëtares pas ciklit të nisur në verën e 2004-s (Islandë-Itali 2-0 në miqësoren e 18 gushtit, ndeshja e tij debutuese) dhe e kulminuar me triumfin "axurr" në Botërorin e Gjermanisë në 2006-n. Lipi ka grumbulluar 29 ndeshje në stolin e Italisë, me bilancin që flet për 17 fitore, 10 barazime dhe 2 humbje. "Jam shumë, shumë, shumë i lumtur. Edhe shumë i motivuar". Janë këto fjalët e para të trajnerit të ri. Para Lipit, vetëm një komisar teknik kishte rimarrë "timonin" e kombëtares "axurre" në një periudhë të dytë. Bëhet fjalë për Vitorio Pocon, përvoja e të cilit në drejtimin e Italisë artikulohet në tri periudha të ndara: në fillim nga 29 qershori në 3 korrik 1912, e dyta nga 9 marsi deri më 2 qershor 1924, dhe në fund nga 1 dhjetori 1929, deri në 5 gusht të 1948-s, për një bilanc të përgjithshëm, që flet për 63 suksese, 17 barazime dhe 15 humbje në 95 ndeshje zyrtare. Pas rreth dy muajsh Italia kthehet në fushë në Nisë kundër Austrisë në një miqësore. Por, para së gjithash, menjëherë më pas fillon grupi i kualifikimit të botërorit: më 6 shtator në Nikosia kundër Qipros dhe më 10 shtator në shtëpi kundër Gjeorgjisë. Dihet: futbolli italian vuan në atë periudhë, ndaj gjetja e detajeve të veçanta bëhet vendimtare.