Mançester Junajtidi nguli këmbë se mund të detyrohet ta paditë te FIFA Realin e Madridit për ndjekjen publike që po i bën Kristiano Ronaldos. Kampionët e Europës dhe Premier Ligës shpërndanë dje një njoftim për shtyp, duke përshkruar "inatin në rritje" ndaj komenteve të vazhdueshme që vijnë prej klubit spanjoll, në lidhje me golashënuesin portugez. Deklarata për shtyp, e publikuar në faqen e internetit, thoshte se "Mançester Junajtidi e ka ndjekur me inat në rritje çdo koment të Realit të Madridit mbi dëshirën e tyre për të blerë Kristiano Ronaldon. Faktet janë të tilla: lojtarin e lidh një kontratë afatgjatë me klubin tonë dhe kartoni i tij është në dorë të Mançester Junajtidit. Lojtari nuk është në shitje. Klubi ynë nuk do të ketë alternativë tjetër, veçse për ta kallëzuar Realin e Madridit në qeverinë botërore të futbollit, FIFA, në rast se ata vazhdojnë të sillen në këtë mënyrë krejtësisht të pahijshme.
Këto përpjekje publike, për ta shpërqendruar lojtarin, janë tërësisht kundër rregullave dhe klubi nuk do t'i tolerojë më ato. Për më tepër, klubi është i sigurt se ato janë bezdi për skuadrën kombëtare portugeze, që po përgatitet për Euro 2008-n. Askush nuk duhet të ketë ndonjë dyshim, sepse Mançester Junajtidi do të bëjë gjithçka që ka në dorë për t'i mbajtur sërish lojtarët e tij më të mirë." Trajneri i Realit, Bernd Shuster, konfirmoi se Ronaldo është objektivi numër një i klubit të tij për fazën e shitblerjeve të kësaj vere. Trajneri i "djajve të kuq", Sër Aleks Ferguson, e ka shprehur me kohë kundërshtimin ndaj provokimeve madrilenase të Ronaldos, duke marrë si shembull gjigantët e tjerë të futbollit spanjoll, Barcelonën, që nuk shprehet asnjëherë kështu për lojtarët e tjerë të Junajtidit. Kjo taktikë i eci Barcelonës, kur siguroi shërbimet e mbrojtësit të Junajtidit, Zherard Pike, për një kontratë katërvjeçare ditën e djeshme. Duke parë që çdo përqasje e ndrojtur për Ronaldon do të dështonte, Reali mendoi ta ashpërsojë luftën e kërkesave të tij. Komentet e fundit të Shusterit duket të kenë marrë përgjigjjen e prerë nga Junajtidi. Fergusoni u tërbua nga shprehjet e Shusterit kundrejt 23 vjeçarit, pasi gjermani i Realit po fliste sikur blerja e tij ishte mbyllur me kohë. "Ka shumë lojtarë të tjerë që po i vëzhgojmë, por çdo bisedim është ngadalësuar disi për shkak të gjithë kësaj zallamahie për Kristiano Ronaldon, meqë ai është përparësia kryesore e klubit, - tregoi Shusteri, për shtypin spanjoll.