"Revolucioni Tirana", lamtumirë "gardë e vjetër"
Mbledhja e së enjtes midis katërshes së donatorëve, Refik Halilit, Shefikat Ngjelës, Avni Nurit dhe Agron Papulit, ka qenë më e thellë nga ajo se çfarë u publikua për mediat në përfundim të saj, ku u bënë të ditura disa vendime, për sa i takon presidencës me rotacion, apo buxhetit prej 1 miliard lekësh.
Nga Aurel CELIBASHI
Shtune, 24 Maj 2008 08:25:00
Zbulohet projekti i donatorëve për skuadrën. S'do të ketë rinovime për Mukën, Nallbanin, Bakallin, Hajdarin & CO.
Mbledhja e së enjtes midis katërshes së donatorëve, Refik Halilit, Shefikat Ngjelës, Avni Nurit dhe Agron Papulit, ka qenë më e thellë nga ajo se çfarë u publikua për mediat në përfundim të saj, ku u bënë të ditura disa vendime, për sa i takon presidencës me rotacion, apo buxhetit prej 1 miliard lekësh. Gazeta ka mundur dje të investigojë, duke arritur të gjejë lajmin e bujshëm, ku të gjithë lojtarët që mbyllën këtë sezon, nuk do të kenë asnjë shans për të rinovuar. Përjashtim bëjnë vetëm tre lojtarët e rinj, Jetmir Sefa, Jahmir Hyka dhe Erbim Fagu, të cilëve do t'u propozohet një kontratë më e mirë se sa kjo që kishin. Për sa u takon lojtarëve të tjerë, nuk bëhet fjalë fare se në sezonin e ri, do të veshin sërish fanellën bardheblu. Të parët që e pësuan, ishin Klodian Duro, Elvis Sina dhe Endri Vrapi, të cilët u përjashtuan në pushim të ndeshjes finale me Vllazninë, por nuk mbaron me kaq. "Gardës së vjetër" do t'i shtohen emrat e Devi Mukës, Blendi Nallbanit, Gentian Hajdarit apo Egert Bakallit. Duke parë problemet në gju dhe kohën e gjatë që duhet për riaftësim, donatorët duket se e kanë ndarë mendjen që të mos t'i propozojnë kontratë kapitenit të tyre. Ndërkohë, për shkak moshe, Nallbani, Hajdari dhe Bakalli, s'do të jenë më pjesë e Tiranës. Me sa duket, Indrit Fortuzi e kishte parandier një situatë të tillë dhe, para se ta largonin, preferoi t'i varte vetë "këpucët në gozhdë". Në këtë mënyrë, me këtë nismë që donatorët po ndërmarrin, kërkojnë t'u japin fund një herë e mirë telasheve brenda skuadrës, ku lojtarët e vjetër grindeshin apo hiqnin nga detyra trajnerët. Që nga sezoni 2008-2009, trajneri i ri që do të ulet në stolin bardheblu, do të jetë fuqi plotë në drejtimin e skuadrës, i mbështetur edhe nga presidenti 1-vjeçar që do të zgjidhet zyrtarisht të hënën.
Por listës së gjatë të largimeve, i shtohen emrat e portierit Alfred Osmani, mbrojtësve Erion Xhafa, Lek Kçira, Sasho Gjoreski, mesfushorëve Hetlem Çapja, Erald Deliallisi, Florenc Arapi, Laurent Mohelebi, Berat Hyseni. Të gjithë emrat e fundit, sipas donatorëve, nuk dhanë kontributin e pritur dhe rrjedhimisht, duhet të shohin për një tjetër skuadër. Pra, siç shihet qartë, drejtuesit e skuadrës kërkojnë të rindërtojnë çdo gjë nga themelet për sezonin e ri, pas zhgënjimit se nuk fituan asnjë trofe në vitin e fundit të mandatit të tyre.
|