Futbollistët pjesëmarrës në fazën finale të Kampionatit Europian kanë pseudonime nga më të ndryshmet
Futbollistët mund të mos kenë nofkat frikëndjellëse të boksierëve, si Tomi "Goditësi" Hërns apo Xho "Tymues" Frazier, megjithatë shumë prej pjesëmarrësve në Euro 2008 e kanë nga një nofkë interesante që i ndjek nga pas. Bota e artit dhe biznesit të artit prezantohet më së miri në disa forma, meqë sulmuesi italian Alesandro del Piero thirret me emrin e artistit të Rilindjes, "Pinturikio" (Bernardino di Beto). Ai që ia ngjiti këtë pseudonim ishte ish pronari i Juventusit, Xhovani Anjeli, që vetë njihej si "Avokati" dhe që e kishte zakon t'u ngjiste nofka lojtarëve të tij më të mirë, sipas emrave të artistëve të mëdhenj. Roberto Baxho, që njihet edhe si "Buda me bishtalec", thirrej "Rafaelo" prej "Avokatit".
Hollivudi mund të gjejë diçka të vetën gjithashtu, sepse portieri grek Antonis Nikopolidis, heroi në suksesin e vitit 2004, thirret "Kluni", si pirati i zemrave Xhorxh, për shkak se flokët e tij janë thinjur para kohe. Ndoshta është më pak për ta përgëzuar Serxhio Ramosin, sepse atë e njohin si "Tarzani", për shkak të flokëve të gjata dhe trupit muskulor. Se çfarë ngjashmërie ka midis Ramosit dhe notarit legjendar me flokë të shkurtra, Xhoni Vajsmyler, që personifikon Tarzanin në filma, kjo mbetet për t'u vërtetuar. Futbollisti francez i Vitit, Karim Benzema, i ka dhënë vetes nofkën e "makthit të futbollit francez", që duket si një përgëzim i rrezikshëm, meqë do t'i duhet ta justifikojë duke shkëlqyer në Europian. Në fakt, këtë titull ia ngjiti rrepisti i tij i preferuar francez, Rohf, që i ka kushtuar edhe një këngë me këtë titull. Megjithëse sapo e ka lënë adoleshencën, duke luajtur të parin sezon të mirë me Lionin, djaloshi ka fituar edhe pseudonimin tjetër më të përshtatshëm, "BigBenz". Ndoshta nuk është dashur shumë imagjinatë për të krijuar shumicën e nofkave në kombëtaren franceze, pasi kapiteni Patrik Vieira dhe mbrojtësi Patris Evra njihen shkurt si "Pat", ndërsa Florent Maluda thirret me të njëjtën metodë, "Flo".
Sa për macen e zezë të futbollit francez, Marko Materacin, mbrojtësin e ashpër italian që bëri gjithçka të mundshme për të qenë viktimë ose për të merituar atë goditje me kokë nga Zinedin Zidan, në finalen e Kupës së Botës, të gjithë ata që nuk e duan e thërrasin "Materaci", ndërsa ata që e duan e quajnë "Matrix". Pa dyshim që ka edhe nga ata që njihen me nofka, sipas shtatlartësisë së tyre. Veterani, thuajse në pension, Henrik Larson i Suedisë thirret "Perla e artë", ndërsa portieri spanjoll Iker Kasiljas thirret "Shën Ikeri", për shkak të pritjeve të tij mbresëlënëse. Ish djaloshi i keq i Çelsit, Adrian Mutu, njihet si "Dinamit", ndoshta sepse trupi i tij për pak sa nuk shpërthente prej përdorimit të tepruar të kokainës.
Bashkatdhetari i tij, Marius Nikulae, njihet më thjesht si "maja e shigjetës". Pas gjithë këtyre nofkave ndoshta nuk do të jetë e nevojshme të mendohet një e tillë për lojtarin më të mirë të këtij turneu, Kristiano Ronaldo dos Santos Aveiro, i cili nuk e ka ende një nofkë. Përjashto këtu faktin se një pjesë e emrit të Ronaldos i është vënë për nder të ish aktorit dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara, Ronald Regan. Ndërsa disa do të sugjeronin se Ronaldo ka aftësi tepër të mira aktruese në fushën e lojës, kur i ndërhyjnë mbrojtësit kundërshtarë; shumë të tjerë shpresojnë që ai të fitojë po aq yje sa në flamurin amerikan, në nivel vërtet ndërkombëtar me kombëtaren e tij.