Trajneri francez nuk merret me holandezët
Rajmond Domenek nuk ka më dëshirë të bëjë shaka. Pasi ka mbizotëruar "platenë" gjatë javës së parë në Zvicër me batuta edhe therëse, trajneri i Francës është paraqitur para shtypit me mëndjemadhësinë e zakonshme ("Unë nuk bëj gabime, aq më pak dhe të gaboj në zgjedhje: të tjerët zbresin në fushë"), por i privuar nga ironia: "Na ka mbetur një mundësi e vogël për t'u kualifikuar, - ka pranuar, - por do të ishte një budallallëk nëse nuk e provojmë, për tifozët, për ne, sepse ky Europian nuk ka lidhje me katër golat e pësuar ndaj Holandës. Mund të shkojë mirë ose keq, rëndësi ka që nesër të bëjmë diçka të madhe, që të mbesë gjithnjë në kujtesë." Nëse duhet të jetë një dorëzim pa kushte, të paktën të mos dorëzohen armët, sepse për kualifikimin beson pak edhe ai. Ndoshta ka fjetur pak, ("E ripashë ndeshjen tonë gjatë gjithë natës"), ose ndoshta, sepse shikon një hije që i del para vetes: ajo me "axurrët", skuadrën që e ka ndeshur më shpesh, ajo që i mori me 11-metërsha Kupën e Botës, duke rrezikuar të jetë takimi i fundit në stolin "e bluve". E thotë vetë ai: "Kjo ndeshje do të shënojë të ardhmen tonë." Italia ka të paktën meritën që ka rindezur krenarinë e Domenekut, si një injeksion adrenaline. "Sido që të shkojë, nuk kam çfarë të them asgjë për Holandën dhe Van Bastenin."
Portieri italian beson te kualifikimi: Mendojmë të mundim Francën, nuk besoj te tolerimet
Bufon: Jemi në "fije të perit"!
Një fitore me Francën për të pasur ndërgjegjen në vend, pas humbjes me Holandën dhe barazimit më Rumaninë. E sheh kështu Xhixhi Bufon. "Duhet të mendojmë të përqendrohemi, pa bërë shumë llogari, - thotë portieri "axurr", - edhe pse, nëse fitojmë ndaj Francës, do të jemi më të qetë në ndërgjegjen tonë. Nëse nuk kualifikohemi në çerekfinale, pavarësisht nga katër pikët, do të thotë se nuk ishte e shkruar që të vazhdonim para."
Po, sepse një fitore e mundshme ndaj Francës mund t'i kualifikojë kampionët e botës në çerekfinale, por duhet që Holanda (e ka siguruar kalimin e turit) të mos humbë me Rumaninë. Pra, të mos bëhet një tjetër tolerim, siç ndodhi në Europianin e 2004-ës me barazimin vëllazëror 2-2 mes Danimarkës dhe Suedisë. "Gjëja kryesore është të mendojmë për veten tonë dhe të marrim rezultat, - vazhdon Bufoni, - pastaj do të mësojmë se ç'po ndodh në fushën tjetër të grupit tonë (ndeshjet luhen në të njëjtin orar). Besoj se do të jetë një ndeshje e vërtetë, në këtë rast nuk janë dy skuadra që nuk duhet të fitojnë, ose u mjafton vetëm barazimi siç ishte Danimarka dhe Suedia. Në këtë rast do të fitonte vetëm Rumania, ndërsa Holanda do të luajë ndeshjen e saj."
Mundësia jo e vogël e rumunëve, për të luajtur kualifikimin në ndeshjen e nesërme, mund të dalë për keq sipas Bufonit: "Në momentin kur ke një objektiv real për të arritur, kjo mund të ushtrojnë një efekt 'bumerang', gjë që mund t'u ndodhë rumunëve, që ndoshta nuk prisnin as të luanin kualifikimin. Ndërsa ne jemi mësuar të luajmë gjithnjë në 'fije të perit' dhe do të luajmë mirë." Portieri italian shpreh dy dëshira: "Do të më pëlqente të rigjeja Holandën në gjysmëfinale dhe Spanjën në çerekfinale, sepse do të thotë që jemi kualifikuar. Ky Europian ka akoma shumë për të thënë." Italia nuk është e përçarë: "Futbolli të jep dhe të merr shumë në të njëjtën kohë, - vazhdon 30-vjeçari. - Dy vjet më parë, në Gjermani, na dha shumë dhe në 2002-n na mori shumë. Kjo është e bukura e futbollit, ndoshta këtu rrezikon të kualifikohesh edhe me dy pikë. U kërkova falje italianëve, pas humbjes me Holandën dhe nuk më vjen turp, edhe pse jam i sigurt se ata, në fund, do të na falënderojnë."